E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, kriteret për degët me konkurse

11/07/2011  Ndyshimi. Raporti i pikëve të konkursit me rezultatet e provimeve arrin në 70 me 30 për qind për fituesit

Udhëzimi, afatet dhe tarifa e regjistrimeve për konkurset e pranimit tek Artet

Pranvera Kola

Krahas rezultateve të arritura në katër testimet e maturës (dy lëndët e detyruara dhe ato me zgjedhje), kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta pranë akademive, qofshin këto sportive apo artistike, do të duhet t’u nënshtrohen edhe konkurseve specifike të pranimit, që do të zhvillohen në nisje të muajit shtator. Ndryshe nga sa ka ndodhur një vit më parë, për pranimet e 2011-s, bëhet me dije se ka ndryshuar raporti i peshës që do të kenë notat e provimeve, si dhe pikët e marra në konkursin e pranimit. Duke iu referuar ndryshimeve të bëra, mbi kthimin e katër provimeve të maturës si të detyrueshme për të vijuar garën për pranimet në universitet, pohohet se pikët e konkursit do të kenë 70 për qind të rëndësisë për caktimin e fitueseve, ndërsa ato të rezultateve të maturës 30 për qind. Ndërkohë që më parë ky raport ka qenë 80 me 20 për qind.

Artet

“Në të gjitha programet e studimit për artet rezultatet e shkollës së mesme llogariten në masën 30 për qind, ndërsa rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70 për qind. Me rezultatet e shkollës së mesme do të kuptohet nota mesatare e katër ose pesë viteve të shkollimit dhe katër provimet e Maturës Shtetërore”, thuhet në udhëzimin e shpallur mbi procedurat e regjistrimeve dhe pjesëmarrjes në konkurs për të gjithë maturantët që duan të vijojnë studimet e larta në një nga tri fakultete përbërëse të këtij institucioni. Konkursi do të zhvillohet në tri faza, duke filluar nga data 29 gusht deri më 2 shtator. Megjithatë, këta kandidatë duhet që më parë të kryejnë procedurën e regjistrimit pranë sekretarive përkatëse të fakulteteve, duke filluar nga data 16 gusht deri më 27 gusht. Tarifa e regjistrimit për këtë vit kap vlerën e 5 mijë lekëve. Në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni janë shpallur edhe programet, si dhe temat që duhet të përgatisin të gjithë kandidatët që do të marrin pjesën në këto testime. Sipas përcaktimeve të bëra, numri maksimal i pikëve të konkursit për të gjitha programet e studimit në Akademinë e Arteve, është 240 pikë. Nga ky total nxënësi duhet të mbledhë të paktën 60 pikë për t’u vlerësuar kalues në programin e përzgjedhur, çka i lejon atij që të vijojë procedurat e konkurrimit për pranimet.

Arkitektura

Rezultatet e konkursit do të jenë vendimtare edhe për kandidatët që do të duan të vijojnë studimet e larta në këtë degë. Testimi parashikon tri rubrika: vizatim në natyrë, vizatim teknik dhe kompozim, që janë specifika të degës së arkitekturës. Drejtuesit e fakultetit shprehen se kuotat e pranimit për vitin e ri akademik nuk pritet të kenë ndonjë rritje krahasuar me ato të një viti më parë, ku janë pranuar rreth 105 kandidatë. Kjo për vetë faktin se ambientet e pranimit janë të kufizuara. Seanca e parë e konkursit është “Eksterier ose interie”, e cila do të zhvillohet për katër orë me radhë. Studenti do të vizatojë me dorë të lirë një objekt arkitektonik, interierin ose eksterierin e tij. Kërkohet dhënia e raporteve vëllimore të ndërtesës dhe pjesëve të veçanta të saj. Deformimi që pëson ndërtesa si rezultat i pikës nga e shikojmë, raporti që ka objekti me ambientin përreth tij, si dhe përpunimi i formës dritë-hije. Seanca e dytë do të jetë vizatimi teknik. Në këtë seancë janë të rëndësishme njohuritë mbi vizatimin teknik, elemente të gjeometrisë deskriptive, gjeometrisë në plan dhe në hapësirë. Ndërsa seanca e fundit e konkursit ka të bëjë me kompozimin arkitektonik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›