E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxhoranca dhe dy variantet për hetimin e zgjedhjeve

15/03/2010 Komisioni i Ligjeve vijon diskutimin. PS kundër nga Komisioni i Venecias

Mazhoranca në Komisionin parlamentar të Ligjeve pritet të paraqitet me dy variante kompromisi përballë socialistëve për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë vendin. Deputetët e selisë blu do të prezantojnë disa amendamente ndaj projektit që synon të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore, propozime që nuk do lejojnë në asnjë mënyrë hapjen e kutive të votimit siç pretendojnë deputetët e selisë rozë. Nga ana tjetër, propozimi i demokratëve për ta dërguar kërkesën e socialistëve për interpretim në Gjykatën Kushtetuese apo Komisionin e Venecias, pritet të jetë varianti i dytë. Të dyja variantet janë të papranueshme për socialistët, gjë që do të shoqërohet edhe me debat mes palëve. Argumentet janë renditur në relacionet që përfaqësuesit e tyre, si: Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri apo dhe diskutantët e tjerë kanë prezantuar në komision. “Kjo që ju kërkoni është antikushtetuese, ju nuk mund të hetoni mbi gjithçka dhe në gjithçka. Ju nuk mund të na kërkoni neve që t’ju lejojmë të bëni rivlerësimin dhe rinumërimin, kur këtë kërkesë jua ka rrëzuar gjykata me vendim të formës së prerë”, u tha deputeti i PD-së, Eduard Halimi kolegëve socialistë në mbledhjen e fundit të komisionit. Pas analizimit të projektit, deputetët e mazhorancës konstatuan se implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në këtë draft është “zero”, siç u shprehën ata. Për sa i përket variantit të dytë, qëndrimin kundër e paralajmëroi një ditë më parë anëtarja e komisionit të Ligjeve, deputete e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi. Ajo vlerëson se ky propozim i mazhorancës thjesht do të zvarrisë krizën. Sipas saj, zgjidhja duhet të vijë brenda 18 marsit nga institucionet vendase. “Instrumentet ligjore duhet të jenë në Shqipëri, mjaft më me kërkesën e ndihmës së institucioneve ndërkombëtare. Asistenca ndërkombëtare është e nevojshme atëherë kur gjërat nuk janë të qarta, por në momentet kur gjërat janë të qarta, e zeza është e shkruar mbi të bardhë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shprehin qartë rolin e komisionit hetimor parlamentar, raportin e këtij komisioni me Prokurorinë dhe Gjykatën, mendoj se nuk është e nevojshme që të shkojë përsëri çështja në Komisionin e Venecias, sepse kjo është një zvarritje, kjo është për ta mbajtur krizën politike të gjatë”, tha ajo. Lidhur me amendamentet e PD-së, për të cilat selia rozë nuk është ende në dijeni, Hysi shpreson që ato të japin një zgjidhje për krizën në vend. “Normalisht, nëse do të paraqiten amendime, ne do t’i marrim, do t’i studiojmë, por uroj dhe shpresoj që mazhoranca e ka kuptuar drejt mesazhin edhe të opozitës, por dhe pardje të zotit Mirel, që tashmë hapi nga PS-ja është hedhur dhe i bie barra Parlamentit. Dhe kur thuhet Parlamentit, edhe mazhorancës, dhe theksoj dhe Kryetaren e Parlamentit, për ta zgjidhur këtë krizë politike”, vijoi deputetja e PS-së. Projektligji që do të dalë nga komisioni i Ligjeve do të votohet në seancën e së enjtes, ditë të cilën drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, e përcaktoi si afatin e fundit për të zgjidhjen e krizës.

Qëndrimet e palëve për draftin

Partia Demokratike

Aktivitetet e komisioneve nuk duhet të zëvendësojnë dhe as të marrin kompetencat e organeve të cilat për shkak të ligjit (Kushtetutës) janë të detyruara të realizojnë kompetenca të këtilla. Komisionet, duke qenë organizma të brendshëm të Kuvendit, nuk duhet të vendosen në pozicionin e një “superorgani” superior mbi organet e tjera të autoritetit publik.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështjet e veçanta që përbëjnë thelbin e objektit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare, të cilat e përmbajnë në vetvete interesin publik, janë ato që hetohen në aspektin e kontrollit e të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje a veprimtarie dhe që nxisin iniciativat për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale.

Partia Socialiste

Megjithëse hapja e kutive, këqyrja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit nuk ndalohet nga asnjë dispozitë e legjislacionit aktual në fuqi, me këtë dispozitë të re synohet përcaktimi i një standardi hetimor me mjete dhe instrumente të pakushtëzuara nga vullneti i mazhorancës. Kufizimi i mjeteve dhe instrumenteve hetimore përbën shkelje të Kushtetutës.

Vendimi i Kushtetueses: Kufizimet e lejueshme kushtetuese që kanë të bëjnë me respektimin e parimeve fokusohen në objektin e hetimit, i cili s’mund të reduktohet nga Kuvendi, sa t’ia bëjë të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë. Kufizimi që mund t’i bëhet objektit të hetimit me argumentin se s’respektohen parimet kushtetuese, s’e bëjnë një vendimmarrje të tillë përfundimtare dhe të pakontrollueshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë, për arsye se do ta vendoste të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare në vlerësimin e shumicës, duke dhunuar ushtrimin normal të kësaj të drejte.

Projektligji i PS-së

Në rastet kur objekti i hetimit lidhet me çështje të zgjedhjeve për Kuvendin dhe në shërbim të hetimeve mbi çështjet, shumica e anëtarëve të komisionit mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të materialeve zgjedhore për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore dhe/ose hapjen e një apo disa kutive të fletëve të votimit, duke kryer rinumërimin e tyre për efekt të verifikimit të problemeve të mundshme.

Ultimatumi

Drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Pierre Mirel, i ka bërë apel të fortë politikës shqiptare të gjejë kompromisin para vizitës së komisionerit Fulle. “Do të më dukej e pafalshme, nëse më 19 mars, në vizitën e parë në Tiranë të komisionerit të Zgjerimit, nuk do të jetë gjetur një zgjidhje. Mendoj se duhet të kërkohen të gjitha rrugët për gjetjen e kompromisit, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përhershme deri në datën 18 mars”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›