E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuri në kohërat e Ali Pashës

Romanin më të fundit, “Jetë të marra peng”, Viktor Canosinaj e çon në një tjetër kohë, në shekullin XIX dhe në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës. Vendosur në një sfond historik, e populluar me figura reale, romani vërtitet në një histori dashurie mes arkitektit italian, Alfonso, dhe vajzës shqiptare myslimane, Velkës Viktor Canosinaj

Romanin më të fundit, “Jetë të marra peng”, Viktor Canosinaj e çon në një tjetër kohë, në shekullin XIX dhe në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës. Vendosur në një sfond historik, e populluar me figura reale, romani vërtitet në një histori dashurie mes arkitektit italian, Alfonso, dhe vajzës shqiptare myslimane, Velkës. Simbolikisht, përkatësia e ndryshme fetare është vetëm një nga “muret” simbolike që autori ngre në roman. Ndërkohë, duke mbetur brenda kuadrit letrar, Canosinaj ofron një qëndrim të tijin ndaj figurës historike të Ali Pashë Tepelenës. Për të, Ali Pasha nuk është figura heroike e pretenduar e as personazhi që mbart vlera kombëtare e që duhet të rishikohet me objektivitet nga historia. “Jetë të marra peng”, botuar nga “Toena”, është një nga librat letrarë që i propozohet lexuesit në këtë sezon veror. Në intervistën e mëposhtme, autori tregon më shumë rreth procesit krijues të këtij romani.

Një histori dashurie jo në ditët e sotme, por në pashallëkun e Ali Pashë Tepelenës. është një vepër letrare, apo mund të lexohet edhe si historike?

Romani trajton në radhë të parë dashurinë e një arkitekti napolitan, Alfonsos, i marrë peng në pashallëkun e Ali Pashës dhe një vajze shqiptare myslimane, Velkës. është një ngjarje e mbështetur mbi një fakt historik, që unë kam pasur fatin ta lexoj dhe më tej është përpunuar me fantazi. Ka elemente të trilluara brenda një konteksti historik të caktuar.

U është dashur të shfletoni literaturë për t’ju përqasur atmosferës së shekullit XIX?

Sigurisht që përveç ngjarjes, në pjesën më të madhe të trilluar, për të krijuar atmosferën, relievin, pamjen, aktivitetin ekonomik etj., kam lexuar gjithçka që është botuar në gjuhën shqipe mbi këtë pashallëk e po ashtu i jam referuar edhe literaturës në gjuhë të huaj që i përket së njëjtës periudhë. Në roman flitet për një qytet që e ka emrin Janinë, por unë i kam lejuar vetes të ndërtoj një qytet që mund të mos përkojë me saktësi matematike me atë të shekullit XIX, por t’i përafrohet.

Një vajzë myslimane që dashurohet me një të krishterë dhe një fund tragjik i dy të rinjve. është kjo një mënyrë për t’iu kundërvënë mureve që ngrihen prej dallimeve fetare? 


Në këtë libër ka shumë mure që ngrihen në mënyrë simbolike. Raca njerëzore gjatë gjithë ekzistencës së vet ka ngritur mure të padukshme që kanë një forcë shumë më të egër se muret fizike. Ato janë mure politike, kulturore, racore dhe shoqëria njerëzore sot e kësaj dite mbetet e ndarë për shkak të këtyre mureve. Romani synon të japë një interpretim të raportit mes tiranisë dhe lirisë.

Ishte i domosdoshëm një sfond historik?

Në të gjithë librat ekziston një sfond kohor. Fakti që ngjarjet janë vendosur në një kohë të largët historike, në fillim të shekullit XIX, nuk do të thotë aspak që ngjarjet i përkasin vetëm kësaj periudhe. Një lexues i vëmendshëm që di të lexojë nëntekstin, do të kuptojë që nuk bëhet fjalë vetëm për Pashallëkun e Janinës, por për një të ardhme shumë të afërt me tonën, në atë kohë kur u ngritën mure të të gjitha llojeve që e izoluan këtë popull nga pjesa tjetër e botës. Ka një përngjasim të çuditshëm të të gjitha formave si u krijua dhe u zotërua ky pashallëk me izolimin komunist në Shqipëri.

Ju përfshini edhe figura historike në këtë roman, si Ali Pasha, i biri i tij, Mehmet Efendiu, Frosina e Janinës, apo Thanas Vaja. Mbahet një qëndrim ndaj tyre?

Për sa i përket figurës së Ali Pashës, pavarësisht se është një vepër e trilluar, jam përpjekur të bëj një interpretim disi të ri të këtij personazhi. Ndryshe nga sa është shkruar apo thënë, te kjo figurë nuk ka asgjë heroike dhe asgjë kombëtare siç propagandohet. Këto janë të gjitha pretendime që për mendimin tim nuk qëndrojnë. Ai ishte figurë e pastër tirani, që ngriti një pashallëk të madh. Ai që unë propozoj është një diskutim brenda kornizave letrare. Nuk pretendoj të bëj interpretim historik, aq më tepër që edhe ky personazh ka nëntekstin e tij. I mbetet kritikës dhe lexuesit të mbajnë një qëndrim të vetin. Unë jam i mendimit që duhet rishikuar objektivisht për t’i dhënë ato që meriton dhe t’i hiqen ato që i janë dhënë padrejtësisht.

Ju keni shkruar edhe libra për të rinj. Sa aktiv jeni së fundmi në këtë gjini?

E kam shkruar paralelisht këtë letërsi. Vazhdoj ta lëvroj dhe nuk shoh asnjë pengesë. Jam përpjekur të trajtoj tema që u përkasin adoleshentëve të sotëm, problematikave, marrëdhënieve të dashurisë, marrëdhënieve me prindërit e mësuesit, raporteve që kanë me njëri-tjetrin etj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›