E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura e përgjakshme

Maturanti Muhamet Cakaj u qëllua për vdekje para dyerve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ka vdekur Muhamet Cakaj. Alban Kadrolli, ndërkaq u plagos. Dyshohet se plumbat u shkrepën nga Taulant Kadrollin. Policia nuk i di motivet e kësaj ngjarje që tronditi Prishtinën. Nga Lirita Halili më 25 maj 2011 në ora 07:49

Pak ditë pasi festoj mbrëmjen e maturës, Muhamet Cakaj e gjeti vdekjen. Për këtë maturant e marta ishte dita e fundit e jetës. Ai u nis nga shtëpia drejt shkollës, për të marrë rezultatin e testit të maturës, por nuk u kthye më aty. Ishte shkolla vendi të cilin ky maturant e pa për herë të fundit.

Në shkallët e Gjimanizit “Sami Frashëri”, në Prishtinë ku Muhameti ishte nxënës për 4 vite me radhë, ai dyshohet se është qëlluar me revole nga një maturant tjetër. Si pasojë e plagëve të marra Muhameti gjeti vdekjen, derisa Alban Kadrolli po ashtu nxënës i kësaj shkolle mbeti i plagosur.

Kjo ngjarje e rëndë, të martën tronditi të gjithë nxënësit ë shkollës së mesme “Sami Frashëri”, e në veçanti njërin nga ata që e pa gjithë skenën e krimit. Duke mos dashur ti përmendet emri për shkak të privatësisë, ky nxënës rrëfen disa nga skenat e rastit, si pasojë e të cilit Muhameti mbeti i vdekur.

Ai thotë se ishte pranë shkallëve kur nisi përleshja mes 2 personave tjerë dhe Muhametit tashmë të ndjerë. “Në fillim ata kanë nisur një përleshje fizike mes vete. Pastaj njëri ka nxjerrë alltinë dhe ka gjuajtur drejt viktimës duke e lënë të plagosur”, rrëfen ky nxënës për Express.

“Pastaj dy nga ata filluan ta gjuanin viktimën me shqelma ashtu siç ishte i shtrirë pas plagëve të marra. Ia mëshonin në bark dhe në kokë”, thotë ky nxënës, sipas të cilit personi tjetër që ishte bashkë me viktimën gjatë përleshjes, filloj të ikë nga aty, për tu larguar në drejtim të shkollës teknike.

“E njëri nga djemtë që ishte përfshire në këtë përleshje nisi të vraponte për tu larguar nga vendi ku ishte shtrirë viktima. Por njëri që po e shkelmonte viktimën filloj të vrapojë për ta zënë derisa gjuante në drejtim të tij”, pohon ky nxënës, i cili thotë të ketë parë edhe personin tjetër të plagosur në këmbë.

Rastin e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës, e cila thotë se pas një përleshje që ka ndodhur të martën në mesditë mes disa të rinjve, ka mbetur i vrarë M. C. i moshës 19 vjeçare, nxënës i shkollës së mesme.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.00, kurse sipas tij vrasja është bërë me armë zjarri.“Ka ndodhur një vrasje rreth orës 12 e 38 minuta në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë. Ka pas gjuajte me armë zjarri, ku si pasojë e plagëve të marruara nga armë zjarri, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ndërruar jetë M. C., viti i lindje 1992”, ka thënë Kelani, i cili shton se nga kjo përleshje ka pësuar lëndime Alban Kadrolli, po ashtu nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri”.

Kelani tregon se njëri ndër kryesit e veprës është arrestuar përderisa tjetri ndodhet në arrati. “Është arrestuar Taulant Kadrolli, kurse në arrati gjendet Muhamet Lahu”, u shpreh Kelani, sipas të cilit policia ka konfiskuar një armën të cilën e ka gjetur në vendin e ngjarjes, derisa hetimet janë duke vazhduar. Policia ka bastisur disa lokacioneve në afërsi të shkollës së mesme “Sami Frashëri”, ku ka ndodhur vrasja, në kërkim të të dyshuarit të dytë.

Kurse Shpend Fazliu zëdhënës i QKUK-së, bëri të ditur se në mesditën e së martës në Qendrën Emergjente janë sjellë dy persona të lënduar. “Rreth orës 12:45 janë sjellë dy pacientë në gjendje të rëndë, njëri nga ta pa shenja jete, përkundër përpjekjeve të mjekëve, pacienti nuk ka arritur të kthehet në jetë, kurse pacienti tjetër po vazhdon të ekzaminohet në QKUK”, tha ai.

Sidoqoftë kjo nuk është hera e parë, që raste të tilla ndodhin nëpër shkollat e Kosovës. Vetëm në gjysmë vjetorin e parë të vitit të kaluar, janë raportuar afër 210 incidente mes nxënësve, nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Shumë prej tyre edhe me pasoja të rënda, sikurse rasti i ditës së martë.

E pikërisht për këtë çështje, gjatë vitit 2008, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Arsimit, të mbështetura edhe nga organizata ndërkombëtare në Kosove, patën filluar punën në hartimin e strategjisë kombëtare për siguri në shkolla. Për më shumë se dy vite, që kur puna në të kishte filluar, e për të cilën ishin shpenzuar mjaft të holla, gjendja në shkollat publike ka mbetur e njëjtë sa i përket sigurisë. Madje në disa shkolla të kryeqytetit ajo është përkeqësuar. Në prill të vitit 2009, MASHT dhe MPB kishin prezantuar draft-dokumentin “Strategjia për siguri në shkolla 2009-2011 - Shkolla një vend i sigurt", por që nga atëherë ky dokument nuk mund të gjendet fare në asnjë nga faqet zyrtare të ministrive të lartpërmendura, madje ai dokument nuk është bërë kurrë publik.

Fakte: Statistikat e incidenteve në shkolla

Sipas të dhënave nga Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë për vitin 2010 numri i incidenteve mes nxënësve (lëndime të lehta trupore) është 37, lëndime të rënda trupore 6, dëmtim prone 36, posedim i armëve të ftohta 25 dhe 15 vjedhje.

Reagimi i KNK-së

Rastin e humbjes së jetës së nxënësit të gjimnazit “ Sami Frashëri” në Prishtinë e ka dënuar Këshilli i Nxënësve të Kosovës, sipas të cilit dhuna në shkolla po adresohet vetëm kur humb një jetë. “Nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës shprehin keqardhjen për vdekjen e bashkëmoshatarit të tyre. Ne konsiderojmë që neglizhenca e institucioneve përkatëse rreth adresimit të dukurisë së dhunës në shkolla nuk i ndihmon aspak situatës aktuale dhe mësimdhënies më cilësore”, thuhet në reagimin e KNK-së.
Edhe më tutje mijëra nxënës në vendin tonë vazhdojnë të jetojnë me frikën se do të jenë viktima të dhunës në shtëpi, rrugë por edhe në shkollë. Dhuna fizike dhe psikologjike që përjetojnë nxënësit zbatohet në forma të ndryshme: rrahje, fyerje, ngacmime gjinore, trajtim johuman etj. Në disa raste po marrin edhe jetët e bashkëmoshatarëve tanë.

Reagon INPO

Organizata INPO shpreh shqetësim për gjendjen e sigurisë në shkollat publike në Kosovë. “Dhuna nëpër shkolla, si në të kaluarën por edhe sot po dëshmohet se është një problem shumë serioz, i cili duhet të gëzojë vëmendjen dhe trajtimin adekuat nga të gjitha institucionet relevante si dhe faktorët tjerë, të kyçur në procesin edukativo arsimor në Kosovë”, thuhet në reagimin e INPO-së, e cila shpreh keqardhje për vrasjen e nxënësit në Gjimnazin “Sami Frashëri”. “Ky rast sikurse edhe raste tjera në të kaluarën, janë dëshmi mbi pasigurinë e nxënësve në objektet shkollore dhe ambientet përreth tyre. Mbi të gjitha janë tregues të dështimit të institucioneve arsimore, institucioneve të sigurisë për të adresuar këtë problem serioz që ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në shkollat e Kosovës”, thuhet në këtë reagim. Sipas INPO-së, institucionet shtetërore duhet të angazhohen më shumë për të identifikuar shkaqet dhe gjetur zgjidhjet konkrete që do të ndikonin në zvogëlimin, eventualisht, zhdukjen e plotë të dhunës nëpër shkolla dhe ambientet përreth tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›