Matura, të dhënat e maturantëve sot në AVA
TIRANE- Komisionet e matures pritet t'i dorëzojnë sot zyrtarisht Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) të dhënat e formularëve të plotësuar nga maturantët e shkollave të vendit, pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore 2009.
Me përmbylljen e këtij procesi, MASH do të miratojë më 1 prill formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë), plotësimi i të cilit duhet të bëhet nga maturantët deri më 30 Qershor.
Me mbarimin e mbledhjes së të dhënave të maturantëve, pritet të përcaktohet edhe fondi i pyetjeve prej të cilave do të përzgjidhet teza përfundimtare për secilin nga provimet e maturës shtetërore.
Fillimisht do të nisë puna për hartimin e testeve ,që do jenë për dy provimet e detyruara, ku edhe për këtë vit një numër i caktuar specialistësh do të "ngujohen" në AVA për të formësuar modelin përfundimtar të tezës së provimit.
(ATSH/BalkanWeb)