E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shqiptare trajnon kolegët afganë

20/07/2011  Për herë në parë në historinë e uniformave blu. Berisha: Është arritje madhore

Kryepolici: Misioni i 4 oficerëve është këshillimi dhe trajnimi

TIRANË- Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në kuadër të kontributit të vendit tonë në NATO, do të dërgojë në Afganistan një grup ekspertësh të Policisë së Shtetit. Për herë të parë Policia e Shtetit do të jetë jo vetëm implementuese e standardeve dhe praktikave më të mira bashkëkohore, euroatlantike, por edhe përçuese e këtyre praktikave në organizatat policore të vendeve të ndryshme ku NATO shërben në kuadër të misionit të saj. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij evenimenti, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, u organizua dhe zhvillua ceremonia e rastit për përcjelljen e 5 ekspertëve të Policisë së Shtetit shqiptar, që do të shkojnë në Afganistan, përkatësisht: Kryekomisar Bardhyl Hënaj, Kryekomisar Biordi Shehu, Komisar Ergys Lala, Nënkomisar Artur Prifti, Nënkomisar Fatmir Varfi. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se “Misioni dhe detyra e punonjësve tanë të policisë në Misionin Trajnues të NATO-s në Afganistan do të jetë këshillimi dhe trajnimi i punonjësve të policisë afgane në drejtim të zhvillimit të koncepteve të drejtimit dhe menaxhimit të personelit, si dhe të komunikimit, në mënyrë që të zhvillohet një forcë policore kombëtare sa më profesionale. Duke përshëndetur ceremoninë, Kryeministri, z. Sali Berisha, u shpreh se “Sot ne përcjellim një grup prej 5 oficerësh në një detyrë jashtëzakonisht të rëndësishme, detyrën e trajnimit të policisë afgane. Ky është misioni i parë paqeruajtës i Policisë së Shtetit shqiptar dhe kjo përbën një arritje madhore. Kjo vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje të efektivit të Policisë së Shtetit në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës, veprimtarisë dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Zv/ambasadorja e SHBA-së, zj. Deborah A Jones, duke evidentuar rëndësinë e këtij procesi u shpreh se “Jam shumë e nderuar që marr pjesë në këtë pritje për të vlerësuar ekipin e parë trajnues të Policisë së Shtetit shqiptar, që do të trajnojë e zhvillojë policinë në Afganistan, pasi trajnimi është një përbërës thelbësor i departamentit profesional të policisë. Në përfundim të ceremonisë të pranishmit u përshëndetën nga Përgjegjësi i grupit të ekspertëve, Kryekomisar Bardhyl Hënaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›