Mazhoranca, e vendosur të zbatojë frymën kushtetuese lidhur me emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë
Partia Demokratike ka reaguar dje në lidhje me debatin e ditëve të fundit që ka të bëjë me emërimin e anëtarëve të gjykatës së lartë dhe kompetencat që ushtrojnë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucioni i Kuvendit dhe Presidenti i Republikës. Në këtë drejtim, deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi shprehu dje vendosmërinë e mazhorancës për të zbatuar frymën kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Asnjë formë presioni nuk do ta lëkundë maxhorancën që të zbatojë frymën kushtetuese dhe vendimet interpretuese të Gjykatës Kushtetuese, në emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë”, u shpreh deputeti Bumçi gjatë një konference për shtyp. Duke reaguar ndaj “sulmit dhe revanshit politik”, sikurse e cilësoi ai, presionin e ditëve të fundit të ushtruar nga PS, “për t’i imponuar shumicës të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ne deklarojmë se kjo është një përpjekje sa primitive, aq edhe e dështuar, pasi e gjithë çështja bazohet në një terren juridik, kushtetues të sqaruar më së miri nga vendimi i Kushtetueses i 18 janarit 2005”, tha Bumçi. “Sistemi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit”, citoi më tej Bumçi vendimin në fjalë. Sipas tij, Kushtetuesja përcakton se Kuvendi i Shqipërisë në rastet e shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë ose Gjykatës Kushtetuese ka kompetencë të shqyrtojë, jo vetëm përmbushjen e kritereve formale, por edhe meritën e emërimit të tyre. Duke vijuar citimin e këtij vendimi Bumçi, tha se “interpretimi, sipas të cilit emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese i përket në mënyrë ekskluzive një organi politik me natyrë individuale siç është Kreu i shtetit, nuk do të ishte në pajtim me standardet e përcaktuara të fushës. Nga e drejta kushtetuese e krahasuar del gjithashtu se emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ose të asaj Kushtetuese duhet të dalë nga kooperimi institucional ose si një proçedurë ekskluzivisht ose pothuajse parlamentare”. Kjo cështje që mori përmasat politike dhe mediatike pas dekretimit të 5 gjyqatrëve të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës dhe vonesat në miratimin e tyre me votim të përgjithshëm nga ana e Kuvendit. Kjo vonesë është konsideruar nga eksponentë të së majtës si një bllokim që i bëhet dekretit të Presidentit, por reagimi i kryetares së Kuvendit, ka bërë që opozita të kërkojë edhe një mocion ndaj saj. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka bërë të ditur se “emërimi i gjyqtarëve është një proçes që kërkon koordinimin e punës ndërmjet institucionit të Kuvendit dhe atij të Presidentit, për gjetjen e konsensusit”. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, institucioni i Kuvendit dhe ai i Presidencës, si institucionet kryesore të shtetit, duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur një konsensus për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i jep meritën e emërimit Kuvendit, por në të njëjtën kohë thotë se institucioni i Presidentit dhe institucioni i Kuvendit duhet të bashkërendojnë punën për të gjetur konsensusin. Presidenti dekretoi pak ditë më parë Artan Zenelin, Kristaq Trajën dhe Zamir Podën si anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që pritet miratimi i tyre nga Kuvendi.