E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, përjashtohen nga provimet 286 maturantë

26/05/2009  Drejtoria Arsimore e Tiranës: Rreth 5 për qind e maturantëve rezultojnë të jenë mbetës

Drejtoritë Arsimore evidentojnë listat e kandidatëve mbetës në shkollat e mesme

Jo pak, por 5 për qind e maturantëve në kryeqytet nuk do të kenë të drejtë të vijojnë procedurat e aplikimit për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike të vendit gjatë vitit të ardhshëm akademik. Aktualisht janë publikuar listat e maturantëve, që për shkak të rezultateve negative gjatë vitit shkollor nuk do të lejohen të futen në fazën e parë të provimeve të maturës për lëndët e detyruara. Këta të fundit duhet të rijapin lëndët ku janë cilësuar mbetës në vjeshtë, e vetëm pas një viti mund të rifuten sërish në garën për pranimet në universitete. Specialistët e Drejtorisë Arsimore në kryeqytet kanë pohuar se pas rishikimit të listave të dërguara nga të gjitha shkollat e mesme, ka rezultuar se :“rreth 5 për qind e maturantëve cilësohen mbetës, e thënë ndryshe rreth 268 maturantë nuk mund të hyjnë në provimet e maturës për 2009-ën. Sipas të dhënave , rezulton se rreth 6317 maturantë në kryeqytet do ti nënshtrohen provimit të parë të detyruar që do të zhvillohet më datën 2 qershor për lëndën e letërsisë. Ndërsa për provimin e dytë të detyruar matematikën, janë regjistruar rreth 6385 maturantë. Situata në rrethe pohohet të jetë ndryshe, pasi numri i kandidatëve të cilët nuk do të lejohen në dy provimet e detyruara rezulton të jetë edhe më i lartë. Sipas rregullores së provimeve për 2009-ën, çdo nxënës që ka vlerësimin kalues në të dy provimet e detyruara dhe dëshiron të vazhdojë studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, duhet të japë edhe provimet me zgjedhje. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara, në sezonin e parë nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sezonin e vjeshtës, dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet e larta publike vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara rezultati i tij ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Ndërsa ai që ili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sezonin e parë nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sesionin e dytë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto Institucione të Arsimit të Lartë Publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.

Përzgjedhja e kandidatëve fitues

Renditja e kandidatëve fitues edhe për vitin e ardhshëm akademik do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2]. Ku Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje, secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë duke njohur vlerësimet e veta (parashikimet), pra duke vetëvlerësuar veten. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në institucionet e arsimit të lartë publik. Ndërsa renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit që kanë si kusht edhe konkursin e veçantë, si Arkitektura, Edukimi fizik, degët e Akademisë së Arteve, renditja e fituesve do të bëhet me një tjetër formulë. Në këto raste merren parasysh edhe pikët e konkursit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›