E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca, 9 muaj për pushtimin e të gjitha institucioneve të pavarura

Bledar Hoti

Revanshi

Me zgjedhjen e Nishanit, Berisha mori nën kontroll SHISH, KLD dhe gjykatat

7 dekrete - Brenda një muaji, në fund të legjislaturës së Kuvendit, Presidenti ka nxjerrë 7 dekrete për emërim anëtarësh gjykatash

1 vit - E gjithë ndërhyrja në sistemin e drejtësisë, në institucionet kushtetuese janë kryer nga Nishani pa mbushur një vit si President

SHISH - Ndërhyrja e parë e kreut të shtetit ka qenë shkarkimi i kreut të SHISH-it. Emërimi i pasardhësit të tij u prit me pakënaqësi nga ndërkombëtarët

Kontrolli - KLD-ja tashmë ka përfaqësuesit e zgjedhur nga mazhoranca demokrate. Kështu PD-ja zgjodhi nënkryetarin e KLD-së dhe pritet të zgjedhë anëtarin e radhës

BLEDAR HOTI

Berisha & NishaniMarrja e Presidencës nga PD-ja, pra zgjedhja e Bujar Nishanit, njeriu besnik i Kryeministrit, bëri që PD-ja të nisë me shpejtësi zotërimin e atyre institucioneve të pavarura që kishin mbetur si kala të pamposhtura për demokratët. Pushtimi i parë nisi që me shkarkimin e shefit të shërbimeve sekrete, Bahri Shaqiri. Pasi bëri betimin, Nishani nxitoi në fundgushtin e verës së kaluar, të emëronte zv.ministrin e MITIK, Visho Likaj, në krye të shërbimeve sekrete, një njeri që dikur punonte si drejtues i lartë pranë SHIK-ut famëkeq të Gazidedes. Pushtimi i dytë nisi me marrjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Shkarkimi i armikes së mazhorancës, Ina Rama, u realizua me parandalimin e tentativës nga ana e ndërkombëtarëve për të caktuar një emër që do të ishte si kamikaz politik i PD-së, duke zgjedhur kështu një person të pranuar nga ndërkombëtarët, por sigurisht dhe më pranë pëlqimit të PD-së. Ndërsa në vend të Llallës në ILDKP, u emërua një zv.ministre e Mbrojtjes, pra pjesëtare e ekzekutivit.

Pushtimi i drejtësisë

Sfida tjetër e mazhorancës ishte pushtimi i sistemit të drejtësisë. Kalaja e tretë ishte fillimisht caktimi i nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. PD-ja përzgjodhi një njeri të emëruar nga ekzekutivi në krye të AKKP-së, për ta caktuar si numrin dy të KLD-së. Ky institucion mbeti me një vend vakant, pas ikjes së Lefterije Lleshit si kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky vend vakant zgjidhet nga Parlamenti, pra nga mazhoranca qeverisë. Pas 5 muajsh vakancë, PD-ja në ditët e fundit të mbretërimit të mandatit të saj, paraqiti një tjetër emër, atë të Lulzim Lelçajt, personi që punonte si këshilltar dhe drejtor i legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë që në këto institucione, KLD dhe KQZ, u vendosën njerëz që krijuan jo pak xhelozira brenda PD-së. Këta të zgjedhur etikohen si personat pranë kryeparlamentares Topalli. Kreu i shtetit tashmë ishte edhe mekanizmi i zhbllokimit të dekreteve të mëparshme për në Gjykatën e Lartë dhe asaj Kushtetuese. Lufta e ftohtë, Kuvendi dhe qeveria nga një anë dhe Presidenti (Topi) në anën tjetër mori fund, pasi në këto institucione mazhoranca do të zgjidhte emrat e saj pa ndonjë fërkim institucional. Kështu, pa mbushur një vit janë zgjedhur anëtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe është vënë re një fenomen, ku anëtarët me mandat të mbaruar në Gjykatën e Lartë, shkojnë në Gjykatën Kushtetuese, apo dhe anasjelltas. Për këtë flet edhe rasti më i fundit i propozimit të anëtarit Fatos Lulo në Gjykatën Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit në Gjykatën Kushtetuese. Apo emërimi i Admir Thanzës, i Xhezair Zaganjorit në Gjykatën e Lartë, pasi u kishte mbaruar mandati prej më se tre vitesh në Gjykatën e Lartë. Apo emërimi i Gani Dizdarit në Gjykatën Kushtetuese, pasi i kishte mbaruar mandati në Gjykatën e Lartë. Dekretet më të fundit mund të përmendim dhe atë të Tom Ndrecës, për anëtar në Gjykatën e Lartë. Ndreca ka qenë një anëtar i Kolegjit Zgjedhor, pjesëtar i trupës, i cili i dha fitoren kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që rotacione të tjera ka pasur me emërime nga KLD-ja drejt gjykatës. Mandatet e anëtarëve në këto dy gjykata janë me afat 9-vjeçar. Pra në këto institucione ka gjyqtarë që kanë mbretëruar për 18 apo 20 vite. Sipas përllogaritjeve, disa anëtarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese apo dhe në Gjykatën e Lartë iu mbaron mandati vitin e ardhshëm. Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, nisur nga ky fakt mazhoranca kërkon të mbajë kontrollin në këto pushtete, në rast se del në opozitë pas 23 qershorit.

Emrat

Topalli ka përjashtuar nga seanca deputetët e PS-së: Sajmir Tahiri, Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko

Vendimi u mor nga Byroja pas incidentit me deputetin Kastriot Islami

Parlamenti pritet të votojë sot dekretet e Presidentit Nishani për dy anëtarët e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe Tom Ndreca, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, si dhe anëtarin të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Ky votim pritet të jetë i lehtë për mazhorancën, falë edhe vendimit të Topallit për të përjashtuar deputetët e opozitës. Ndryshe nga votimi për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ku PD-ja gjeti mbështetjen e katër deputetëve të pavarur socialistë, Kastriot Islami, Asllan Dogjani, Dritan Prifti dhe Gjovalin Kadeli, për votimin e dekreteve të kreut të shtetit, nuk do tu lutet atyre për kartonin jeshil. Kjo, për faktin se Byroja e Kuvendit ka penalizuar katër deputetët e opozitës, aq sa i nevojitet mazhorancës për të pasur votat e duhura për të votuar dekretet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas seancës së tensionuar të së hënës, disa deputetë të PS-së replikuan ashpër me deputetin Kastriot Islami. Kjo bëri që Topalli, si Kryetare e Parlamentit, të shpallë penalizimin e deputetëve të PS-së, Sajmir Tahiri, Gazmir Bizhga, Ndrec Deda dhe Arben Çuko.

Mazhoranca, 9 muaj për pushtimin e të gjitha institucioneve të pavarura burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›