E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klithma e liqenit



Peshkatarët amatorë mund të jenë të vetmit të gëzuar gjatë këtyre ditëve. Për të shtatën ditë radhazi, peshqit kanë dalë në sipërfaqe në përpjekje për t`u larguar nga zona e ndotur e liqenit. E ndërkohë që ndotja është duke u tërhequr sipas Institutit të Shëndetit Publik, ndodhia e pak ditëve më parë ka ngritur një pikëpyetje të qenësishme: Si mund të mbrojmë oazin e vetëm të kryeqytetit shqiptar, nga situata të ngjashme?

Liqeni i Tiranës nuk është rastësisht i ndotur, sipas ambientalistëve dhe banorëve. Ndërhyrjet në zonën përreth, pra në zonën ku liqeni “merr ajrin e tij”, janë shkaktarët kryesorë të kësaj situate. Ambientalisti Lavdosh Ferruni na thotë se liqeni nuk ka qarkullimin e mjaftueshëm të ujit, për shkak të betonizimit nga të gjitha anët e tij, duke nxjerrë në pah problemin real të këtij oazi.

Problemi

“Edhe nëse do të hidhej diçka tjetër në liqen, prapë do të ndotej, sepse uji vonon të qarkullojë”, – na thotë hidrotekniku në pension, Dhimitër Qorri. Përgjatë bregut të digës rreshtohen një sërë minipompash thithëse të ujit, që kurrsesi nuk mund të mënjanojnë vëllimin e madh të ujit në Liqenin Artificial të Tiranës. Ky problem, që shuhet sa herë liqeni nuk përbën më lajm, është jetik për të. Çdo verë, niveli i ujit të liqenit ngrihet ndjeshëm, duke rrezikuar rikthimin e skenave të vitit 2002, kur u mbyt një pjesë e mirë e kryeqytetit.

“Në të gjitha rastet, problemi i Liqenit Artificial është pikërisht mungesa e qarkullimit të ujit ose më mirë, mungesa e prurjes së re të ujit dhe nxjerrjes së ujit të këtushëm. Për mendimin tim, kjo siguron që jo vetëm të mos rrezikohemi nga ndotja, pasi ajo mënjanohet nga vetë sistemi i qarkullimit të ujit, por edhe përmbytja e liqenit që lutemi çdo fundvere të mos ndodhë, nuk përbën më rrezik”, – thotë z. Qorri.

Masat afatgjata

Ndër masat e vendosura pak ditë më parë nga prefektura ishte edhe hapja e një kanali për kalimin e ujit nga Liqeni Artificial i Tiranës, në liqenin e Farkës, çka do të mundësonte rimbushjen e liqenit, nëse diçka e tillë do të nevojitej. Por, duket se tashmë një projekt i tillë nuk është vetëm për rimbushjen e liqenit, por edhe rritjen e qarkullimit të ujit në të. Prefekti i Tiranës, z. Ruzhdi Keçi, bëri të ditur se diçka e tillë është duke u projektuar, duke mundësuar ringjalljen e oazit të Tiranës.

“Liqeni i Farkës ka katërfishin e kapacitetit të Liqenit Artificial dhe për këtë arsye është e mundshme që të mbushë nga e para liqenin, nëse diçka e tillë do të kërkohet”, - kishte deklaruar kryetari i komunës së Farkës, gjatë mbledhjes në prefekturë. Por, tashmë kapaciteti më i lartë që ka liqeni i Farkës duket se do të përdoret edhe për të mënjanuar mundësinë e “kënetëzimit” të Liqenit Artificial, siç ishin shprehur disa ambientalistë.

“Një projekt i tillë është më se i nevojshëm për të mundësuar rritjen e nivelit të qarkullimit të ujit në liqen, çka do të mundësonte jo vetëm heqjen e ndotjeve, por mbi të gjitha mund të menaxhohej më mirë niveli i ujit në liqen”, – bëri të ditur z. Qorri.

Liqeni

Liqeni Artificial i Tiranës është ndërtuar në vitin 1967 dhe pas betonizimit të vazhdueshëm të kryeqytetit, pas shembjes së komunizmit, mbeti i vetmi oaz i gjelbër në metropolin e vetëm shqiptar.

Mbrëmjen e 17 shtatorit të vitit 2002, portat e digës së liqenit u hapën, duke shkaktuar përmbytjen e zonës së Selitës. 131 familjeve iu shkaktua një dëm total prej 120 milionë lekësh. Gjithashtu, mbi 30 prej këtyre familjeve mbetën përkohësisht të pastreha.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, liqeni u ndot përgjatë natës, nga persona ende të paidentifikuar, duke rrezikuar të gjitha gjallesat në të. Punëtorë të bashkisë, prej së hënës së kaluar kanë filluar menjëherë pastrimin e sipërfaqes së liqenit nga ndotjet, ndërsa në bregun përballë digës, peshkatarë amatorë vazhdonin gjuetinë. Ndërkohë, me kalimin e ditëve, liqeni u ndot tërësisht, duke rrezikuar edhe gjallesat që jetojnë në të. Instituti i Shëndetit Publik thotë se liqeni është duke u vetëpastruar me anë të qarkullimit sado të vogël të ujit dhe ndërhyrjes së punonjësve të prefekturës dhe bashkisë. “Analizat që kemi kryer, tregojnë se niveli i ndotjes po ulet”, – bëri të ditur drejtori i Autoritetit Rajonal Shëndetësor të Tiranës, z. Mhill Gecaj.

Gjithsesi, në të dyja këto raste, incidentet me liqenin duket se kanë një emërues të përbashkët, qarkullimin e vogël të ujit në liqen, që rrezikon gjithnjë vetë ekzistencën e tij. Masat afatgjata për mënjanimin e problemit duket se janë shpresa e vetme që Liqeni Artificial i Tiranës të mos përbëjë më lajm në shoqërinë shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›