E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë mes komedisë dhe dramës në Omonia

Emigrantët

JAKUP.B.GJOçA

Ditën e diel, më 23 maj, nga ora 10 e mëngjesit po grumbulloheshin disa shqiptarë në sheshin “Omonia”. Disa sollën edhe altoparlantë të mëdhenj.

Kjo tërhoqi vëmendjen e dy-tre emigrantëve, të cilët iu drejtuan atyre që i sollën.

-Përse i sollët këto? Nuk do të flisni për politikën e Shqipërisë në “Omonia”.

-Kush të pyet ty. Ne kemi marrë leje nga policia greke dhe do të organizojmë mitingun tonë.

-Po kush jeni ju që do të na flisni për politikanët e Shqipërisë në “Omonia”? Unë paguaj për vite të tëra taksat e qeverisë greke, e tani jam i papunë. Më dëgjon? I papunë muaj të tërë. E nuk kam bukë të ha me familjen time këtu në Athinë. A del sot me mua të demonstrojmë për papunësinë?

-Lena rehat. Unë jam i lidhjes së punëtorëve emigrantë e nuk më intereson nëse je i papunë ti.

-Jo, or jo. Nuk të lë unë të flasësh këtu në “Omonia” për hajdutët politikanë shqiptarë, që na kanë katandisur ne shqiptarët si korba nëpër botë.

-Shoqata e punëtorëve emigrantë shqiptarë bën edhe politikë këtu në Greqi. E sot do të flasim për trazirat politike, për transparencën politike në Shqipëri. Unë jam Tahir Mici, kryetari i lidhjes të punëtorëve, dhe do të flasim sot për transparencën politike e demokracinë në Shqipëri.

-Ku të ha e të pi këtu? E ti më thua të merakosem pse Rama nuk merr pushtetin?

-Po të vini e të flisni për hallet e emigrantëve, do të biem edhe 1000 të tjerë.

-Te parlamenti grek do të bëjmë demonstrim pas 15 ditësh. Sot do të flasim për politikën shqiptare- iu përgjigj Tahiri.

-Edhe pas 15 ditësh, po për politikën shqiptare do të bëni përballë parlamentit grek?

-Jo, aty do të demonstrojmë për ligjin e emigracionit- iu përgjigj Tahir Mici.

-Po pse për ligjin e emigracionit do të mblidheni pas 15 ditëve, e jo tani?

-Qesh gjithë bota me ne këtu që bërtasim në mes të “Omonia”-s. Shikoni si na bëjnë sehir grekët.

-Nuk të lëmë fare të flasësh për politikë. Do të rrihemi, po fole.

-Marr policinë greke dhe bëj miting pa ju- iu kërcënua Tahiri emigrantit që e pengonte.

-Po për kë do të flasësh ti, po të na ndjekë ne policia greke?

- Spiunë i policëve grekë do të bëhesh ti?

-Po nuk duan shqiptarët që të mos flasësh për politikën shqiptare në “Omonia”, mos i thirr policët grekë.

-Lëri të flasë, se kështu do ta kalojnë gjithë ditën.

-Po ke marrë leje për të fol për politikën shqiptare, ik e fol edhe ti para parlamentit shqiptar, e jo këtu në “Omonia”. Po je burrë, hajde të demonstrojmë që nuk na japin të drejta ne emigrantëve. Të demonstrojmë që qeveria greke nuk na rinovon dokumentet.

-Të ka qarë hallin Edi Rama ty e mua që kemi mbet rrugëve të Greqisë, të pabukë, të pa dokumente?

-Kush demonstron për politikë shqiptare në “Omonia” është antishqiptar, sepse u dëftojmë edhe botës sa të pademokratë jemi.

Diku pashë edhe disa emigrantë që janë të organizuar në degë partie këtu në Athinë. Ndiqnin sherrin, pa guxuar as të ndërhynin, dhe as të debatonin. Veçse, thërrisnin dikë, i thoshin diçka dhe e dërgonin që t'i përcillte porositë Tahir Micit.

Derisa kishin mashë, përse t'i djegin ata duart...

Nga sherri filloheshin të dëgjoheshin edhe kërcënime. Dikush pa që unë po mbaja shënim dialogët e sharjes e të sherrit, dhe filloi të më bërtiste mua që isha spiun i... socialistëve. Kur guxova dhe nxora edhe fotografi, teksa shqiptarët emigrantë i demonstronin forcën njëri-tjetrit e shtyheshin si demat në arenë, një tjetër erdhi dhe më akuzoi që jam spiun i Saliut.

Në një cep të “Omonia”-s, tre policë, midis tyre edhe një oficer me tre yje në grada, po ndiqnin me vëmendje sherrin e grindjen e emigrantëve shqiptarë midis tyre.

Dikur ndaloi pranë tyre edhe një grua. I pyeti policët grekë, nga e folura ishte greke, se përse bërtet me të madhe ajo turmë në sheshin e “Omonia”-s.

-Zihen me njëri-tjetrin për politikanët e tyre në Shqipëri.

-Po ju përse i lini të bërtasin që në mëngjes në “Omonia”?

-ç'të bëjmë? Akoma nuk kanë prishur rendin. Nuk kanë shkaktuar dëme.

-Po ja që bërtasin, kjo nuk ju shqetëson ju policëve?

Policët nuk iu përgjigjën grekes, dhe u munduan të mbanin të qeshurën, duke parë nga turma e shqiptarëve.

Gruaja i pa që policët qeshën, dhe u zemërua nga ata që bënin akoma sehir.

-Dhe pastaj ne grekët ankohemi përse nuk na vijnë turistët në Athinë. E shikoni? Na bërtasin shqiptarët mëngjes për mëngjes m'u në “Omonia”-n tonë, e ju policët u bëni sehir e qeshni- u tha gruaja dhe iku.

-Mirë u tha- folën edhe dy qytetarë të tjerë që dëgjuan gruan greke.

-Përse qeshni e u bëni sehir shqiptarëve që bërtasin në “Omonia”?

Oficeri grek nuk e prishi terezinë, e vazhdonte të fliste me radiomarrëse.

Ndërkohë Tahir Mici u afrua pranë oficerit grek me tre yje në grada.

-Zoti polic, mund të na ndihmoni t'i largojmë ata emigrantë shqiptarë që na pengojnë të mbajmë fjalimin tonë?- i kërkoi ndihmë Tahiri oficerit polic grek.

- Unë të të ndihmoj që të flisni ju? Ik fol, se këtu jemi ne- iu përgjigj oficeri i policisë greke Tahir Micit.

-Po ne kemi marrë leje nga policia që ta mbajmë këtë miting.

-Dhe kush ju pengon? Që ju ziheni me njëri-tjetrin, të ndërhyjmë ne?- ia kthen oficeri polic Tahirit.

Tahiri u largua. Turma u acarua edhe më shumë.

Dikur Tahir Mici mori mikrofonin e filloi të fliste. Asnjë fjalë për politikën shqiptare.

Turma , shumë-shumë 40-45 veta, heshti çuditërisht.

Folësi Tahir Mici nuk foli asnjë fjalë për politikë e transparencë në Shqipëri. Disa e duartrokitën, dikur.

E megjithëse Tahir Mici deklaroi që është kryetari i lidhjes të punëtorëve emigrantë dhe shoqata e tyre është ligjësuar në Greqi që nga viti 1999, prapëseprapë nuk foli asgjë për ligjin e ri të emigracionit. Dhe natyrisht asgjë që mundon dhe vështirëson hallet e emigrantëve në Greqi. E, ca më pak, nuk u fol asgjë se si mund të reagojnë e të kërkojnë të drejtat e tyre emigrantët në Greqi.

Dhe është e kuptueshme që foli vetëm një Tahir Mici. Shqiptarët, shumë-shumë 40-45 veta, u grindën, u shanë, u shtynë me njëri-tjetrin aty në sheshin e “Omonia”-s për më shumë se 50 minuta për të dëgjuar... Përfundimisht, Tahir Mici nuk u tha asgjë nga ato që vuajnë emigrantët në Greqi.

Disa, që rrinin gati të ndërhynin po të dëgjonin ndonjë fjalë politike nga goja e folësit, u qetësuan sa e mbylli mikrofonin Tahiri.

Të tjerë, të revoltuar, iu sulën Tahirit të zemëruar.

-Pse fole ndryshe?

-Po ti nuk fole për asgjë nga ato që kishim diskutuar e folur bashkërisht.

-Ku të flisja? Nuk e pe që ishin gati për të më rrahur ata?- u justifikua Tahiri.

-Po a nuk u mblodhëm për të folur për transparencën politike në Shqipëri?

-Po ku të flisja? Kush do të më linte po të flisja ato që kishim përgatitur?- mundohej që të shpjegohej Tahiri.

-Uniteti i shqiptarëve u çor edhe një herë sot në “Omonia”. E patë!!! U grindën, u shanë, u shtynë me njëri-tjetrin për më shumë se një orë për politikanët tanë në Shqipëri- tha një burrë i moshuar, që ndoshta nuk ishte i asnjërës palë kundërshtare politike.

-Nuk shikojmë hallin tonë, që kemi mbet të papunë, e qeveria greke nuk po na rinovon më dokumentet, po i ha meraku i pushtetit të Ramës e të Salës- shtoi bashkëbiseduesi.

Dhe të dy shqiptarët e moshuar, ashtu kokulur e të zhgënjyer u larguan nga turma e shqiptarëve që akoma ndanin sherrin e fjalës e të mosfjalës në sheshin e “Omonia”-s, duke bërtitur kush më shumë nga tjetri.

ATHINë, 23 maj 2010

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›