E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, Chountis: Opozita të mos pengojë rrugëtimin evropian të vendit

06-09-2012 / Gazeta 55

Ilir Meta pret Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Eurodeputetin Nikolaos Chountis

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta priti sot në selinë e partisë, Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eurodeputetin Nikolaos Chountis, i cili ndodhet në Tiranë në krye të misionit faktmbledhës të Parlamentit Evropian në kuadër të ecurisë së integrimit evropian të Shqipërisë.
Z. Meta dhe z. Chountis diskutuan mbi ecurinë e përmbushjes së prioriteteve për integrimin evropian të Shqipërisë, gjendjen politike në vend dhe mbi marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Z. Chountis shprehu mbështetjen e Parlamentit Evropian për integrimin evropian të Shqipërisë, dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kuadër, z. Chountis theksoi se pavarësisht se vendimi nuk i takon Parlamentit Evropian, opinioni i këtij institucioni ka peshë të madhe në strukturat e BE-së në Bruksel.
Z. Meta, pasi e falenderoi z. Chountis për rolin në vazhdimësi pozitiv të Parlamentit Evropian ndaj Shqipërisë, rikonfirmoi qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në mbështetje të mbarëvajtjes së një klime sa më pozitive e bashkëpunuese në vend, me qëllim mospengimin e rrugëtimit evropian të vendit.
Z. Meta nënvizoi se të gjitha forcat politike në vend kanë përgjegjësi të madhe për të siguruar një klimë më pozitive politike në vend dhe se konfliktet e vazhdueshme artificiale që krijohen, nuk duhet të bëhen më pengesë për performancën dhe punën e administratës shtetërore në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda këtij viti. Në këtë drejtim, z. Meta theksoi edhe një herë, qëndrimin e LSI për heqjen pa vonesa të imunitetit te zyrtarëve të lartë, përmes procedurave parlamentare.
Në përfundim, z. Meta dhe z. Chountis ndanë mendimin se aktorët kryesorë politikë në Shqipëri, duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale për avancimin e projektit evropian të vendit, si e vetmja rrugë përpara për qytetarët shqiptarë dhe si një kontribut të çmuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›