"Mazhoranca, drejt mandatit të dytë për të përfunduar reformat e suksesshme"
PLL-ja zhvillon Kuvendin e saj, prezanton kandidatët e Tiranës
TIRANE - Partia Lëvizja e Legalitetit, parti aleate me koalicionin “Aleanca e ndryshimit”, që kryesohet nga PD, çeli dje fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, në një takim në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku krahas shumë mbështetësve të kësaj force, ishin të pranishëm dhe përfaqësues të partive pjesëmarrëse në këtë koalicion, i përbërë nga 10 subjekte politike.
Gjatë fjalës hapëse të këtij takimi, Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia tha se “Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet fati i reformave në ekonomi, që përkthehet në paga dhe pensione më të larta, rrugë, ujësjellës, investime të mëdha që do të rrisin më tej standardin e jetesës në çdo skaj të vendit tone”.
Spahia vlerësoi se “nga këto reforma varet fati i integrimit në BE, ku shqiptarët synojmë të realizojnë ëndrrën e hershme”. Duke folur për rëndësinë e madhe që kanë zgjedhjet e 28 qershorit, Spahia tha se “Përmes këtyre zgjedhjeve PLL synon që të realizojë një përfaqësim real parlamentar, që do të krijojë mundësinë e përfshirjes dhe materializimit në politikat shtetërore dhe programet qeverisëse të parimeve tona, për një shtet të fortë dhe në dobi të qytetarëve, për shenjtërinë e pronës, ruajtjen dhe krijimin e mundësisë që shqiptarët kudo që ndodhen të ndihen bashkë në kulturë, ekonomi, zhvillim dhe të punojmë çdo ditë për ëndrrën tonë të madhe të bashkimit kombëtar”, u shpreh kryetari i PLL-së.
Në këtë kuvend elektoral të PLL-së u prezantuan 32 kandidatë të kësaj force politike për qarkun e Tiranës, ku spikasnin emra të njohur akademikësh dhe figura aktive në jetën publike.
Kuvendin e kësaj partie e përshëndeti edhe Kryetari i Partisë Demokratike, dega Tiranë, Aldo Bumçi, i cili deklaroi dje se “transformimi i jetës së shqiptarëve në këto katër vite do të sjellë fitore të koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit”.
Kuvendin e PLL-së e përshëndeti dhe Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo, i cili vlerësoi se “legalistët dhe republikanët i bashkon ideja e të qenit të djathtë, koncepti i pronës, i familjes dhe i shoqërisë”.
Godo ka uruar “fitore të koalicionit të djathtë me në krye Kryeministrin Sali Berisha, sepse reformat dhe ndryshimet e mëdha që ka përjetuar Shqipëria në këto 4 vite, duhet t'i çojnë deri në fund ata njerëz vitalë që i ideuan”, theksoi Godo.