Ministri Xhuveli: Gjatë tre mujorit të parë të 2009-s nis funksionimi i shërbimit këshillimor për pyjet dhe kullotat

Gjatë 3 mujorit të parë të këtij viti do të fillojë për herë të parë funksionimi i Shërbimit Këshillimor për Pyjet dhe Kullotat, bëri të ditur sot ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Lufter Xhuveli. Realiteti i ri në këtë sektor, me transferimin e e pyjeve dhe kullotave në pronësi të 330 komunave dhe bashkive, ka bërë të domosdoshëm një mbështetje të veçantë për to, për punonjësit e shërbimit pyjor dhe për të gjithë ata, veprimtaria e të cilëve lidhet me këtë sektor, për një mirëadministrim dhe mbrojtje më të mirë të pyjeve dhe kullotave. Duke u ndalur tek situata aktuale në sektorin e pyjeve dhe kullotave, ministri Xhuveli tha se "në një hark kohor prej 3 vjetësh (2006-2008), në sajë të reformave që po zbatohen në këtë sektor, është kryer një ndryshim pozitiv rrënjësor". Sipas tij, në fushën e pronësisë, nga 95 % të forndit të pyjeve dhe kullotave që shteti zotëronte deri në vitin 2007, aktualisht zotëron vetëm 35 %, ndërsa 60 % i janë kaluar në pronësi komunave dhe bashkive. "Gjatë kësaj periudhe, është më shumë se dyfishuar sipërfaqja e zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, është pakësuar katër herë niveli i shfrytëzimit të pyjeve, si dhe janë ndërmarrë dhe masa të tjera në dobi të mirëadministrimit dhe mbrojtjes së tyre", tha ministri i Mjedisit. Shqipëria tashmë ka hyrë në listën e vendeve të gjelbëra të botës. Pyjet dhe kullotat janë ndër pasuritë natyrore më të rëndësishme të saj, duke mbuluar mbi 50 % të territorit të vendit.
...