E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët që nuk janë pranuar do të hyn në provim sërish

Rreth 11 mijë maturantë që nuk e kanë kaluar provimin shtetëror të maturës në afatin e parë, do të hyjnë në test nesër në pjesën e parë dhe më 7 shtator në pjesën e dytë të testit.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet, ku edhe u bë e ditur se do të ketë disa ndryshime në ligjin e maturës shtetërore.

Afati i dytë i provimit shtetëror të maturës do të mbahet nesër nën administrimin e anëtarëve të përcaktuar nga Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës dhe anëtarë nga tri universitetet publike, të cilët do të monitorojnë këtë proces. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën, se janë bërë të gjitha përgatitjet që ky test të mbahet në përputhje me planifikimin e bërë.

“Ne këmi pasur një takim me drejtoritë komunale të arsimit, të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë që ky proces të shkojë si duhet. E njëjta procedurë do të jetë edhe më 7 shtator.”

Kadriu theksoi se edhe në afatin e dytë të provimit të maturës do të ketë një kalueshmëri të kënaqshme, pasi maturantët kanë pasur kohë për një përgatitje më të mirë.

“Besoj se do të kemi rezultate të mira edhe sivjet, sepse kanë pasur seriozitetin e punës. Drejtoritë komunale kanë punuar shumë këtë vit. Kanë mbajtur orë shtesë e mësim zgjedhor për lëndët që nxënësit kanë bërë kërkesë të cilat janë në provimin e maturës shtetërore.”

Megjithatë Kadriu, thotë se përveç kalueshmërisë të cilën e arrijnë nxënësit, duhet të rritet edhe niveli i njohurive të tyre. Kadriu gjithashtu bëri të ditur se do të ketë disa ndryshime në Ligjin për Maturën Shtetërore, ku testi i maturës do të vlerësohet vetëm më arritshmërinë e pikëve e jo me kalueshmëri.

Sipas Kadriut, maturantët nuk do të përsëriten, por do të rangohen nga numri i pikëve që arrijnë, të cilat do t’i shërbejnë për tu regjistruar në arsimin e lartë. Ndërkohë, për afatin e dytë të provimit të maturës, rezultatet do të publikohen më 16 shtator, ku më pas maturantët mund të ankohen deri më 20 shtator, kur do të përmbyllet ky proces për këtë vit. /RTK/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›