E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi Ajror miratohet me votë unanime, socialistët i binden vendimit të grupit

Deputetët socialistë i janë bindur urdhrit të kryetarit të tyre Edi Rama për të respektuar vendimet e grupit dhe dje të gjithë pa përjashtim kanë bashkuar votat me kolegët e tyre demokratë dhe votuar pro Kodit Ajror, pavarësisht dallimeve që shprehën gjatë diskutimit të tij në parim. Kështu, Kodi ka marrë 119 vota pro dhe asnjë kundër e abstenim, ndërkohë që 7 deputetë të pranishëm në sallë nuk kanë preferuar të votojnë. Ky ishte dhe votimi i parë në të cilin socialistët kanë respektuar në radhë të parë paktin dhe së dyti vendimin e grupit të tyre, për të unifikuar votën gjatë vendimeve politike. Ndërkohë që para se të arrihej në këtë pikë, gjatë diskutimit të projektligjit në parim, marrëveshja mes PD e PS për të votuar ligjet me 3/5 është rrezikuar së tepërmi, pasi nënkryetari socialist i komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, ka paralajmëruar se grupi në të cilin ai bën pjesë nuk do të jepte konsensusin për draftin e paraqitur dje në sallë. Ai ka kërkuar nga mazhoranca që të marrë parasysh amendimet e paraqitura prej tij në komision dhe dje në Kuvend. Për të mos rrezikuar paktin, demokratët janë tërhequr dhe kanë gjetur një zgjidhje procedurale, duke kërkuar kohë nga drejtuesi i seancës për të mbledhur dhe një herë komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për të diskutuar edhe një herë propozimet e Shalsit. Veprim ky që ka rezultuar i suksesshëm, pasi gjatë mbledhjes së komisionit palët kanë gjetur mirëkuptimin dhe janë paraqitur në seancë me një qëndrim të unifikuar. Diskutimi i projektligjit në seancë ka sjellë edhe debate mes përfaqësuesve të opozitës, Sajmir Tahiri e Eduart Shalsi nga njëra anë dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, nga ana tjetër. Deputetët socialistë akuzuan ministrin se ka vendosur situatën e monopolit në transportin ajror, duke bërë që të mbyllen një sërë kompanish të tjera shqiptare, siç ishte rasti i fundit ai i “Albanian Airline”. Gjithashtu ata kanë deklaruar se drejtoria e Aviacionit Civil nuk përmbush kriteret e përcaktuara nga KE, pasi sipas tyre administrata e saj është e mbushur me militantë partiak, por duke replikuar ministri Olldashi ka hedhur poshtë këto akuza, pasi për çështjen e parë ka deklaruar se s’ka situatë monopoli, sepse në vend operojnë dhe disa kompani të huaja fluturimi, ndërsa për akuzën e dytë ka sqaruar se Drejtoria e Aviacionit Civil nuk ka të emëruar partiak, ndërsa ka pranuar se vendi ynë vuan për specialistë të fushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›