E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet shkollore, përzgjedhja me votë të fshehtë

Përzgjedhja e teksteve me të cilat nxënësit do të mësojnë gjatë vitit të ri shkollor për herë të parë do të bëhet me votim të fshehtë nga mësuesit. Teksti që do të marrë më shumë vota do të përzgjidhet. Kjo është praktika më e re që do të ndërmarrë Ministria e Arsimit, për përzgjedhjen e librave shkollorë, për t’i dhënë fund kështu edhe abuzimeve që bëhen në shkolla me përzgjedhjen e tyre. Ky fakt bëhet i ditur nga drejtoresha e një prej gjimnazeve më të njohura në Tiranë, siç është ai “Partizani”, e cila shprehet se aktualisht në shkollat e mesme të kryeqytetit po përzgjidhen fillimisht tekstet nga mësuesit, ndërkohë ditën e djeshme ka nisur edhe fillimi i diskutimeve mes arsimtarëve për përzgjedhjen e librave shkollore. “Votimi bëhet i fshehtë. Ditën e diskutimit bëhet analiza e çdo teksti, kurse ditën e votimit secili voton sipas radhës të gjithë tekstet”, - pohon drejtoresha e gjimnazit “Partizani”, Luljeta Basha. Vitin e ardhshëm nxënësit e shkollave të mesme do të mësojnë me tekstet e reja. Një risi këtë vit është se për herë të parë nxënësit e klasës XII të gjitha tekstet do t’i kenë të reja. “Në klasën X është futur për herë të parë ‘Shkenca e tokës’, që nuk ka qenë asnjëherë. Kishte vite që ishte hequr ‘Teknologjia’, në Maturë është futur. E reja është ajo që quhet avancimet, që nuk i bëjnë gjithë shkollat, por vetëm ato që i zgjedhin. Tjetër e re është fakti që në vit të katërt bëhet një lëndë e quajtur ‘Shkenca’, që ka brenda elementë biologjie, kimie dhe fizike, por nuk ka më biologji, kimi, fizikë, të ndara veç”, - bën të ditur drejtoresha e shkollës së mesme “Partizani”. Sipas autoriteteve të arsimit, edhe këtë vit tekstet do të fillojnë të shpërndahen gjatë muajit gusht, një javë para nisjes së vitit të ri shkollor. Autoritetet e arsimit deklarojnë se këtë vit nuk do të ketë mungesë tekstesh, ndërkohë që ato do të shpërndahen sërish në ambientet e shkollave nga përfaqësuesit e shtëpive botuese. Përsa i përket skemës së subvencionimit, ajo do të jetë e njëjtë me një vit më parë, me përjashtim të fëmijëve romë, të cilët do t’i përfitojnë tekstet falas. Nga kjo skemë do të përfitojnë fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, apo fëmijët me aftësi të kufizuar, familje ku kryefamiljari ka pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›