Matura Shtetërore: Nxënësit e diplomuar jashtë, duhet të aplikojnë deri më 15 prill
Të gjithë ata nxënës që kanë kryer shkollën e mesme jashtë shtetit dhe kërkojnë të vijonë studimet e larta në Shqipëri, duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës në Ministrinë e Arsimit brenda datës 15 prill. Kjo kategori nxënësish duhet të japin provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, në mënyrë që të mund të aplikojnë për shkollat e larta publike të vendit tonë.
Nxënësit që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit dhe që nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (provimet me detyrim D1 dhe D2 dhe ato me zgjedhje Z1 dhe Z2), për tu pranuar në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik duhet të japin provimet me zgjedhje, përcakton udhëzimi i MASH. Sipas kësaj ministrie aktualisht është ngritur një komision i posaçshëm, i cili do të përcaktojë nëse provimet e dhëna nga maturantët janë të barasvlershme ose jo me Maturën Shtetërore. Ndërkaq, ky komisioni përcakton edhe vlefshmërinë e dëftesës.