Mina suprizë dhe municione te Shërbimi i Provës
ALARMI
Gjatë rikonstruksionit të ndërtesës punëtorët gjetën municione granata dhe mina antitank që s'dihet se kujt i përkisnin
Burgjet ia hedhin RENEA-s, e cila u detyrua të çaktivizojë një bombë surprizë në një bodrum aty pranë
TIRANË- Në godinën e Shërbimit të Provës, ngjitur me paraburgimin "Jordan Misja" dhe dhomën penale të Gjykatës së Shkallës së Parë, gjenden predha dhe municione të ndryshme, duke vënë policinë dhe burgjet në alarm. Lajmi pohohet nga burime të Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, zyrtarë të lartë të Burgjeve dhe nga Shërbimi i Provës.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se kanë qenë punëtorët e firmës fituese të tenderit të rikonstruktimit të ndërtesës ku është vendosur institucioni i Shërbimit të Provës që drejtohet nga ish-SHIK-asi i pandehur, Arben Sefgjini, ata të cilët gjatë pastrimit të bodrumeve dhe ambienteve për rreth kësaj ndërtese kanë gjetur dy mina (suprizë) dhe një numër jo të vogël fishekësh.
Por edhe pse janë gjetur dhe sekuestruar këto sende të rrezikshme, asnjë nga institucionet përkatëse nuk pranon se gjetja e tyre përbën ndonjë rrezik për punonjësit e Shërbimit të Provës, të Gjykatës apo edhe të paraburgosurit që ndodhen në institucionin e 313 që është ngjitur me këtë objekt.
Mësohet se punëtorët e firmës përkatëse kanë njoftuar Drejtorin e Përgjithshëm të institucionit Arben Sefgjinin, i cili ka lajmëruar efektivët e Komisariatit nr. 3 që në bashkëpunim me xhenierët e forcave speciale të RENEA-së kanë hequr materialet e rrezikshme.
Pas gjetjes së municioneve janë alarmuar edhe krerët e burgut 313, që kanë kërkuar një kontroll të hollësishëm të ambienteve që rrethojnë këtë ndërtesë. "Drejtoria e Burgjeve ka marrë të gjitha masat që ambienti për rreth ndërtesës së paraburgimit "Jordan Misja" të jetë i kontrollueshëm dhe nën vëzhgim 24 orë.
Në lidhje me predhat dhe municionet e gjetura në ndërtesën e Shërbimit të Provës saktësojmë se ajo ndodhet jashtë rrethimit të paraburgimit 313 dhe nuk është përgjegjësi e burgut sigurimi i këtyre ambienteve,- thanë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Burime të rezervuara pranë Shërbimit të Provës, saktësojnë se këto sende të rrezikshme mund të jenë harruar nga forcat e RENEA-së që kanë qenë të vendosura në këto ambiente. Ky pretendim u hodh poshtë nga zyrtarët e institucionit të forcave speciale të RENEA-së, dhe Policisë së Shtetit. "Ambientet janë pastruar dhe dorëzuar të pastra nga ana jonë,- thanë këta të fundit.
Drejtori i Shërbimit të Provës, Sefgjini, i pyetur nga "Shekulli" për këto sende, tha se "ambientet janë marrë të pastra dhe nuk është gjetur asnjë send i rrezikshëm nga punëtorët gjatë rikonstruktimit".
Pretendimet e Sefgjinit, janë hedhur poshtë nga zyrtarët e Policisë së Shtetit, duke shtuar se Policia e Tiranës është lajmëruar për rastin, dhe i është kërkuar heqja e tyre. "Policia e Komisariatit tre është njoftuar për gjetjen e disa predhave dhe municioneve poshtë disa plehrave në gardhin rrethues të kësaj ndërtese, dhe me ndihmën e forcave të RENEA-së janë larguar",- thanë burime të policisë.
Gjithashtu, burimet pranë këtyre institucioneve konfirmuan se edhe agjentë të Shërbimit Informativë Shtetëror janë njoftuar për gjetjen e këtyre sendeve të rrezikshme, për të cilat kanë marrë informacionin përkatës për gjetjen e këtyre sendeve si dhe kanë takuar zyrtarë të këtyre godinave.
Ndërkohë, pak ditë më parë, kanë qenë efektivët e policisë së paraburgimit "Jordan Misja" të cilët në tarracën e ndërtesës së Shërbimit të Provës kanë evidentuar dhe gjetur një qese të mbushur me hashash, të cilën kanë tentuar ta hedhin brenda rrethimit të burgut.
Po këto burime, saktësuan se edhe nga dritaret e banjave të dhomës penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë janë hedhur brenda ambienteve të paraburgimit dy celularë të mbështjella me sfungjer, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar nga efektivët e policisë së këtij institucioni.