E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e Bashkuar

Mbretëria e Bashkuar është kundër ndarjes. Ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë është e pamundur dhe e rrezikshme. Një ekip i Foreign Office po përgatit një strategji, në përpjekje për të siguruar më shumë njohje për Kosovën. Për këtë qëllim Londra do të lobojë veçmas te shtetet e Commonwealth’it. Ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff, flet për Express. Nga Bekim Greiçevci & Shpend Limoni më 25 maj 2011 në ora 07:37

Express: Kemi dëgjuar këto ditë deklarata për ndarjen e Kosovës në Beograd dhe Prishtinë. Si i komentoni ju këto?
Cliff: Mendoj se është shumë e rëndësishme të theksohet se Qeveria britanike në asnjë mënyrë nuk e përkrah ndarjen e Kosovës. Jemi shumë të përkushtuar të përkrahim integritetin territorial të Kosovës. Kur Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ishte këtu, ai dhe Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westervelle, deklaruan se harta gjeografike e Ballkanit Perëndimor është e përcaktuar. Kemi kaluar 130 -140 vjet kohë duke rivizatuar hartat e Ballkanit, por kjo kohë tani ka kaluar. E dimë se gjithmonë do të ketë njerëz që duan ta shfrytëzojnë vullnetin për të rivizatuar hartat e Ballkanit Perëndimor. Ne mendojmë se kjo është kundërproduktive. Krejt rajoni duhet të lëvizë drejt integrimeve në BE, me kufijtë e tanishëm dhe kjo nënkupton edhe Kosovën.

Express: A do të pajtohej bashkësia ndërkombëtare me shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës - veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës - në mënyrë paqësore?
Cliff: Absolutisht nuk shoh asnjë mundësi të marrëveshjes aktualisht. Mendoj se është shumë spekulative, pavarësisht kësaj, mendoj se kjo do të vendoste një precedent të rrezikshëm në rajon. Unë kam qenë ambasador në Bosnjë dhe Hercegovinë për 4 vjet, ku si përvojë kam pasur një periudhë mjaft të vështirë me Republika Srpska, e cila kërcënonte me referendum rreth vendimeve të Gjykatës Supreme. Jam i lumtur të them që me intervenimin e Baroneshës Ashton ky rrezik aktualisht është zvogëluar. E dimë të gjithë se eksperienca e viteve 90’të tregon se loja me kufijtë e etabluar ndërkombëtarisht në këtë rajon është jashtëzakonisht e rrezikshme. Qeveria ime nuk do të jetë pjesë e kësaj.

Express: Pjesa përtej Ibrit nuk dëshiron të integrohet dhe e ka përkrahjen e Beogradit. Si mund të bëhet që ajo pjesë të qeveriset nga Prishtina?
Cliff: Mendoj se duhet një proces i gjatë politik. Mendoj se kjo është edhe arsyeja pse roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe Zyrës Ndërkombëtare Civile është shumë i rëndësishëm. Plani i Ahtisaarit ofron mundësinë e krijimit të një komune në pjesën veriore të Mitrovicës. Mendoj se kjo do të marrë kohë, ka disa probleme në veri, madje edhe derisa po flasim. Është shumë me rëndësi që t’i japim një mesazh Beogradit, të ashtuquajturave struktura paralele në veri se bashkësia ndërkombëtare beson në integritetin territorial të Kosovës. Plani i Ahtisaarit ofron një masë të madhe të autonomisë dhe të vetëqeverisjes dhe mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të punojmë në agjendën e decentralizimit, duhet të punojmë në planet për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore. Është shumë e rëndësishme që të punojmë me komunitetet në veri dhe kjo nuk është e lehtë, është një detyrë afatgjatë, por mendoj se ne të gjithë duhet t’i përkushtohemi këtij synimi në vend se të ndryshojmë drejtimin nga thirrjet e zërave të lartë zërave, që bëjnë thirrje për ndryshimin e rrugës nga njerëzit në Beograd, që në veçanti thonë të shikojmë ndarjen.
Sido qoftë ajo që është goditëse, unë kam folur me shumë njerëz kohëve të fundit, përfshirë edhe ata të komunitetit serb në Kosovë, që kanë thënë se mendojnë që bisedat për ndarjen janë shumë të rrezikshme.
Dhe mendoj se komuniteti serb në vendet si Graçanica , Kisha Ortodokse Serbe e cila ka një hise të madhe në vendet si Peja, Deçani dhe Graçanica, asnjëri prej tyre nuk dëshiron të shohë ndarjen e Kosovës . Mendoj se kjo është një çështje e rrezikshme të ngrihet dhe siç e thash qeveria britanike është mjaft e qartë. Ne duam të punojmë në integrimin e këtij rajoni duke u bazuar në kufijtë aktualë.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›