E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, nuk shkurtohet kohëzgjatja e testimeve

10/03/2011  MASH: Maturantët do kenë dy orë kohë në dispozicion për provimet e detyruara dhe tri orë për ato me zgjedhje

Skadon sot afati për dorëzimin e formularit. Për zgjedhjet e pasigurta ankesë pranë drejtorive arsimore

Maturantët mund të rrinë të qetë, pasi koha e dhënies së provimeve të maturës nuk do të pësojë shkurtime, ndryshe nga sa ishte parashikuar. Autoritet e Ministrisë së Arsimit bëjnë me dije se tashmë është marrë vendimi se maturantët do të kenë në dispozicion dy orë të plota për provimet e detyruara (në lëndën e letërsisë dhe gjuhës shqipe e matematikës). Po ashtu është vendosur që për provimet me zgjedhje maturantët të kenë në dispozicion plot tri orë. Specialistët e arsimit konfirmojnë gjithashtu se vëllimi i pyetjeve që do të përmbajë teza e provimit do të jenë të tilla që maturantët të kenë kohë të mjaftueshme për të dhënë përgjigje për të tria nivelet e pyetjeve që do të ketë teza. "Të jenë të qetë të gjithë maturantët se nuk do të jetë më 1 orë e gjysmë, por do të jetë 2 orë provimi i detyruar dhe tri orë provimi me zgjedhje. Vëllim i pyetjeve do të jetë i atillë që të ketë kohë edhe maturanti i nivelit bazë, që ne ndonjëherë e quajmë të dobët, dhe maturanti i nivelit mesatar dhe ai që kërkon të marr notën më të lartë për të dhënë përgjigjet e duhura”, - ka pohuar gjatë ditës së djeshme specialisti në Ministrinë e Arsimit Ndriçim Mehmeti. Dita e sotme konsiderohet afati i fundit zyrtar i përcaktuar në rregulloren e provimeve të 2011-s për dorëzimin e dy formularëve A-1 dhe A-1Z të plotësuar, nëpërmjet të cilave kanë listuar dy lëndët që duan të japin si provime me zgjedhje. Megjithatë, në rast se maturantët do të ndihen të pasigurtë për zgjedhjet që kanë bërë dhe do të duan të rikorigjojnë ndonjë pasaktësi, pas ditës së sotme duhet të bëjnë ankesën përkatëse. Për këtë Mehmeti shpjegon se, nëse maturantët ndihen të pasigurt për zgjedhjet e tyre, mund të bëjnë ankimime në drejtoritë arsimore. "Janë udhëzuar drejtoritë arsimore rajonale, të cilat do ti dorëzojnë pas 10 ditësh, pasi të bëjnë verifikimet e nevojshme që tu vijnë në ndihmë maturantëve. Nuk ka ndër mend njeri në asnjë mënyrë të penalizojë një maturantë", - ka shtuar më tej Mehmeti.

Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin A-1. Çdo maturant mbetës, qoftë dhe në një nga provimet e detyruara apo me zgjedhje (D1, D2, Z1 a Z2), ka të drejtën e riprovimit të lëndëve në vitin e ardhshëm shkollor. Ai ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në arsimin e lartë publik vetëm pasi të ketë fituar katër provimet.

Provimet për lëndët me zgjedhje:

Anglisht Biologji

Ekonomi-filozofi Fizikë

Frëngjisht Gjermanisht

Gjeografi Histori

Spanjisht Italisht

Kimi Njohuri për shoqërinë

Provimi i letërsisë dhe gjuhës shqipe

Testi i letërsisë dhe i gjuhës shqipe përbëhet nga dy pjesë. Secila prej tyre ndërtohet mbi një fragment. Ai përmban 25 pyetje. Nga këto 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Testi ka 50 pikë. Kohëzgjatja e provimit është 2 orë.

Provimi i matematikës

Teza e provimit të dytë të detyruar në lëndën e matematikës do të përmbajë 25 pyetje. Nga këto 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Testi ka 50 pikë. Kohëzgjatja e provimit është 2 orë. Ndarja e pyetjeve në test do të bëhet sipas linjave të programit dhe peshës që zë secila linjë në programin e vlerësimit.

Provimet e lëndëve me zgjedhje

Testet që do të hartohen nga ekspertët për lëndët e zgjedhje do të përmbajnë 20 pyetje, të cilat do të jenë të kombinuara në sasi të barabartë ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre që do të kërkojnë shtjellim. Vlerësimi maksimal i testit do të jetë në vlerën e 40 pikë.

Urdhri i Infermierit: Kjo veprimtari ndikon direkt në cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve

Në institucionet mjekësore publike e private

punojnë infermierë të palicensuar

Vëzhgimet tregojnë se janë të shumta rastet e punësimit të jashtëligjshëm të infermierëve qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat. Kundrejt kësaj situate Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin se në institucionet tona mjekësore shtetërore e private punojnë infermierë të palicensuar, që do të thotë se ushtrojnë profesionin në mënyrë të paligjshme. “Edhe pse kanë kaluar tre vjet nga ngritja e këtij urdhri, në institucionet tona shëndetësore, qofshin këto publike apo private, punojnë infermierë të palicensuar, që do të thotë se ushtrojnë profesionin në mënyrë të paligjshme”, - konfirmon kreu i këtij urdhri Sabri Skënderi. Sipas tij, kjo gjë është e dënueshme, teksa ligji ngarkon me përgjegjësi edhe punëdhënësit që marrin dhe mbajnë në punë infermierë të palicensuar. Më tej Skënderi sqaron se kjo veprimtari ndikon direkt në cilësinë e kujdesit ndaj pacientëve, të cilët, duke mos njohur aftësitë e këtyre profesionistëve, pranojnë përkujdesje nga njerëz të paaftë dhe të paligjshëm. “Kjo është shkelje e ligjit dhe, si e tillë, është e dënueshme. Ne u bëjmë thirrje që të mos e pranojnë këtë kujdes dhe ti denoncojnë çdo rast të tillë pranë Urdhrit të Infermierit”, - bën me dije Skënderi. Lidhur me këtë fakt ai shton se kjo “gjë vjen nga paaftësia dhe mosnjohja e ligjit, ose bëhet për interesa të tjera, ku shpresojnë ta mbulojnë nga mbrojtja politike ose shoqërore, por mbi ligjin nuk ka fuqi tjetër, kjo të çon të paragjykosh dhe të mendosh për gjithçka”. Sipas tij, regjistrimi në UISH dhe marrja e lejes së ushtrimit të profesionit është një detyrim ligjor në bazë të nenit 5 të ligjit 9718, dt. 19.04.2007.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit vlerëson gjithashtu se krijimi i këtij institucioni është një risi pozitive në kuadrin e reformës shëndetësore në Shqipëri. Misioni i tij është ruajtja dhe rritja e standardit të kujdeseve infermierore si dhe mbrojtja e pacientëve nga kequshtrimi i profesioneve. Pak ditë më parë Skënderi ka kërkuar që ti jepet përparësi edhe përgatitjes së këtyre profesionistëve, duke ndryshuar kurrikulat, të cilat duhet të kenë bazë të mirëfilltë të këtij profesioni, në mënyrë që të shmangen tekstet e cunguara që janë përdorur deri më sot.

“Neni 5

Detyrimi për anëtarësi

1. Asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e infermierit, të mamisë apo fizioterapeftit në Republikën e Shqipërisë pa qenë anëtar i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë.

2. Punëdhënësit e institucioneve shëndetësore, publike dhe private, të shërbimit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretësor, ndalohen ti punësojnë ata në kundërshtim me këtë dispozitë.”

Fakulteti Histori-Filologji

Doktoratura, fituesit pas 15 marsit

Komisionet e ngritura pranë departamenteve përkatëse të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë kanë marrë në shqyrtim tashmë dosjet e regjistruara për pranimet në ciklin e tretë të studimeve të doktoraturës. Sipas afateve të përcaktuara, vlerësimet e dosjeve të depozituara do të përfundojnë gjatë javës së ardhshme, kohë në të cilin Këshilli i Profesorëve do të aprovojë listën e të përzgjedhurve për secilin program në varësi të kuotave të aprovuara për to. Studimet e doktoraturës pranë këtij fakulteti do të ofrohen në 7 programe të caktuara, ku përfshihen dega e historisë, shkenca komunikimi dhe informimi, marrëdhënie ndërkombëtare, trashëgimi kulturore dhe arkeologji, gjeografi, kërkime gjuhësore si dhe studime letrare. Mesatarja do të jetë kusht për përzgjedhjen e fituesve, pasi fluksi i kërkesave ka rezultuar të jetë më i lartë se numri i kuotave të miratuara për këtë institucion të arsimit të lartë. Gjithashtu rregullorja konfirmon se për njohuritë mbi gjuhën e huaj do të komunikohet në një fazë të dytë. Tashmë janë përcaktuar edhe tarifat e studimeve që do të paguajnë të përzgjedhurit. Tarifa e shkollimit për të gjitha degët do të jetë 204 600 lekë. Derdhja e kësaj pagese do të ndahet në tri këste sipas ciklit të studimeve. Ndërsa për programet që zgjasin dy vjet tarifa do të paguhet në dy këste. Për ciklin trevjeçar për secilin nga tri këstet kandidati i shpallur fitues do të paguajë tarifën vjetore prej 68 200 lekë. Ndërsa për studentët e doktoraturës që e kanë programin 2-vjeçar, e njëjta pagesë do të ndahet në dy këste, të cilat do të paguhen gjatë dy vjetve të ndjekjes së studimit në masën 102 300 lekë. Pas shpalljes së fituesve strukturat përgjegjëse të fakultetit do të detajojnë nisjen e programit mësimor për secilin profil. Sikundër është konfirmuar tashmë, të gjithë kandidatët që u nënshtrohen studimeve të doktoraturës në përfundim do të duhet të mbrojnë edhe gjuhën angleze pranë një institucioni të certifikuar ndërkombëtar, në të kundërt do të rrezikojnë marrjen e titullit përkatës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›