E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Rrugor, tërhiqet maxhoranca, 2-fishohen gjobat për shoferët

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-11-2011 12:57

Maxhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin për penalizimet në Kodin

Rrugor, duke i dyfishuar dhe jo katërfishuar. Pranohet propozimi i PS-së për faljen 20% të gjobës nëse paguhet 5 ditët e para

Mazhoranca tërhiqet nga nisma e saj për katërfishimin e gjobave për drejtuesit e mjeteve të qarkullimit rrugor dhe pranon vetëm dyfishimin e tyre. Konsensusi ka qenë i detyruar dje në komisionin e Ligjeve, ku të djathtët, për shkak të votave që duhen për t’i miratuar këto ndryshime, kanë pranuar propozimin e socialistëve për t’i dyfishuar gjobat nga niveli i tyre aktual. Marrëveshja është bërë e mundur të arrihet gjatë mbledhjes së djeshme që ka zhvilluar komisioni i Ligjeve në ambientet pranë sallës së seancave plenare, ku për më shumë se një orë shumica dhe pakica parlamentare kanë diskutuar në mënyrë përfundimtare draftin e paraqitur nga qeveria, duke pranuar në të njëjtën kohë dhe disa propozime të ardhura nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

Mbledhja

Komisioni i Ligjeve është detyruar ta zhvillojë dje, gjatë kohës që zhvillohej seanca plenare, mbledhjen e tij për të miratuar ndryshimet në Kodin Rrugor dhe për t’i hapur rrugë kështu miratimit gjatë javës së ardhshme në seancë plenare. Mbledhja, për shkak se ka qenë e detyruar t’i zhvillojë punimet në ambientet e selisë së seancave plenare, është zhvilluar pa praninë e mediave, çka duket se ka ndikuar pozitivisht që të dyja palët në tryezën e komisionit të gjenin konsensusin e shumëpritur. Kështu, burime nga mbledhja kanë siguruar se, pavarësisht diskutimeve për përmbajtjen e nismës, mbledhja ka vijuar normalisht dhe palët kanë mundur të negociojnë për të gjetur gjuhën për të ulur së pari masën e gjobave të propozuara nga Ministria e Transporteve. Kështu, në fund të debatit ka mbizotëruar logjika e shprehur nga socialistët, se masa e gjobave të propozuara në këtë projektligj del jashtë logjikës dhe kushteve ekonomike në të cilat ndodhen shqiptarët. Ndaj mazhoranca, edhe për shkak se për të miratuar këtë nismë kërkohen të paktën 84 vota, është detyruar të pranojë propozimin e socialistëve dhe ka pranuar që nisma e ardhur nga ekzekutivi të ndryshojë në të gjitha masat administrative me gjobë. Tashmë, në mënyrë përfundimtare (drafti duhet të kalojë sot edhe në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese si komisioni përgjegjës) gjobat e propozuara në projektligj nga katërfishim që u bëhej, do të dyfishohen në krahasim ne nivelin aktual të Kodit Rrugor. Ndër shkeljet më të shpeshta të Kodit Rrugor është ajo e tejkalimit të masës së shpejtësisë, për të cilën tashmë përcaktohet se, cilido që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/ orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë. Ndërkohë, tejkalimin e shpejtësisë me më shumë se 10 km/ orë dhe jo me më shumë se 20km /orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe tejkalimi i shpejtësisë me më shumë se 20 km/ orë ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Po kështu janë përgjysmuar edhe vlerat e tjera të gjobave për masat administrative, ndërkohë që dje në komisionin e Ligjeve nuk janë diskutuar propozimet e paraqitura nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe ku përfshiheshin dhe masa me burg për ata që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur.

Propozimet

Konsensusi mes pozitës dhe opozitës në komisionin e Ligjeve është bërë i mundur edhe falë vullnetit të mazhorancës për të pranuar një sërë propozimesh të paraqitura nga deputetja socialiste, Ermonela Felaj. Kështu, burime pranë mbledhjes kanë bërë të ditur se janë përcaktuar rregulla dhe masa administrative të veçanta për të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk kanë mbushur 3 vjet që kanë marrë patentën. Gjithashtu, një propozim tjetër i rëndësishëm është edhe ai që i jep mundësi çdo kundravajtësi që, në rast se e paguan gjobën brenda 5 ditëve nga vënia e saj, t’i falet 20 për qind e kësaj gjobe.

Drafti final i miratuar nga komisioni i Ligjeve

(Pjesët me italic janë propozimet e bëra nga Ermonela Felaj dje në komision)

Neni 1

Pas nenit 117, shtohet neni 117/1, me këtë përmbajtje ;

Neni 117/1

Kufizime për drejtuesit e motomjeteve

1. Zotëruesve të lejedrejtimeve vendase të grupit “A“, për tri vitet e para pas marrjes së lejedrejtimit dhe gjithashtu përpara mbushjes së moshës 21 vjeç, nuk u lejohet drejtimi i motomjeteve me fuqi prej 25 kw specifike referuar ngarkesës, ose 0,16kw/kg; 2. Në Rregulloren e Zbatimit të Kodit Rrugor janë të përcaktuara modalitetet e shënimit në lejen e qarkullimit të kufizimeve të parashikuara në paragrafin 1. Në mënyrë të njëjtë vendosen normat për mjetet në qarkullim nga data e hyrjes në fuqi e këtij Kodi;

3. Kufizimet për drejtimin e mjetit janë automatike dhe fillojnë nga data e kalimit të provimeve teorike dhe provave respektive për marrjen e lejedrejtimit, sipas nenit përkatës 119 të këtij Kodi;

4. Zotëruesi i lejedrejtimit shqiptar, i cili në tri vitet e para të marrjes së lejedrejtimit dhe gjithashtu përpara mbushjes së moshës 21 vjeç, qarkullon duke i tejkaluar limitet e shpejtësisë të mjeteve të përcaktuara në këtë nen, është subjekt i sanksionit administrativ të veçantë me gjobë në vlerën nga njëmijë lekë deri në katërmijë lekë. Shkelja e mësipërme, përveç masës administrative me gjobë ndëshkohet edhe me masën plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit nga dy deri në tetë muaj, në zbatim edhe të kërkesave të nenit 140 të këtij Kodi.

Neni 2

Në nenin 140 të bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:

Pika 7;

“7, Cilido që nuk respekton kufijtë minimalë të shpejtësisë ose kalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë me jo më shumë se 10 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Pika 8;

“8, Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 10 km/ orë dhe jo me më shumë se 20km /orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dymijë deri në tetëmijë lekë”.

Pika 9;

“9, Cilido që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëmijë deri në njëzetmijë lekë”. Si pasojë e kësaj shkeljeje merret masa administrative plotësuese me pezullimin e lejedrejtimit nga 1(një) deri në 3 (tre) muaj.

Në qoftë se shkelja është kryer nga një drejtues mjeti që e zotëron lejedrejtimin prej më pak se 3 vjetësh, pezullimi i lejedrejtimit bëhet për 3 (tre) deri në 6 (gjashtë) muaj.

Pika 10;

“10, Cilido që shkel dispozitat e pikës 4, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në dymijë lekë”.

Neni 3

Në nenin 141 të bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:

Fjalia e parë e pikës 10;

“10. Cilido që qarkullon kundravajtje në kthesat, në rakordimet konvekse ose në ndonjë rast tjetër me fushëpamje të kufizuar, ose që e përshkon karrexhatën kundërvajtje kur rruga është e ndarë në disa karrexhata të veçanta, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dymijë deri në tetëmijë lekë.

2.Pika 11 ;

“11. Cilido që shkel dispozitat e tjera të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 4

Pika 4 e nenit 142, ndryshohet si më poshtë vijon;

“4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 5

Pika 10, e nenit 143, ndryshohet si më poshtë vijon;

“10. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 6

Pika 2 e nenit 144, ndryshohet si më poshtë vijon;

“2. Cilido që nuk sillet në mënyrën e treguar nga sinjalizimi rrugor ose sipas normave përkatëse të akteve në zbatim si dhe sipas orientimit të policit të trafikut, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”. Janë përjashtuar masat e veçanta të parashikuara në nenet 6 dhe 7.”

Neni 7

Pika 5 e nenit 145, ndryshohet si më poshtë vijon;

“5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 8

Në nenin 146 bëhen këto ndryshime:

Pika 15 ndryshohet si më poshtë vijon:

“15. Cilido që kryen një parakalim pa zbatuar dispozitat e pikave 2, 3,4,5 e 8, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

2. Fjalia e parë dhe e dytë e pikës 16, ndryshohen si më poshtë vijon:

“Cilido që nuk zbaton ndalimet e parakalimit sipas pikave 9,10,11,12,13, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë. Kur nuk zbatohen ndalimet e parakalimit sipas pikës 14, masa administrative është me gjobë nga dymijë deri në tetëmijë lekë”.

Neni 9

Pika 4 e nenit 147, ndryshohet si më poshtë vijon;

“4. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 10

Pika 3 e nenit 150, ndryshohet si më poshtë vijon;

“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 11

Pika 11 e nenit 151, ndryshohet si më poshtë vijon;

“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni ose përdor në mënyrë të gabuar sistemet e sinjalizimit me ndriçim, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 12

Pika 7, e nenit 152, ndryshohet si më poshtë vijon;

“7. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 13

Pika 6, e nenit 156, ndryshohet si më poshtë vijon;

“6. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 14

Pika 5, e nenit 160, ndryshohet si më poshtë vijon;

“5. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 15

Pika 8 e nenit 162, ndryshohet si më poshtë vijon;

“8. Cilido që shkel dispozitat e pikave të mësipërme të këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 16

Pika 3 e nenit 163, ndryshohet si më poshtë vijon;

“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 17

Në nenin 167 bëhen këto ndryshime:

Pika 7 ndryshohet si më poshtë vijon:

“7. Cilido që drejton mjete ose trolejbusë të destinuar për transportin e njerëzve, duke përjashtuar autoveturat që kanë një numër pasagjerësh dhe një ngarkesë të përgjithshme më të madhe se vlerat maksimale të treguara në lejet e qarkullimit si dhe që transportojnë një numër pasagjerësh më të madh nga ai i treguar në lejeqarkullimin, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dymijë deri në tetëmijë lekë”.

Pika 9 ndryshohet si më poshtë vijon:

“9. Cilido që shkel dispozitat e mësipërme, kur bëhet fjalë për autovetura, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dymijë deri në tetëmijë lekë”.

Pika 10 ndryshohet si më poshtë vijon:

“10. Cilido që shkel dispozitat e treguara ne pikën 6, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në katërmijë lekë”.

Neni 18

Pika 2 e nenit 169, ndryshohet si më poshtë vijon;

“2. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në dymijë lekë”. Kur shkeljen e kryen një pasagjer në moshë jo madhore, përgjegjësinë e mban drejtuesi i mjetit”.

Neni 19

Pika 8 e nenit 170, ndryshohet si më poshtë vijon;

“8. Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit të parashikuara për pasagjerët deri në 12 vjeç, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga njëmijë deri në dymijë lekë”.Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit, ose kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e kësaj fëmije”.

Neni 20

Pika 3 e nenit 171, ndryshohet si më poshtë vijon;

“3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga pesëqind deri në dymijë lekë”.

Neni 21

Në nenin 178 të bëhen ndryshime si më poshtë vijon;

1.Pika 1;

“ 1. Për të qarkulluar me mjete me motor, drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete këto dokumente:

a) lejeqarkullimin;

b) lejedrejtimin të vlefshëm për kategorinë përkatëse të mjetit;

c)autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit që i korrespondon kategorisë së mjetit sipas shkronjës b), për të cilin ushtrohet, si dhe një dokument identifikimi;

d) certifikatën e kontrollit teknik për mjetin e transportit rrugor;

e) certifikatën e sigurimit të detyruar;

f) dokumentin e taksës së zotërimit të mjetit.

2. Pika 3;

“3.Drejtuesi i mjetit duhet të ketë me vete edhe autorizimin ose lejen e transportit, kur mjeti shfrytëzohet në një nga përdorimet e parashikuara në nenet 81 deri 84.

Neni 22

Pika 4 e nenit 185 ndryshohet si më poshtë vijon:

“4. Ndaj përdoruesve të lëndëve narkotike droguese ose psikotrope, të zbatohen dispozitat e përcaktuara sipas pikave 2, 3, 5 të nenit 184”.

Neni 23

Në nenin 187 bëhen këto ndryshime:

Pika 6 ndryshohet si më poshtë vijon:

“6. Për cilindo, që në kushtet e treguara në pikën 1 nuk zbaton detyrimin e ndalimit në rast aksidenti, vetëm me dëme materiale, zbatohet masa administrative me gjobë dy mijë deri në tetë mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj”.

Pika 10 ndryshohet si më poshtë vijon:

“10. Cilido që nuk zbaton dispozitat e pikave2, 4 dhe 5, ndëshkohet me masë administrative, me gjobë nga dy mijë deri në tetë mijë lekë”.

Neni 24

Pika 2 e nenit 203 ndryshohet si më poshtë vijon;

“2. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundravajtësi bëhet brenda 5 ditësh nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet në masën 20% të vlerës .Pagesa bëhet në zyrat administrative të përcaktuara”.

Pika 3;

“3. Shuma e të ardhurave në masën 60% nga gjobat, 50% e saj të kalojnë në zërin fondi i sigurisë rrugore pranë Komisionit Ndërministror të Sigurisë Rrugore me destinacionin e mësipërm, ndërkohë që pjesa tjetër të mbetet për përmirësimin e shërbimit të Policisë Rrugore.

Të ardhurat nga gjobat e vendosura pronarit të mjetit të transportit, kur nuk ka lidhur kontratat e sigurimit të detyrueshëm, bëhen pjesë e fondit të kompensimit, të parashikuar nga neni 45 i ligjit Nr.10 076 dat 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Neni 25

Neni 204 ndryshohet si më poshtë vijon:

Parashkrimi i së drejtës për vjeljen e shumave të detyruara nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga ky Kod, është rregulluar me ligjin Nr.10279, datë 20.05.2010 “Për kundërvajtjet administrative”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›