Matura, nesër "ngujohen" specialistët e Letërsisë
TIRANE- Specialistët e Letërsisë do të 'ngujohen' nesër në ambientet e AVA-s. Të përzgjedhurit do të nisin punën për hartimin e tezës së provimit të parë të Maturës 2010, që do zhvillohet më 1 qershor dhe do të dalin që andej vetëm ditën që do të zhvillohet provimi. Në mënyrë që të mos dalë sekreti i kombinimit të pyetjeve të testit final, ata do të ruhen edhe nga uniformat blu si dhe për gjatë një jave nuk lejohet të dalin nga këto ambiente. Provimi do të përmbajë rreth 25 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara ndërmjet atyre që kërkojnë përgjigje të argumentuara me shtjellim dhe pyetjeve me alternativa. Në programet shkollore të drejtimit të përgjithshëm për provimin e Letërsisë, Gjuha Shqipe, përfshirë edhe të shkruarit, zë 26 % të pyetjeve që do përmbajë testi, ndërsa Letërsia 74 për qind. Po në këtë linjë do të veprohet edhe për tezat e provimeve që do të hartohen për llojet e tjera të shkollave të mesme në vend. Tezat e provimit do të klasifikohen në varësi të llojit të shkollës së mesme që ka kryer maturanti. Në përzgjedhjen e kandidatëve fitues, që do të pranohen në universitete, rol do të luajë jo vetëm nota e arritur në të katër provimet, por dhe mesatarja e shkollës së mesme dhe llojet e koeficienteve. Për këtë mesatarja e shkollës së mesme si dhe notat e të katër provimeve (dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara) do të vlerësohen me 20% të numrit të përgjithshëm të pikëve të rezultatit final që mbledh secili prej aplikuesve. Ndërkohë që shkollat e mesme kanë nisur punën për përgatitjen e ambienteve ku do të zhvillohen provimet e maturës shtetërore.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)