E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Itali, kapet në Tiranë i shumëkërkuari

Myrteza Arifaj i arrestuar dje në Tiranë

Arrestohet në Tiranë i kërkuari për vrasje në Itali. Një 35-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për vrasjen e një shtetasi italian në tetor të vitit të kaluar, është vënë në pranga mëngjesin e djeshëm nga Policia e Tiranës. Ai është kapur bashkë me dy persona të tjerë gjatë një operacioni të skuadrës së Operacioneve Speciale. Arrestimi i të shumëkërkuarit Myrteza Arifaj u krye në një lokal që ndodhet në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë, pranë shinave të trenit, tek Ura e Treshit. Burime nga Policia thanë se hetimet për kapjen e tij kishin nisur prej disa muajsh, por ai mbahej në vëzhgim prej një jave nga oficerët e Kërkimit të Policisë së Tiranës. Të njëjtat burime thanë se Myrteza Arifaj është arrestuar në momentin kur po dilte me nxitim nga lokali për të hipur në një autoveturë tip BMW, pasi mesa duket kishte pikasur prezencën e oficerëve të Policisë që po e mbanin në vëzhgim. Në një moment ai ka dalë jashtë duke tentuar të largohet nga ambientet e lokalit, ku ndodhej bashkë me dy persona të tjerë duke pirë kafe. Por ndërhyrja e policisë ka qenë e saktë dhe menjëherë automjetet e Operacioneve Speciale i kanë zënë rrugën, duke bllokuar largimin e tij me makinë e më pas i kanë vënë prangat. Bashkë me Arifajn, janë shoqëruar edhe dy personat që ndodheshin duke pirë kafe me të e më pas kanë tentuar të largohen bashkë me makinë. Burimet thanë se arrestimi i Myrteza Arifajt, nga fshati Kryezi i Pukës, është kryer për llogari të shtetit italian dhe pritet ekstradimi i tij.
I KERKUARI

Policia gjatë kapjes së personit në kërkim

Myrteza Arifaj ishte shpallur në kërkim me kartelë të kuqe që prej muajit tetor të vitit 2011 nga Interpol Roma, pasi akuzohej se kishte vrarë një shtetas italian në Ankona. Arifaj akuzohet si autori i vrasjes me thikë të 35-vjeçarit Luigi Taurino, ngjarje kjo e ndodhur më 20 tetor 2011, në Ankona. Për vrasjes ishin shoqëruar nga Policia italiane dy persona, motra e të kërkuarit, Suela Arifaj, 24 vjeçe dhe një mik i tij, Jetmir Marku, 25 vjeç, të cilët tashmë janë në arrest shtëpie në Itali. Menjëherë pas vrasjes, Myrteza Arifaj pati arritur të arratiset drejt Shqipërisë, duke i shpëtuar prangave. Vrasja e ndodhur në Ankona vitin e kaluar, u cilësua nga hetuesit italianë si vrasje për çështje nderi. Madje ata fajësuan motrën e të kërkuarit, Suela Arifajn, si nxitëse të krimit, pasi ajo kishte lajmëruar të vëllain, që në atë kohë ndodhej në Shqipëri, për një konflikt që kishte me fqinjin e saj, Luigi Taurino, tregtar në zonën e Pulias. Menjëherë pas

Policia gjatë kapjes së personit në kërkim

ngjarjes, policia italiane arrestoi motrën e autorit, mikun e tij dhe shpalli në kërkim Myrteza Arifajn. Tre shqiptarët akuzohen ta kenë vrarë me thika tregtarin për një çështje nderi. Vajza e arrestuar, vëllai dhe shoku i tyre, jetonin në të njëjtin pallat me viktimën. Vrasja ndodhi pranë shtëpisë së tij. Myrteza Arifaj, pasi kreu krimin, arriti të largohej drejt Shqipërisë, ku edhe u kap mëngjesin e djeshëm nga skuadra e Operacioneve Speciale.

Mbi 20 të kërkuar në Itali
Gjatë muajve të fundit, Policia shqiptare ka zbatuar disa urdhra arresti të lëshuar nga Interpol Roma në Itali. Aktualisht dy vendet kanë marrëveshje të dyanshme ekstradimi, pasi më parë ekstradimi i shtetasve shqiptarë në Itali nuk ka qenë i mundur. Gjatë 3 muajve të fundit, Policia shqiptare ka vënë në pranga në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan, mbi 20 persona të kërkuar nga Drejtësia italiane. Ndërkohë Interpol Roma ka lëshuar prej 5 vitesh urdhra arresti për mbi 200 shqiptarë që janë larguar nga Italia pas kryerjes së veprave penale.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›