Mazhoranca humbet kuorumin, opozita bllokon votimin
Grupi i PS-së nuk ka lejuar dje të votohen dy projektligjet për fushën e energjisë, pasi mazhoranca kishte në sallë vetëm 66 deputetë.
E djathta ka qenë cunguar në numra dje në Kuvend, gjë që ka bërë që ajo të humbasë mazhorancën e duhur prej 71 votash, çka është përdorur nga opozita, e cila nuk e ka lejuar atë që të vijojë votimin e dy projektligjeve që ndodheshin dje në rend të ditës. Bëhet fjalë për projektligjin “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike” dhe “Për sektorin e energjisë elektrike”, të cilët për hir të së vërtetës shkaktuan jo pak debate gjatë shqyrtimit të tyre në parim. Para se të kalonin në proces votimi, kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka kërkuar dhjetë minuta pushim për të zhvilluar një mbledhje të shkurtër të grupit të tij parlamentar, ku është vendosur që meqenëse shumicës qeverisëse i mungonin shumë deputetë në sallë, si kryeministri Sali Berisha, ministri Ritvan Bode, deputetët Mehmet Xheka, Gazmend Oketa, Dashnor Sula, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi, të lejojë votimin vetëm për Kodin Ajror dhe të bllokojë atë për dy projektligjet e mësipërm. Ndaj me rifillimin e seancës deputetët e majtë kanë votuar për Kodin Ajror dhe më pas Ruçi duke marrë fjalën ka sqaruar se grupi i tij parlamentar do tërhiqte kartat nga aparatet e votimit, në mënyrë që mazhoranca të mos kishte kuorumin e nevojshëm prej 71 votash për të vijuar votimin. Kjo ka detyruar kryetaren e Kuvendit që të shtyjë votimin e dy projektligjeve për seancën e sotme.
Faturat
Me ndryshimin e bërë në ligj, edhe faturat e energjisë të lëshuara nga KESH, OST dhe operatorë të tjerë do të trajtohen si titull ekzekutiv. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe me ndryshimet përkatëse të miratuara dje, synon që fatura e konsumit të energjisë elektrike të trajtohet si titull ekzekutiv. Çka do të thotë se vlera e faturës paguhet menjëherë dhe nëse ka mosdakordësi më pas apelohet në gjykatë. Deri tani titull ekzekutiv janë trajtuar vetëm faturat e CEZ ndaj konsumatorëve dhe jo ato të KESH ndaj CEZ. Duke e konsideruar tashmë faturën e konsumit të energjisë elektrike si titull ekzekutiv, si një ndihmesë për operatorin e shpërndarjes së energjisë elektrike si dhe nga eksperienca e fituar nga zbatimi i ligjit për faturat e energjisë elektrike të emetuara nga shoqëria e shpërndarjes së energjisë elektrike, trajtuar si titull ekzekutiv, ka treguar se ajo ka qenë e suksesshme dhe ka rregulluar marrëdhëniet financiare të palëve kontraktuese. Meqenëse tashmë në tregun e energjisë elektrike kanë hyrë dhe operatorë të tjerë me kapital privat apo shtetëror, METE propozon që ky titull ekzekutiv të veprojë për të gjithë këta operatorë. Për këtë qëllim, METE ka propozuar që në ligjin ekzistues të bëhet një ndryshim i cili parashikon që të konsiderohen si tituj ekzekutivë jo vetëm faturat tatimore për furnizimin me energji elektrike të emetuara nga CEZ Shpërndarje, por edhe ato të emetuara nga operatorët e tjerë për shitjen, blerjen, dhe kryerjen e shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike. Me këtë ndryshim unifikohet trajtimi si titull ekzekutiv i të gjitha faturave për blerjet, shitjet dhe shërbimet që kryhen nga të gjithë operatorët në tregun e energjisë elektrike si: KESH sh.a., CEZ Shpërndarje, OST dhe operatorëve të tjerë.
Energjia
Në seancën e djeshme është diskutuar edhe një projektligj i dytë për fushën e energjisë, ai "Për energjinë", i cili synon të realizojë hapjen dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri, duke ndryshuar skemën e furnizimit në tregun e energjisë, ku veç Klientëve Tariforë, që furnizohen me energji me çmime të rregulluara nga ERE, do të futen dhe Klientë të Kualifikuar, që do të furnizohen përmes Furnizuesve të Kualifikuar. Ndonëse në treg ERE ka licencuar vitet e fundit disa Klientë të Kualifikuar, ata u kthyen në Klientë Tariforë, duke u furnizuar nga ÇEZ-i me energji elektrike, që prodhohet dhe sigurohet nga KESH-i, por me tarifa të rregulluara. Ndaj këtij projektligji ka dalë kundër një numër jo i vogël biznesesh të mëdha, si “Siement Albania”, ACR, Korum, Armo etj., të cilat sipas projektligjit duhet që duke filluar nga Janari ta gjejnë vetë tregun ku do të blejnë energjinë elektrike.