Matura Shtetërore këtë vit jep shumë mundësi për maturantët

Maturantët që janë duke përfunduar këtë vit arsimin e mesëm do të jenë më të favorizuar për të fituar të drejtën e studimit në universitetet publike, pasi rregullorja e re e Maturës Shtetërore i shkurton atyre disa detyrime formale. Rregullorja e re jo vetëm që parashikon më shumë mundësi zgjedhjeje, por për kandidatët e Arteve dhe Sporteve do të hiqet detyrimi për të dhënë provimet me zgjedhje. Nga ana tjeter, të gjithë ata kandidatë për studentë, të cilët i janë nënshtruar një herë provimevë me zgjedhje, do t'u njihet ai rezultat që kanë marrë. Për këtë kategori është hartuar një formular i ri A1Z, i cili përmban të gjitha gjeneralitetet e kandidatit. Rregullorja e re e Maturës Shtetërore përcakton se "për të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007;2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shteterore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga deget e Institucioneve te Arsimit te Lartë Publik, rezultatet e arritura nga nxenesi, në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen, pra konsiderohen të vlefshme edhe në vitet në vazhdim. Ndërkaq, një tjetër risi e rregullores ka të bëjë me konkurrimin e maturantëve për në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës. Këta maturantë do të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik, pa qënë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje. Rregullorja favorizon edhe mbetësit në lëndët me detyrim. Sipas rregullores, "nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njerin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim". Personat që kanë kryer shkollat e mesme para vitit shkollor 2005-2006, kanë marrë deftesë pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta,do të japin dy provimet me zgjedhje, pasi të jenë regjistruar në shkollën ku kanë kryer gjimnazin.
...