E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, përcaktohen koeficientët e llojit të shkollave të mesme

11/05/2009  Kategorizimi sipas 10 profileve të ndryshme të shkollave

Hartohet lista me koeficientët për llojin e shkollave të mesme që do të përfshihen në provimet e maturës shtetërore për pranimet në universitet gjatë vitit akademik 2009–2010. Publikimi i llojit të koeficientit për secilin profil të shkollës së mesme pritet të bëhet në fillim të muajit qershor, kur maturantëve do t’u shpërndahet edhe formulari i preferencave. Burime pranë Ministrisë së Arsimit bëjnë të ditur se profili i shkollave të mesme do të identifikohet me një koeficient të caktuar, çka përjashton mundësinë e vendosjes së koeficientit të njëjtë për të gjitha shkollat. Koeficientet do të jenë të ndryshëm sipas llojit të shkollës; përkatësisht janë 10 tipa shkollash të mesme të përgjithshme, si: profili i përgjithshëm, natyror, shoqëror, shkolla teknike ekonomike 5-vjeçare, teknike profesionale 5-vjeçare , social-kulturore e gjuhëve të huaja, social-kulturore artistike dhe sportive, social-kulturore pedagogjike (4-vjeçare) me kohë të shkurtuar, si dhe tekniko-profesionale me kohë të shkurtuar. Konkretisht për kategorizimin e shkollave të mesme çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4 . (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Në ndryshimet e bëra për këtë vit pohohet se shkollat e mesme të profilizuara do të hyjnë në garën e pranimeve në universitet për vitin që vjen me koeficientë më të lartë. Kjo veçanërisht për llojin e shkollave të mesme teknike apo ekonomike. Shpërndarja e formularit A-2, ku maturantët do të listojnë sipas rendit zbritës dhjetë degët ku duan të vijojnë studimet e larta. Megjithatë, ekspertët e maturës shtetërore kanë pohuar se plotësimi i këtij formulari është mirë të bëhet pasi nxënësit të mësojnë rezultatet e arritura në provimet e detyruara. Kjo me qëllim që maturantët të kenë mundësi të bëjnë vetë llogaritjet paraprake për degët në të cilat kanë më shumë probabilitet për t’u shpallur fitues. Ndërkohë në këtë hark kohor do të mësojnë edhe llojet e koeficientëve të shkollave të mesme.

Som. lart

Provimet e maturës për vitin e ardhshëm akademik do të startojnë me lëndën e letërsisë, që do të jepet më 2 qershor, për të vazhduar me matematikën, provimi i së cilës do të jepet më 11 qershor. Ndërsa provimet me zgjedhje do të jepen në një ditë të vetme në të gjitha shkollat e mesme të vendit, përkatësisht më datën 10 korrik. Renditja e kandidatëve fitues edhe për këtë vit do të bëhet në të njëjtën procedurë, pas nxjerrjes së rezultatit final të përllogaritjes së pesë komponentëve përbërës të maturës.

Kategorizimi

Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficientë, nga 1.0 deri në 1.4 . (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Gjithashtu çdo degë e shkollës së lartë ka shpallur propozimet edhe për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat do të kenë dy lloje koeficientësh në dispozicion nga 1.0 në 1.3. Këta koeficientë tashmë janë miratuar edhe nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.

Ndryshimi i koeficientit

“Për të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005–2006, 2006–2007, 2007–2008 dhanë provimet me zgjedhje, por nuk figurojnë si studentë, rezultatet e arritura prej tyre në këto provime ruhen edhe në vitet në vazhdim. Kjo edhe në rastin kur nxënësi është cilësuar kalues vetëm në njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën). Për ruajtjen e rezultatit, në pranimet e këtij viti, në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë–preferencë për këtë lëndë merret koeficienti i vitit të shkuar.

Renditja e degëve për fituesit

Procedura që duhet të ndiqet për preferencat

Për të fituar të drejtën e pranimit në shkollat e larta, çdo maturant duhet të plotësojë formularin A-2 origjinal. Ky formular është i personalizuar dhe unik për secilin nxënës. Sipas specialistëve hartues të programit të maturës, këshillohet që plotësimi i formularit të bëhet pasi nxënësit të jenë njohur me rezultatet e arritura në provimet e detyruara, sepse vetëm në këtë rast do të jenë në gjendje të bëjnë vetë llogaritjet për të renditur ato degë që mund t’i bëjnë fitues. “Para se të renditni preferencat, duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara gjuhë-letërsi dhe matematikë. Pas kësaj konsultohuni me guidën e maturës shtetërore 2008 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë dhe do keni një ide se çfarë programe studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve. Pas kësaj formoni një listë ku programet e studimit i renditni jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që ju keni për të fituar në këto preferenca. Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që preferoni më shumë dhe e dyta ajo që preferoni, nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Nëse nuk keni 10 preferenca, kutitë mund t’i plotësoni me tri “0”, - pohojnë specialistët e Ministrisë Arsimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›