E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë; Projekti spanjoll, 210 mijë euro për të dënuarit dhe stafin e burgjeve



Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i Spanjës në Tiranë, z. Manuel Montobbio dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, vizituan dje burgun e Fushë-Krujës me rastin e përfundimit të projektit “Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë riintegrimin e të dënuarve dhe të dënuarave me heqje lirie”. Ky projekt u zbatua nga Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID), në vëmendje e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Projekti është bërë në kuadër të reformimit të sistemit të vuajtjes së dënimit në vend. Ai ka kushtuar 210 mijë euro dhe synon risocializmin e të dënuarve në shoqëri nëpërmjet formimit të tyre profesional dhe organizimit të aktiviteteve terapeutike. Forcimi i mekanizmave që bëjnë të mundur rikthimin në gjirin e shoqërisë të të dënuarve nëpërmjet përpunimit të një Programi të Individualizuar Trajtimi (PIT) për ata që vuajnë dënimin dhe të një Modeli të Individualizuar Intervenimi (MII) për të paraburgosurit janë drejtimet kryesore të projektit, i cili synon të shtrihet në të gjithë sistemin peniteciar shqiptar. Ai u krye në dy institucione penitenciare, atë të Fushë-Krujës dhe Vlorës, dhe nga ai përfituan 150 të paraburgosur, si dhe u trajnuan 136 persona nga Sektori Social dhe 20 nga Sektori Juridik. Projekti i erdhi në ndihmë stafeve të Shërbimit të Kujdesit Social dhe atij Juridik, nëpërmjet asistencës së specializuar të ekspertëve spanjollë në fushën e së Drejtës Penale dhe Kriminologjisë, si dhe ekspertëve në fushën e Psikologjisë për Sistemin e Vuajtjes së Dënimit. U krijuan bazat për ngritjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të një programi aktivitetesh për sistemin e qendrave të kryerjes së dënimit, si për të burgosurit që vuajnë dënimin, ashtu dhe për ata që gjenden në paraburgim. Në fazën e dytë të tij ky projekt synon zhvillimin e kurseve formuese dhe profesionale që do zhvillohen si: përdorimi i kompjuterit dhe mësimi i programeve bazë, gjuhë e huaj–anglisht, mekanik-saldator, zdrukthëtari, hidraulik, luleshtari, mekanik-xhenerik, si dhe njohjen e tyre brenda Arsimit Profesional Shtetëror. Një ndër objektivat afatgjatë të këtij projekti në të ardhmen është koordinimi i punës për arritjen e një marrëveshjeje me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për monitorimin e këtij projekti dhe implementimin i tij në të gjithë sistemin penitenciar shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›