E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutim draftit të rishitjes së mjeteve

11/07/2011  Mblidhet sot Këshilli Konsultativ i Biznesit. Diskutohet paketa fiskale 2011

Taksa për karburantet, 5 lekë/litër deri në dhjetor 2011 dhe 7 lekë/litër nga janar 2012

Kushdo që importon një makinë të përdorur nuk do të paguajë taksën doganore, por një taksë të re në momentin kur kryhet kontrolli teknik. Projektligji i ri për taksën e makinave mendohet të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti dhe efektet e tij do të fillojnë pas këtij muaji. Taksa e re që do të vendoset parashikohet të lidhet direkt me vjetërsinë e makinës. Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare - taksimi i makinave” dhe “Për taksat vendore - taksa e regjistrimit”, të cilat përfshihen në paketën fiskale të përgatitur nga Ministria e Financave do të diskutohen sot në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit.

Taksa e makinës

Detyrimi për pagimin e taksës vjetore të mjeteve i ka pronari i mjetit. Zbatimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të llogaritet sipas formulës: “Cilindrata në cm3*koeficienti sipas vjetërsisë*taksa fikse për llojin e karburantit”. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Diferencimi nga koeficienti fillestar fillon nga viti i katërt, kohë kur fillon aplikimi i formulës, duke përjashtuar nga ky detyrim makinat që kanë vjetërsi deri në 3 vjet. Ligji do të ketë efekt prapaveprues, çka do të thotë se do t’i nënshtrohen dhe ato automjete që e kanë paguar taksën doganore. E ardhura nga taksa, për çdo rast, do të mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Për mjete të cilat nuk kanë cilindratë, si tërheqës rrugor apo autokamp, nuk do të paguhet taksa e ambientit. Automjetet që kanë tre vjet përdorim përjashtohen nga pagesa e taksës vjetore e mjeteve të përdorura, sepse nuk sjellin ndotje mjedisore. Statistikat tregojnë se numri total i mjeteve të reja me 0 km të regjistruara gjatë vitit 2010 në DPSHTRR është 3 354 automjete dhe 1 986 motomjete. Nga llogaritjet e bëra, formula e taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të sjellë 4.1 miliardë lekë fitim në total, nga të cilat 3.1 miliardë lekë do të derdhen në buxhetin e shtetit, 5% do të shkojnë komision për DPSHTRR-në dhe 10% për buxhetin vendor. Sipas relacionit, ndryshime do të ketë edhe në taksën e qarkullimit. Taksa e re e qarkullimit do të jetë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë/ litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin.

Diskutimi i paketës fiskale

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka njoftuar se sot në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit do të diskutohet paketa e re fiskale, para se të kalojë për miratim në Kuvend. Diskutimet me grupet e interesit do të fokusohen në ndryshimet e bëra në ligjin “Për akcizën”, për “Taksat vendore – taksa e regjistrimit”, për “Tarifa PROJEKT këpucë veshjet”, dhe për “Taksat kombëtare - taksimi i makinave”, që përfshin mënyrën e pagesës së taksës doganore për makinat e importuar. Për secilën prej këtyre drafteve është kërkuar edhe paraprakisht mendimi i grupeve të interesit, të cilët kanë shprehur rezervat e tyre në lidhje me mënyrën se si është parashikuar vjelja e taksave nga qeveria. Industria me fason shprehet se heqja e tarifës doganore për veshjet e gatshme nuk do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv në biznesin e tyre. Madje edhe tregtarët me pakicë shprehen se ajo që rëndon ende mbi ta është kostoja e transportit dhe biletat e shtrenjta. Në Shqipëri operojnë biznese të shitjes me pakicë që paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total, si taksë doganore dhe TVSH. Në diskutim me fasonistët e veshjeve të gatshme, në stadin aktual në të cilin zhvillohet industria e konfeksioneve në Shqipëri si një industri fasoniste, bërja zero e tarifës doganore të produkteve të gatshme të veshjeve nuk ka ndikim në biznesin e tyre, po mund të ketë ndikim në planet e tyre të ardhshme të biznesit për të operuar në tregun vendas dhe në atë evropian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›