Raporti i KE-së, Basha: Shqipëria, progres të pamohueshëm
Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm në drejtim të përmbushjes së standardeve për liberalizimin e vizave. Progresi thelbësor dhe i dukshëm i Shqipërisë do të bëjë të mundur që brenda vitit 2010, shqiptarët të lëvizin pa viza në Evropë. Në këtë mënyrë, ministri i Jashtëm Lulzim Basha vlerësoi dje me nota optimiste raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për sa i përket liberalizimit të vizave. Kryediplomati shqiptar iu kundërpërgjigj akuzave të PS-së se ky raport e ngel në klasë Shqipërinë, duke thënë: “Rama të rreket më kot të mbulojë diellin me shoshë, pasi Shqipëria është në rrugën e mbarë me liberalizimin e vizave”. Basha vuri dje në dukje se ritmet e shpejta të qeverisë do të bëjnë të mundur që brenda vitit të parë të qeverisjes së ardhshme, liberalizimi i vizave për shqiptarët do të jetë një realitet. “Shqipëria ka bërë progres në të gjitha blloqet. Shqipëria dallon për shpejtësinë e progresit, krahasuar me 4 vite më parë. Vendi ka bërë progres në ngritjen e infrastrukturës dhe prodhimit të kartave, ka bërë progres në sigurinë kufitare, korrupsionin dhe krimin e organizuar, shtetin ligjor etj. Ky është raporti që shqiptarët do të lëvizin pa viza vitin e parë të mandatit tonë të dytë”, - u shpreh z. Basha.
Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, dokumenti i KE-së u vë theksin, për sa i takon Shqipërisë, arritjeve të shpejta që ka bërë vendi ynë, ndërsa solli në vëmendje katër prej tyre. Basha informoi se blloku i parë që lidhet me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike cilëson se Shqipëria ka shënuar progres në lidhje me procesin tërësor të ngritjes së infrastrukturës dhe aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes se dokumenteve, të cilat janë të sigurisë së lartë dhe në përputhje me standardet evropiane. “Shqipëria ka shënuar progres në menaxhimin e kufirit, azilit dhe emigracionit, që përbën dhe fokusin e bllokut të dytë të udhërrëfyesit”. Sipas Bashës, Shqipëria ka shënuar progres për bllokun tre, për rendin ligjor dhe sigurinë. “Tashme baza ligjore në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është vendosur plotësisht dhe implementohet çdo ditë. Shqipëria ka shënuar gjithashtu progres të shpejtë dhe është në rrugën e duhur për çështjet e të drejtave themelore dhe marrëdhënieve me jashtë, që përbëjnë bllokun e katërt. Ndërkohë që Shqipëria nuk shënon asnjë incident me baza dhe motive etnike", - tha Lulzim Basha. Komisioni Evropian, bazuar në gjetjet e grupit të ekspertëve gjatë mbi 100 takimeve faktmbledhëse të zhvilluara në terren, ka nisur diskutimet me Këshillin për Ballkanin Perëndimor në Bruksel për raportin për zbatimin e kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me BE-në. Versioni paraprak i këtij raporti vë në dukje se Shqipëria ka shënuar progres thelbësor dhe të ndjeshëm në secilin nga katër blloqet e udhërrëfyesit, madje edhe në krahasim me konkluzionet e raportit paraprak të nëntorit të vitit të kaluar. “Kryefjala e vlerësimit për secilin bllok është progres, thelbësor, i dukshëm dhe në rrugën e duhur. Shqipëria dallon nga të gjitha vendet e tjera të rajonit për shpejtësinë e progresit të arritur, krahasuar me gjendjen e katër viteve më parë. Ndonëse 4 vite më parë ne u nisëm nga një stad shumë më i prapambetur se çdo vend tjetër i rajonit”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.
Vizat, Barrot: Një perspektivë e afërt
KE-ja bën thirrje për liberalizim të shpejtë të vizave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, edhe pse e sheh këtë proces si një perspektivë të afërt. Zëvendëspresidenti i KE-së, Jacques Barrot, deklaroi dje se heqja e vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë, është një perspektivë e afërt dhe e dukshme. Barrot bëri thirrje për heqjen sa më të shpejtë të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë përmbushur kushtet e vëna nga blloku 27-anëtarësh. Zv.presidenti i KE-së dhe njëkohësisht edhe komisioner për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, vlerësoi hapat përpara që kanë bërë vendet e rajonit në përmbushje të kushteve si dhe vlerësoi bashkëpunimin e qeverive me Brukselin zyrtar. Raporti për heqjen e vizave u është dërguar 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat pritet të diskutojnë e të marrin një vendim lidhur me heqjen e regjimit për vendet e Ballkanit. Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave miratohet me shumicë kualifikuese prej dy të tretash të vendeve anëtare të BE-së, pas një mendimi paraprak të Parlamentit Evropian.
Miratimi i rezolutës, Basha: Sukses i jashtëzakonshëm
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i sapokthyer nga Damasku, e quajti një sukses të jashtëzakonshëm miratimin e rezolutës së Shqipërisë për Kosovën nga 57 vendet anëtare të OKI-së. Për herë të parë, Konferenca Islamike i referohet kësaj rezolute, nëpërmjet një deklarate se shpallja e pavarësisë së Kosovës përbën parakushtin për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe shtetin e së drejtës. Sipas Bashës, ky është një sukses i madh dhe miratimi i saj hap një kapitull të ri me vendet e OKI-së.
Kjo rezolutë u bën thirrje vendeve të Konferencës Islamike të mbështesin pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë dhe zhvillimin e tij dhe sipas kryediplomatit shqiptar, kjo dëshmon për nisjen e një kapitulli të ri me vendet anëtare të kësaj konference. Sipas ministrit të Jashtëm, Basha, miratimi i kësaj rezolute është provë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe që pas njohjes nga Arabia Saudite, të tjera vende pritet t’i bashkëngjiten këtij procesi.