E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga falimenti, “lirohen” 5 llogari bankare të Evsen

11/07/2011  Lirimi i shumave monetare, me kusht mbikëqyrjen nga një agjent i ministrisë

Punëtorët s’kishin marrë rrogat dhe nuk paguheshin taksat në shtet

TIRANE- Pesë llogari bankare, nga 15 të tilla që i janë bllokuar bosit të “Albania Airlines” nga njësia hetimore Task-Forcë, janë zhbllokuar me urdhër të Prokurorisë. Llogaritë bankare, që në vlera monetare arrijnë deri në rreth 50 mijë euro, do të administrohen nga menaxherët e kompanive të biznesmenit Ali Evsen, për pagesat e rrogave të punonjësve të kompanive, detyrimet në Tatim-Taksa, detyrimet me kredi, si dhe detyrimet financiare për ambientet dhe mjetet e tjera të mara me qira. Mësohet se në urdhrin e Prokurorisë për zhbllokimin e këtyre llogarive është caktuar dhe një agjent i Drejtorisë së Pastrimit të Parave, i cili do kryejë mbikëqyrjen e të gjitha transfertave të parave që do të kryhen nëpërmjet pesë llogarive, që tashmë u është hequr masa e sekuestros preventive. Burime pranë Prokurorisë thanë se gjatë periudhës së bllokimit të shumave monetare në banka, patën reagime nga menaxherët e kompanive, që sipas tyre në qoftë se disa llogari nuk do të liroheshin, atëherë pjesa më e madhe e bizneseve do të falimentonin. Pas një analize të bërë nga përfaqësuesit e grupit të hetimit, është rënë dakord lirimi i 5 llogarive, por me kushtin e mbikëqyrjes nga një agjent i Drejtorisë së Pastrimit të Parave pranë Ministrisë së Financave. Ndërkohë që për pasuritë e tjera të Ali Evsen masa e sekuestros preventive nuk është hequr dhe se pritet që shumë shpejt njësia hetimore Task-Forcë, të bashkëpunojë me autoritetet turke dhe spanjolle për hetimin e financave të shtetasit turk. Evsen u arrestua pak kohë më parë në Spanjë, pasi dyshohet për një sërë akuzash duke filluar nga korrupsioni dhe pastrimi i parave. Së bashku me të u ndalua dhe një shtetas egjiptian, mik i ngushtë i ish-Presidentit të Egjiptit Mubarak. Evsen dyshohet se ka dërguar miliona euro nga Shqipëria në drejtim të Egjiptit, para këtyre që nuk i dihet burimi se nga kanë ardhur. Momentalisht Ali Evsen hetohet në gjendje të lirë falë garancisë pasurore prej 18 milionë eurosh të deklaruara para gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›