Rikthehet rreziku i bojkotit. Edvinin nuk e shpëtojnë as sms-të mashtruese

Dëshpërimi po e çon Edvinin në fazën e një mashtruesi të pashpresë, i cili përhap rrena si grua e keqe, lidhur me ndryshimet që mund t’i ndodhkan listës së kandidatëve demokratë. Kryesocialisti me listë gramafonash dhe xhaketash të vjetra po kombinon mashtrimet me sulmet ndaj flamurtarëve të listës së PD-së, ndërkohë që shqetësimet më të mëdha atij po i vijnë në qarqet ku kujtonte se ndihej më i forti, si në Fier apo Berat. Dëshpërimi po sjell edhe humbjen e arsyes në marrëdhëniet e PS-së me KQZ-në
TIRANE – Edi Rama, i gjendur për ditë e më shumë nën trysninë e humbjes së zgjedhjeve, në kushte e mungesë së alternativave, kur edhe kandidatët e tij po humbasin për çdo natë debatet publike nëpër televizione, ka zgjedhur “diversitetin” ndër kandidatët e PD-ës, me shpresën e dekurajimit të tyre në këtë garë elektorale.
Gjatë ditës së djeshme, mësohet se kandidatëve të PD-së në Berat, u janë dërguar SMS, nga emisarët e Edi Ramës, ku “informoheshin” se ata ishin zhvendosur nga renditja e listës së bërë publike, çuditërisht disa vende më poshtë. Kjo gënjeshtër e trashë, afërmendsh që nuk ka “ngjitur” tek kandidatët e PD-ës, por janë “çuditur” vetëm me faktin që këtë zhvendosje imagjinare, e merrnin vesh në formën e “të qarit të hallit”, nga emisarët socialistë të Edi Ramës.
Tekste të tilla SMS-ësh, mësohet se ju kanë mbërritur edhe kandidatëve të PD-së në Fier e Shkodër, ku ju thuhej se “ju kanë zhvendosur nga vendi ‘x’ në listë, duke ju zbritur në vendin ’y’”.
Por as kandidatët e Shkodrës, nuk e kanë konsideruar këtë komunikim, duke i konsideruar këto SMS si ca shaka të emisarëve të Edi Ramës, që duket se alternativa e vetme që u ka ngelur eshte zhvendosja e dëshpërimit të humbjes, me SMS dizinformuese.
Dëshpërimi i Edi Ramës është dukur që prej dy ditësh, me çuarjen më tej të alibisë së humbjes, duke i shpallur luftë KQZ-së.
Kjo tentativë e Edi Ramës është denoncuar dje nga PD-ja. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, zëdhënësja e PD-së ka bërë të ditur se, “Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet dhe trillimet e Edi Ramës si të pavërteta dhe deklaron se po procedon çdo gjë në përputhje të plotë me Ligjin dhe Kodin Elektoral”.
Zëdhënësja e PD-së, u shpreh se Edi Rama, i cili u fsheh nga lista e gramafonave dhe xhaketave të vjetra të PS-së, gjen edhe kurajën të sulmojë listat e Partisë Demokratike.
“Edi Rama, i cili për vete ja mbathi nga lista e Partisë Socialiste dhe që ka krijuar një listë me gramafona dhe leje ndërtimi, pati dhe kurajën të sulmojë listat e Partisë Demokratike”, tha zëdhënësja e selisë së PD-së.
Zëdhënësja e PD-së shtoi se “ai që theu ligjin dhe Kodin Elektoral në dorëzimin e listave është Rama, të cilin xhaketat e vjetra por dhe gramafonat e rinj nuk e lejuan të dorëzonte atë pa vendosur veten në krye të saj. Përpjekjet që vazhduan gjithë natën përfunduan me një listë pa kokë, me një listë e cila është unike në historinë e pluralizmit të Shqipërisë dhe Evropës për shkak se për herë të parë një Kryetar Partie që pretendon të udhëheqë fushatën elektorale refuzon në mënyrë kategorike të vendosë emrin e tij në listë duke firmosur kështu kapitullimin para se të nisë beteja”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Demokratike.