E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: Paratë e taksapaguesve kryeqytetas po fluturojnë në xhepat e Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi dje, se vendimi që ka marrë në mbledhjen e radhës Këshilli Bashkiak i Tiranës për të rritur disa taksa për qytetarët e kryeqytetit, si dhe shtimi i një takse të re, që ka të bëjë me ata që ngasin automjetet, është i paprecedent. Duke mos u shprehur kundër pastrimit apo gjelbërimit të Tiranës, Paloka vuri në dukje se “në kaq vite, qytetarët e metropolit shqiptar paguajnë këto taksa dhe ndodhen çdo ditë përballë një realiteti më shumë se të shëmtuar”. “Siç e dini të gjithë, Tirana është kthyer në një pirg të madh plehu dhe plehrash. Kudo që të shkosh gjen pirgje të mëdha mbetjesh urbane, dhe qytetarët protestojnë për këtë, por nuk i dëgjon njeri. Shumë qytetarë paguajnë privatët që t’u mbledhin mbeturinat përpara banesave të tyre apo në lagje”, tha ai, duke shtuar se “paratë e taksapaguesve shqiptarë fluturojnë xhepave të kryetarit të bashkisë”. “Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit e di që Tirana është shndërruar në një qytet të pabanueshëm për shkak të ndotjes, prandaj jeton në Pezë. Ai nuk bën gjë tjetër, veçse, kur mbaron shëtitjet e tij dhe fjalimet baritore nëpër fshatrat e Shqipërisë, vjen dhe u vë taksa të reja qytetarëve të Tiranës”, theksoi ndër të tjera Paloka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›