E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët ; Më 25 maj nisin konsultimet për provimet e detyruara



Maturantët shqiptarë do t'u nënshtrohen konsultimeve për një javë, 25-29 maj, për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ndërkohë konsultimet për provimet me zgjedhje do të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara. Nga ana tjetër, drejtoritë arsimore pritet që brenda datës 25 maj të dorëzojnë pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit të shkollave të mesme, me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore. Burime nga AVA konfirmojnë se tashmë është përcaktuar stafi që do të merret me hartimin e tezave përfundimtare për provimet e detyruara të maturës, gjatë muajit qershor. Ndryshe nga provimet e vitit të shkuar, për 2009-n gara e provimeve përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këtë profil akademik do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit, me përjashtim të degës së arkitekturës, për të cilën do të jepen edhe lëndët me zgjedhje. Bazuar në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t’i atribuohet mesatares së shkollës së mesme.

Matura Shtetërore

Profesionalet, provim edhe në lëndën e formimit praktik

Maturantët e shkollave të mesme artistike, koreografike, sportive, të seksioneve dygjuhëshe dhe të shkollave teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare, përveç dy provimeve të detyruara, do të japin edhe provim për lëndën e formimit praktik profesional. Ky është provim shkollor në specialitet dhe nuk bën pjesë në llogaritjet e pikëve për pranimet në shkollat e larta. Ndërkaq, nxënësit maturantë të shkollave profesionale dhe social-kulturore, të cilët nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin vetëm dy provime: provimin e detyruar; matematika për shkollat profesionale dhe letërsia për shkollat social-kulturore, si dhe provimin shkollor të formimit praktik profesional. Në përfundim të dy provimeve, nxënësi pajiset me dëftesë pjekurie. Kategoria tjetër e nxënësve të këtyre shkollave, që duan të ndjekin studimet e larta pranë fakulteteve publike gjatë vitit të ardhshëm akademik, do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura, si dhe maturantët që kanë mbaruar pranë shkollave të tjera të mesme të përgjithshme. Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare, provimet përfundimtare janë: formimi teorik profesional, si dhe formimi praktik profesional.

Bashkia Tiranë

Marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Barcelonës

Bashkia e Tiranës do të bashkëpunojë me Bashkinë e Barcelonës në Spanjë për promovimin e zhvillimit institucional dhe modernizimin e shërbimeve bashkiake. Për Bashkinë e Tiranës marrëveshja u nënshkrua nga nënkryetarja e këtij institucioni, Albana Dhimitri, ndërsa për Bashkinë e Barcelonës nga homologu i saj, Carles Marti. Bashkëpunimi, sipas marrëveshjes, synon përmirësimin e shërbimeve kryesore publike, sikurse dhe inkurajimin e zhvillimit teknologjik. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Dhimitri, u shpreh se "tashmë kemi një partner në transformimet urbane, një partner i cili është një model ndërkombëtar për sa u përket zhvillimeve urbane". Ndër prioritetet tona, - vijoi ajo, - janë vlerësimi i hapësirave publike, rikualifikimet urbane, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, krijimi i poleve në të gjithë qytetin, ku grupe të caktuara të shoqërisë do të kenë pjesën e tyre. “Do të ketë një eksperiencë dhe një shkëmbim mendimesh dhe idesh nga Bashkia e Barcelonës, që ka shënuar një risi në të gjitha zhvillimet urbane dhe sidomos në rivitalizimin e zonave të caktuara", - tha ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›