E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca kërkon numërimin e 403 votave, PS-ja tenton bllokimin e punës së KQZ-së

31-05-2011 / Gazeta 55

Fillon shqyrtimi i kërkesës për numërimin e votave të kontestuara në 26 kuti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori dje në shqyrtim ankesat e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste si dhe një ankesë të Partisë Popullore e Pensionistëve. Në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë kërkuar pezullimin e shqyrtimit të tabelës për rezultatin e Tiranës pasi sipas tyre çështja është në Kolegjin Zgjedhor.
“Thelbi i ankimit është i njëjtë. Gjykimi im është që kërkesa për pezullim deri në shprehjen e Kolegjit Zgjedhor për këtë çështje është e drejtë dhe këtë e parashikon dhe Kodi Zgjedhor”, tha nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi.
Sipas saj, nuk ka vlerë që një ankimim të shqyrtohet nga dy institucione njëkohësisht. “Ankimet për rezultatin përfundimtar, tabela përmbledhëse që përmbysi rezultatin e Tiranës pritet të shqyrtohet këtu, ndërkohë që kjo çështje tashmë po shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor”, theksoi më tej ajo Subashi.
“KQZ duhet të pezullojë këtë gjykim, pasi kjo është një e drejtë proceduriale që po gjykohet nga një organ më i lartë gjyqësor, siç është Kolegji Zgjedhor”, tha anëtari i KQZ, i propozuar nga PS, Artan Laze.
Por, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, u shpreh kundër këtij pezullimi, duke theksuar se shqyrtimi i ankimimeve duhet të vijojë.
“Përderisa ankimimet janë të argumentuara dhe të dorëzuara brenda rregullave që Kodi Zgjedhor parashikon nuk ka pse të mos merren në shqyrtim, u shprehën përfaqësues të PD në KQZ duke shtuar se KQZ-ja duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi ankimimet janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara. Ndërsa përfaqësuesit e djathtë kanë qenë kundër pezullimit të ankimimit duke shtuar se KQZ-ja duhet të vijojë me rendin e ditës, pasi ankimimet janë bërë me vullnet të lirë të vetë subjekteve të interesuara”, deklaroi Kosovrasti.
Pas debateve të shumta kërkesa e PS për pezullimin e shqyrtimit të ankimimeve u hodh poshtë me votim nga anëtarët e KQZ dhe Komisioni vijoi rendin e ditës me shqyrtimin e ankimimeve.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke hedhur poshtë propozimin e socialistëve, tha se “kërkesa për pezullim duhej bërë bashkë me padinë e themelit në gjykatë, por nga PS u zgjodh kjo rrugë që synon të pengojë punën e KQZ-së për të përmbyllur detyrat e saj ligjore”.
Kërkesa e parë e PS-së ka për objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me miratimin e tabelës së KZAZ-së Nr. 49, që i përket Njësisë Bashkiake Nr. 5, ku kërkohet pavlefshmëria e vendimeve të marra nga KQZ, për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të KZAZ-së Nr. 49. Ndërkohë që kërkesa e dytë kundërshton vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë”, me arsyetimin se vendimi është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ-së.
PD në kërkesën ankimore, kundërshton vendimin e KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë”, me arsyetimin se, në rezultat duhej të përfshiheshin të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të bashkisë Tiranë.

KQZ mbledh provat, jep sot vendimin për ankesat e depozituara

Tabela përmbledhëse për kryebashkiakun e Tiranës dhe faktet e paraqitura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për parregullsitë e vërejtura u bënë objekt debatesh në mbledhjen e djeshme, duke bërë që KQZ ta shtyjë për sot vendimin lidhur me ankesat e dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
KQZ vendosi të marrë si prova faktet e paraqitura mbi parregullsitë në qendrat e votimit, procesverbalet e grupeve të numërimit, librat e protokolleve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 09:30 për të vendosur për dy ankesat e PS-së e PD-së. Demokratët kërkojnë nga KQZ verifikimin e votave të kontestuara gjatë procesit të numërimit në Tiranë në 26 Qendra Votimi, ku gjatë numërimit ka pasur vërejtje për fletë të ndryshme votimi, që janë klasifikuar si të kontestuar. Ndërsa kërkesa e paraqitur në KQZ nga Partia Socialiste kërkon hedhjen poshtë të rezultatit të KZAZ-së nr. 49, që i përket njësisë bashkiake 5 dhe vendimin e KQZ-së për tabelën përmbledhëse të bashkisë së Tiranës.
Dje KQZ vendosi unanimisht të rrëzojë pretendimet e PS për pezullimin e tre animimeve, në pritje të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Kërkesa u rrëzua, me argumentin se ankimimet në KQZ dhe atë në Kolegjin Zgjedhor janë të ndryshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›