E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI angazhohet për një rikonceptim të reformës së Maturës Shtetërore

Nën sloganin Rinia në Veprim, Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi dje pasdite një takim me qindra të rinj gjimnazistë, për të diskutuar lidhur me problemet e Maturës Shtetërore. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe kryetari i LSI, Ilir Meta, Kryetarja e LRI, Erisa Xhixho, Prof.Jetmir Aliçka dhe Edmond Hoxha, që janë anëtarë të Komisionit të Arsimit në LSI. Duke hapur takimin, Kryetarja e LRI, Erisa Xhixho theksoi se sot është Koha për Veprim. Duke shprehur mirëkuptimin për gjendjen në të cilën ndodhen gjimnazistët para provimeve të Maturës Shtetërore, ajo njoftoi ngritjen e një Forumi Online për ti ardhur në ndihmë problemeve të tyre, në mënyrë që ata të informohen për çdo paqartësi që kanë. Ky forum, tha Xhixho, duhet të ishte bërë nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit, por atë po e bën LRI, e cila do të bëjë më shumë për të rinjtë pas 28 Qershorit. Duke marrë fjalën, kryetari i LSI, Meta theksoi se reforma në Maturën Shtetërore është e dështuar dhe gjysmake, e cila ndonëse u propagandua si një reformë e suksesshme nuk i arriti qëllimet e saj. Ndaj, sipas Metës, është domosdoshmëri rikonceptimi i reformës së Maturës Shtetërore, gjë për të cilën do të angazhohet LSI. LSI angazhohet për rikonceptimin e Maturës Shtetërore në përmbajtje, në strukturë dhe në vlerësim, në mënyrë që brenda pak viteve ne të arrijmë nga niveli aktual i realizimit të preferencave të lëndëve, që është 30 për qind, për të ndjekur degë të caktuara në Universitete, në 60 për qind. Në këtë mënyrë Matura Shtetërore nuk do të jetë një stres, nuk do të jetë një përllogaritje shumë e komplikuar për ju dhe për të gjithë ata që bëjnë vlerësimet, por do të jetë vërtetë diçka shumë më e thjeshtë dhe që do ti shërbejë realizimit të aspiratave tuaja për të bërë zgjedhjen e duhur dhe për të shprehur talentin dhe aftësitë tuaja, në fushat ku ju keni më shumë për zemër, u shpreh Meta. Kreut i LSI theksoi se, kjo do të thotë një reformë e standardeve europiane. Duke shprehur besimin te aftësia dhe talenti i të rinjve, kreu i LSI shprehu bindjen se zgjedhjet e 28 Qershorit do ti japin mundësi LRI që të ketë në Kuvendin e ri përfaqësuesit e saj, në mënyrë që të jenë ata që do të ngrenë zërin për problemet e Maturës Shtetërore, dhe problemet e të rinjve në përgjithësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›