E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, nis hartimi i provimit të Letërsisë



Prej ditës së enjte 20 specialistë të arsimit do të izolohen në mjediset e AVA-s për të hartuar tezën e provimit të parë të Maturës Shtetërore, atë të Letërsisë. Specialistët do të përzgjedhin 25 pyetje të ndryshme nga 250 që janë tashmë gati, për 5 teste, që do t’u jepen maturantëve më datë 2 qershor.

Testet

Si çdo vit, hartuesit e pyetjeve të provimit edhe këtë vit do të "izolohen" për të përgatitur dhe shumëfishuar testet e provimit të parë të Letërsisë për mbi 45 mijë maturantë. Burime nga AVA konfirmojnë se fondi i pyetjeve është më i madh se vitin e kaluar. Sipas përcaktimit të MASH-it, lloji i testit me të cilin do të provohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka përvetësuar në shkollën e mesme. "Edhe pse mbarojnë punën në ditën e parë të futjes brenda në ambientet e AVA-s, ata do të dalin vetëm pasi të jetë shpallur e të jetë hapur testi në mjediset publike, pra, në shkolla. Mbi kriterin e aftësisë, përvojës, seriozitetit, ndershmërisë", - tha Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH.

Në përputhje me këto kritere, sivjet do të hartohen teste në varësi të profilit të arsimit. Kjo, pasi edhe programet lëndore dhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, janë të ndryshme për tipa të ndryshëm shkollash. Pasi specialistët të kenë përgatitur tezat përfundimtare të letërsisë, do të nisë shpërndarja e testeve në çdo mjedis ku do të zhvillohen provimet e maturës. Ato do të dërgohen me një kuti të vulosur, e cila do të përmbajë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provim, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe elementet e nevojshme për zhvillimin e provimit. Mësohet se hartuesit e testit të Letërsisë për Maturën Shtetërore të këtij viti janë mësues dhe nuk kanë konflikt interesi. Ata do të përzgjedhin 25 pyetje të ndryshme nga 250 që janë tashmë gati, për 5 teste, që do t’u jepen maturantëve më datë 2 qershor.

Datat

Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, maturantët kanë të drejtë të kërkojnë rivlerësim të tezave të tyre, të cilat do të bëhen nga komisione të posaçme që do të ngrihen pranë AVA-s. Matura Shtetërorë nis me provimin e parë, atë të Letërsisë, më datë 2 qershor, për të vazhduar me provimin e Matematikës më 11 qershor, dhe për të përfunduar me provimet me zgjedhje, të cilat zhvillohen më 10 korrik.

Ish-Kombinati i Tekstileve

Rikthehet park për çlodhje

I gjithë kompleksi i ish-Kombinatit të Tekstileve do të ketë tashmë një pamje tjetër, falë ndërhyrjes së një projekti të Bashkisë së Tiranës. Ai plotëson idenë e shumëqendërsisë së metropolit më të madh të shqiptarëve, Tiranës. Kjo synon të transformojë fasadat e objekteve të ansamblit arkitektonik të ish-Kombinatit të Tekstileve. Sipërfaqja totale e cila do të rindërtohet, është 3200 metra katrorë. Ky projekt përfshin edhe rikualifikimin urban të hapësirave publike, në zonën përbri ish-Kombinatit të Tekstileve. Vendndodhja e hapësirës përkon me një prej hyrjeve të Tiranës, e pikërisht me atë jugperëndimore, sipas aksit rrugor të Rrugës së Kavajës. Hapësira është tërësisht e amortizuar dhe jashtë çdo lloj funksioni. Kanë qenë vetë qytetarët, të cilët e kanë orientuar investimin e bashkisë drejt këtij destinacioni. Ndërhyrja do të përfshijë transformimin e 5500 metrave katrorë në sipërfaqe të gjelbëruar dhe pedonale. Projekti i ri është krejt në harmoni me sheshin “Garibaldi”, tashmë i rehabilituar. Pemët që do të mbillen, do të jenë dekorative, si në stinën e lulëzimit ashtu dhe në atë të zhveshjes nga gjethet. Në këtë hapësirë do të mbillen rreth 116 rrënjë pemë. Kështu, ky park i vogël i gjelbëruar do t’u ofrojë banorëve dhe vizitorëve disa panorama interesante sipas stinëve. Në këtë hapësirë do të vendosen edhe 64 stola të integruar, me hapësirën dhe nën hijen e pemëve. Ndriçimi është element i rëndësishëm në të tilla hapësira. Është menduar që për shkak të vendndodhjes pranë aksit rrugor dhe pedonal të Rrugës së Kavajës, tashmë të ndriçuar, të përdoret pikërisht po i njëjti ndriçim edhe për hapësirën e re të gjelbëruar.

Moti

Dy muajt e ardhshëm, valë e madhe të nxehti

Java e fundit e këtij muaji pritet të jetë pak më e freskët, duke u shoqëruar dhe me reshje shiu, pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Kështu, në Tiranë, temperaturat e larta pritet të ulen nga rreth 30-32 gradë në fillim të javës në rreth 23-25 gradë, ndërsa ato të ulëta do të kenë pak ndryshim nga 16 gradë në 15 gradë celsius. Por, pavarësisht këtyre uljeve të lehta të temperaturave në këtë javë, parashikimet e meteorologëve flasin për një verë tepër të nxehtë. Sipas tyre, vendi ynë pritet të goditet në dy muajt e ardhshëm, nga i nxehti afrikan, duke bërë që temperatura maksimale të kalojë mbi 42 gradë celsius. Rritja e temperaturave dhe "çrregullimi i stinëve" është një nga ndikimet e ndryshimeve klimatike në vendin tonë, sipas specialistëve të mjedisit. Nën këtë ndikim, duket se Shqipëria pavarësisht se ka një klimë mesdhetare, në ditë të veçanta është prekur nga dukuri të klimës kontinentale. Ndërkohë, rritja e temperaturave ka vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në vend, por dhe urgjencat e kryeqytetit, veçanërisht atë të pediatrisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›