E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët: Sa më shpejt formulari

Ministri i Arsimit u përgjigjet pyetjeve të gjimnazistëve të kryeqytetit. Shqetësimi më i madh, siguria e privimeve

Tafaj: Brenda dhjetë shkurtit do të shpallim koeficientet e lëndëve

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, është përballur dje më pyetjet e maturantëve nga gjimnaze të ndryshme të kryeqytetit.

Për rreth një orë, Tafaj u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme jo vetëm të maturantëve por edhe të mësuesve dhe prindërve të pranishëm. Qëllimi i bisedës ishte matura shtetërore 2010 të rejat që mund të sjelli dhe ndryshimet e mundshme. Ndonëse pyetjet preknin tema të ndryshme, Ministri nuk ka lënë asnjë prej tyre pa përgjigje, por për fat të keq asnjë përgjigje nuk ka qenë e qartë.

I vetmi informacion i dobishëm që nxënësit kanë nxjerrë prej ministrit, ishte se me datë 10 shkurt ministria do të shpallë koeficientet e lëndëve. Më poshtë po botojmë një pjesë të debatit që u zhvillua dje mes Ministrit Tafaj dhe maturantëve.

Pyetja 1. Kemi dëgjuar se do të shtohen lëndët me zgjedhje?

Asnjë lëndë e re më zgjedhje nuk do të shtohet këtë vit në Maturën Shtetërore. Do të respektohen të gjitha afatet që kemi. Lëndët me zgjedhje do të mbeten të njëjtat me vjet nuk ka asnjë ndryshim.

Pyetja 2. A do të ndryshojë përqindja e mesatares këtë vit?

Nuk do të ketë asnjë ndryshim, mesatarja do të vazhdojë të zërë 20%. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjera për të rritur transparencën. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm nuk do të ndryshojnë.

Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 40%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të risim përqindjen që zë mesatarja.

Në të ardhmen që lidhet edhe me diçka tjetër, ne jemi shprehur të gatshëm për tu përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011 ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar.

Pra, do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Ne momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme, atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve.

Pyetje 3. Gjithmonë është thënë që në shkollat e larta kemi më shumë studentë nga rrethet, a janë të njëjta nga cilësia shkollat e kryeqytetit me ato të rretheve?

Edhe brenda Tiranës unë mendoj që shkollat nuk janë njësoj. Nuk ka ndonjë vend që t'i ketë të gjitha shkollat e mesme në të njëjtin nivel. Sigurisht që ne kemi probleme në disa shkolla të mesme, në shkallë vendi, sepse matura ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka seleksionuar shkollat.

Mbi bazën e rezultateve të maturës ka pasur raste që janë mbyllur edhe shkolla, si ndodhi gjatë zhvillimit të maturës së parë, kur u mbyll një shkollë në Librazhd. Matura është një nga faktorët e vlerësimit të cilësisë të një shkolle, dhe do vazhdojë të mbetet. Me përjashtime të vogla ne kemi shkolla, të cilat plotësojnë standardet.

Një faktor i rëndësishëm përcaktues janë nxënësit të cilët me ambicien e tyre çdo ditë të provimit duhet të shkojnë në sallën e provimit se ky është një proces transparent, objektiv, që nuk të ul asnjë pikë që meriton. Faktor tjetër janë administratorët që janë në sistemin tonë, mësuesit. Seriozitetin që duhet të ketë administratori në atë sallë që ai administron është përcaktues për zhvillimin objektiv të testit. Faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe kushtet. Këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve vçanërisht në provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla t'i grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit në salla të mëdha ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin.

Ky është një ndryshim në burokracinë e zhvillimit të maturës, do të përpiqemi të bëjmë edhe ndryshime të tjera që lehtësojnë procesin e maturës. Një ndryshim tjetër është edhe fakti që të gjitha provimet të mbyllen brenda qershorit.

Drejtoritë e MASH dhe Drejtoritë Rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të 4-ta notat e provimeve dhe mesataren.

Pyetja 4. A mund të vendoset një koeficient për shkollat e mesme në bazë të rezultateve që ato kanë?

Deri tani, ne koeficientet i kemi diferencuar në bazë të profilit të shkollës, gjimnazi, gjimnazi i diferencuar me profil shkencor ose shoqëror.

Një diferencim i tillë do të ishte shumë i vështirë, sepse do të ishte një koeficient që do të përfshinte shumë subjektivizëm brenda. Në qoftë se gjatë vitit 2009 gjimnazet "Qemal Stafa" dhe "Sami Frashëri" ishim dy gjimnazet më të mirë, këtë vit mund të jetë një tjetër.

Ky do ishte një koeficient që do të përfshinte një subjektivizëm në vetvete. Do të ishte pozitiv, por diskriminues. Nuk mendoj se duhet një koeficient i tillë. Koeficientet i përcaktojnë fakultetet dhe ata vendosin se cilën shkollë preferojnë sipas profileve që kanë.

Pyetja 5. A nuk do të ishte më mirë që gjatë periudhës së rikorrigjimit të ishin prezentë edhe vetë maturantët?

Ka modele maturash që nuk kanë fare rikorrigjim.

Por, duke qenë të vetëdijshëm se ne jemi në fillim të këtij procesi (kjo është matura e katërt që zhvillojmë) ne nuk mund të pranojmë një proces ku nxënësit të mos ketë në drejtë të bëjnë ankesë dhe përgjigja të mos rishihet. Korrigjimi dhe rikorrigjimi bëhet nga mësues që janë të kualifikuar për atë lëndë.

Përderisa ne e kemi këtë fazë në rregulloren e maturës shtetërore, atëherë është më se normale që çdo nxënës që është ankuar duhet të sqarohet. Unë ju falënderoj për këtë sugjerim, do ta përfshijmë në rregullore.

Pyetja 6. A do të ketë ndryshime në koeficientet e lëndëve për degët dhe kur do të informohemi për to?

Ne i kemi kërkuar universiteteve të shpallin koeficientet, sepse ata i propozojnë koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Jam i sigurt se brenda 10 shkurtit do t'i shpallim. Nuk presim ndryshime të mëdha të koeficientet.

Pyetja 7. Po ndryshime të kritereve si p.sh., mesatarja a do të ketë?

Sistemi i maturës shtetërore bazohet në koeficientin e shkollës, i cili është përfaqësues edhe për dy provimet e detyruara. Unë u kam kërkuar rektorëve të propozojnë çdo ndryshim në lidhje me koeficientet, por asgjë tjetër vç tyre.

Pyetja 8. Programi i letërsisë përmban vepra, të cilat nuk i kemi studiuar? A nuk mendoni se është absurde të vlerësohemi për vepra që nuk i kemi studiuar?

Programi është thjesht orientues, por tezat janë ato që kanë plotësuar gjithë gjimnazistët e Shqipërisë.

Pyetja 9. Nxënësit për t'u futur në fakultetin e mjekësisë apo të stomatologjisë mjafton të japin provim anglishten dhe në tjetër lëndë shkencore dhe mund të fitojnë fakultetin. Nuk mendoni se duhet të testohen për lëndë specifike që kanë lidhje me degën?

Që një gjimnazist të dëshirojë të studiojë mjekësi sigurisht që duhet të dijë mirë anglishten, por duhet të dijë edhe kiminë, biologjinë etj. Ka qenë një zhvillim pozitiv iniciativa që të përshpejtojmë mësimin e anglishtes, Shqipëria anglofone. Kjo bëri që anglishtja të stimulohet me koeficient, dhe ishte një hap i drejtë. Fakultetet kanë të drejtë të kërkojnë vetë koeficientin. Të shohim se si do ta përcaktojë këtë vit mjekësia koeficientin e anglishtes.

Këshillimi i karrierës, mësuesit i kërkojnë specialistë ministrit

Mësuesit kanë përfituar nga ky takimi me ministrin e Arsimit dhe të Shkencës për t'i kërkuar ndihmë për zhvillimin e lëndës Këshillimi i karrierës. Ata nuk e konsiderojnë vetën të përgatitur për të këshilluar nxënësit në lidhje më karrierën që atë do të zgjedhin dhe të mirat dhe avantazhet që do të kenë.

Për këtë i kanë kërkuar Ministrit Tafaj, specialistë të cilët do t'u jepnin më shumë informacion maturantëve. "Duhet të bëhet një këshillim pak më i gjerë jo vetëm me nxënës, por edhe me prindër.

Do të kërkoja nga ju një person më të specializuar nga ç'jemi ne për këshillim karriere", - iu drejtua Ministrit një mësuese. Ajo u shpreh se mësuesit zhvillojnë lëndën e këshillimin e karrierës duke marrë për bazë preferencën që kanë nxënësit.

"U kam kërkuar universiteteve që të shpallin ditën e gjimnazistëve, pasi vetë universitetet janë të interesuar të prezantojnë kurrikulat, ç'janë kurrikulat dhe çfarë përfitojnë nga kurrikulat nxënësit dhe cilat janë shanset për punë dhe për karrierë, cili është fakulteti çfarë arritjesh ka ia fakultet etj., etj" - është përgjigjur Ministri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›