Matura, të sëmurët me sëmundje ngjitëse, në klasa të posaçme
Maturantët që do të jenë me sëmundje ngjitëse në ditët e provimeve të Maturës Shtetërore, do t`i japin këto provime në klasa të ndryshme nga pjesa tjetër. Kjo u bë e ditur dje për “standard” nga burime nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës, të cilat theksuan se një masë e tillë është e nevojshme, duke marrë shkas nga një precedent i Maturës së parë Shtetërore, kur dy studente me hepatit morën pjesë në provime. Dhënia e provimeve në një klasë të veçantë do të bëhet vetëm për studentët që raportojnë vetë se janë të sëmurë apo për ata që mësuesit janë në dijeni, pasi nuk ekziston në rregulloren e maturës paraqitja e kartelës shëndetësore gjatë provimeve.
“Klasat e veçanta do të jenë vetëm për ato raste, kur maturantët kanë sëmundje ngjitëse”, – u shpreh për “standard” inspektori i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës. Sipas tij, këto klasa do të jenë në të njëjtën godinë ku do të japin provimet edhe maturantët e tjerë, por në to do të lejohet të futen vetëm administratorët e provimeve dhe maturantët me hepatit apo sëmundje të tjera ngjitëse të këtij lloji. Arsyeja e një veprimi të tillë është mbrojtja e maturantëve nga rreziku i infektimit prej bashkëmoshatarëve të tyre.
Sëmundjet ngjitëse, të cilat mund të përhapen me anë të frymëmarrjes, do të jenë në qendër të kësaj mase mbrojtëse nga ana e administratorëve të testit. Kjo, pasi këto sëmundje mund të transmetohen thjesht me anë të frymëmarrjes dhe prej tyre mund të sëmuren të gjithë maturantët, pasi mjediset e provimeve të Maturës janë të vogla dhe të mbyllura.
Burime nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Tiranës bëjnë të ditur se rregullorja e Maturës Shtetërore nuk ka parashikuar që studentët të kenë me vete në ditën e provimit një kartelë shëndetësore. Kjo e bën më të vështirë për administratorët dallimin e të sëmurëve. Në këtë mënyrë, në këto klasa të posaçme do të hyjnë vetëm ata maturantë që do të raportojnë vetë që janë të sëmurë, si edhe ata maturantë për të cilët administratorët janë në dijeni. Inspektorët e DART-it theksuan se Ministria e Arsimit do të duhej të ishte më e kujdesshme dhe të kishte përfshirë edhe kartelën mjekësore në dokumentet që duhet të paraqiten, në mënyrë që të sigurohet shëndeti publik. Ndoshta vitin e ardhshëm kjo pikë do të përfshihet në rregulloren e Maturës.
Rregullorja e Maturës Shtetërore në vetvete përcakton vetëm detajet teknike dhe administrative për mbarëvajtjen e provimeve të Maturës Shtetërore. Në këtë mënyrë, në të janë të përfshira rregulla që kanë të bëjnë me transparencën e provimeve dhe moskopjimin apo favorizimin e disa maturantëve, për të arritur barazi përpara testimit. Por, në këtë rregullore nuk janë të përfshira aspekte humane, si problemet shëndetësore që mund të kenë maturantët.
Krijimi i klasave të veçanta për të sëmurët me sëmundje ngjitëse erdhi si pasojë e një precedenti në Maturën e parë Shtetërore, kur dy maturante ishin të sëmura me hepatit A. Mësuesit, të cilët ishin në dijeni se dy vajzat kishin ardhur nga spitali për të dhënë provimet, i “izoluan” ato në një klasë të posaçme derisa përfunduan provimet e Maturës.