Mazhoranca e vendosur per kandidaturen konsensuale te Zaganjorit

Mazhoranca është e vendosur të bëjë president Xhezair Zaganjorin, në kushtet kur opozita e Ramës edhe pasi pranoi të përfshihej në procesin e bisedimeve nuk ofron asnjë alternativë dhe nga ana tjetër nuk jep asnjë argument kundër profilit të kandidatit që mazhoranca vendosi ta ofronte si konsensual. Pas kryeministrit Berisha dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, edhe kryerepublikani Fatmir Mediu thekson se shumica parlamentare ka treguar seriozitet dhe përgjegjshmëri kur arriti tek emri i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, post të cilin e mori si propozim i PS-së, por dhe me votat e opozitës së djathtë në fund të dhjetorit 2002.
Por nëse PS këmbëngul që të mos i japë konsensus Zaganjorit, kjo nuk do të thotë që ai të mos vijojë të jetë kandidati i mazhorancës edhe në raundin e katërt, kur presidentit zgjidhet me të paktën 71 vota.
Edi Paloka nënkryetar i Grupit Parlamentar demokrat thekson dhe nje herë se Rama nuk duhet të kërkojë emra të tjerë nga mazhoranca, e cila bëri tërheqjen e saj për të mos futur në proces kandidatura politike. Edhe deputeti demokrat Fatbardh Kadilli shprehu të njëjtin qendrim në “ABC News”.
Por ndërsa Rama vijon të flasë për proces, duke mos i kontribuar atij me një emër që do të gëzonte konsensus, mazhoranca konstaton atë që i druhej që në fillim: Rama nuk është i interesuar t’i japë vendit një kryetar shteti me pëlqimin e të dy palëve.
Kreu i mazhorancës deklaroi një ditë pas takimit me kryesocialistin Rama se opozita duhet të shqyrtojë kandidaturën e Zaganjorit ose të ofrojë kandidat alternativ në mënyrë që të futet në një proces konsultimi, por theksoi se çdo propozim eventual nuk duhet të jetë poshtë nivelit të kandidatit të ofruar nga mazhoranca.