E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetë dhe dashuri

10/03/2011  Nga nesër, romanca është e gjallë në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës. Dashuria është në ajër dhe pranvera po vjen!

“Jeta dhe Dashuria” duket se bashkojnë të gjithë.

“1+1: Jetë dhe Dashuri”, kështu titullohet ekspozita që do të çelet ditën e premte dhe që përmban punime artistike të krijuara nga të rinjtë dhe u drejtohet po të rinjve.

“Në muze, ne kemi punuar me artistë të rinj për të gjetur mënyra të reja për të shprehur një ndjenjë që është e vjetër sa njerëzimi. Ekspozita jonë është fokusuar tek punimet artistike të të rinjve dhe më pas për të nxitur njerëzit që të shprehin dhe shkruajnë ndjenjat e tyre të sotme”, vërejnë muratorët e ekspozitës, Enver Kushi, Fatmir Boshnjaku, Entela Kasemi dhe Sali Kadria.

Duke përmendur fjalët e njërës prej artisteve pjesëmarrëse, ata duan të theksojnë se ajo që lëviz është koha, por jo ndjenjat.

“Më pëlqen ndjenja e vjetër e fotografisë bardh e zi. Duket romantike, por a ishte dashuria dikur kështu? Unë mendoj se atëherë jeta ishte e vështirë dhe njerëzit bënin më tepër për dashurinë. Tani njerëzit bien në dashuri dhe nga 5 herë në javë!”, vëren ajo.

Ekspozita “1+1: Jetë dhe Dashuri” është pjesë e një projekti të njëkohshëm; ajo është njëra nga ekspozitat e organizuara nga Rrjeti Ballkanik i Muzeve (Muzeu Kombëtar i Beogradit, Muzeu i qytetit të Novi Sadit, Muzeu Kombëtar i Sarajevës, Muzeu i qytetit të Zenicës, Muzeu i Banja Lukës, Muzeu Kombëtar i Maqedonisë, Muzeu i Prishtinës, Muzeu i Gjakovës, Muzeu i Cetinjës, Muzeu Historik Kombëtar i Tiranës, Muzeu Historik i Shkodrës dhe Trashëgimia Kulturore pa Kufij. “1 + 1: Jetë dhe Dashuri" sjell së bashku njëmbëdhjetë muze nga gjashtë vende të Ballkanit, si e para veprimtari e përbashkët e këtyre muzeve të Ballkanit Perëndimor.

Iniciuar nga fondacioni suedez “Trashëgimi kulturore pa kufij” që trajton të njëjtën temë dhe çelet në të njëjtën ditë dhe orë, numri 11 ka padyshim domethënien dhe simbolikën e vet. Ai bashkon 11 muze dhe 11 ekspozita që çelen më datë 11 të vitit 2011. Ideja e një ekspozite me një tematikë të përbashkët ka lindur tre vjet më parë, kur punonjës të këtyre muzeve duke u mbështetur në frymën e bashkëpunimit dhe pajtimit, vendosën të punojnë së bashku. Me këtë ekspozitë është mundësuar komunikimi përmes lidhjes në internet e 11 ekspozitave në 11 muze të kryeqyteteve dhe qyteteve kryesore ballkanike.

Kjo ekspozitë synon edukimin e të rinjve përmes veprimtarive ndërvepruese dhe performancave të ndryshme ku secili të ketë mundësinë që të jetë pjesë e saj dhe së bashku të ndajmë momente të këndshme duke e bërë muzeun një vend tërheqës.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›