E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca: Opozita ka kohë deri në fund të shtatorit, përndryshe do shprehen qytetarët

06-09-2012 / Gazeta 55

Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se shumica parlamentare do presë deri në fund të muajit vendimin e pakicës lidhur me qëndrimin ndaj imunitetit. Sipas tij, nëse PS nuk do reflektojë, atëherë mazhoranca do i drejtohet qytetarëve për një referendum kombëtar


Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj deklaroi se opozitës do t’i lihet kohë i gjithë shtatori për të dhënë votat për variantin konsensual për kufizimin e imunitetit në Kuvend. Në të kundërt deklaron ai, mbajtja e referendumit do të jetë fakt. Në një prononcim për mediat, anëtari demokrat i Komisionit të Ligjeve z. Alibeaj theksoi se mazhoranca ka durim deri në fund të shtatorit për të parë kthesën politike të opozitës edhe pse shanset janë të pakta për reflektim. “Ne do të kemi maturinë dhe pjekurinë që të presim deri në elementin e fundit kohor, pra shtatorin. Mund të ketë ndonjë kthim apo ndryshim kursi nga ana e partisë Socialiste, gjithsesi, unë pak shpresoj. Duhet të kemi durimin të shkojmë deri në fund dhe më pas kur të shohim se nuk ka më mundësi dhe nuk ka më asnjë dëshirë nga ana e PS-së, do të veprohet për referendumin. Jo për një referendum të ndryshimit kushtetues, ne jemi të qartë se ai është një mënyrë tjetër pasi ne nuk e arrijmë dot pasi duhet dhe vota e pakicës, porse në bazë të referendumit të përgjithshëm”, theksoi deputeti Alibeaj. Ndërsa sqaron dhe arsyet përse mazhoranca refuzon paketën e socialistëve për ndryshime kushtetuese, deputeti demokrat, Alibeaj nënvizon faktin se formula e zgjedhur prej tyre për emërimet në institucione mund të çojë shtetin në bllokim. “Do të jetë Kuvendi ai që do të marrë fuqi më të mëdha se Presidenca. Dhe ky është defekt i madh. Ajo parti politike që do të ketë fuqi, peshë më tepër se kushdo, do të jetë pakica. Sepse nëse do të dojë pakica të mos votojë qoftë dhe për teka, qoftë dhe për inat, pa asnjë lloj arsye politike, shteti mund të bjerë në impas. Të mund të mos miratojmë dot gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, Prokurorin e Përgjithshëm”, nënvizoi ish-ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Ndërsa sot në mesditë Këshilli i Legjislacionit nis shqyrtimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese të PS-së. Ajo është vendosur si kusht nga opozita për të dhënë votat për imunitetin ndërsa nga mazhoranca është konsideruar paçavure.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›