E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca kryqëzon hetuesin e para viteve ‘90

07/07/2010 Komision i Ligjeve mbyll seancat dëgjimore për të tre kandidatët në Gjykatën e Lartë

Komisioni parlamentar i Ligjeve mbylli me kandidatin e tretë për anëtar në Gjykatën e Lartë, Vexhi Muçmataj, serinë e seancave dëgjimore. Ndërsa deputetët opozitës ndërhynë shumë pak me pyetjet e tyre për të bërë transparencën e veprimtarisë profesionale të Muçmatës, ata të mazhorancës, përkundrazi, u përqendruan në këtë pikë të diskutimit. Ata këmbëngulën në marrjen e një informacioni të hollësishëm për veprimtarinë e kandidatit në gjyqësor, veçanërisht para viteve ’90, kohë kur ai ka ushtruar detyrën e tij si hetues, kohë kur ka qenë edhe anëtar i Partisë së Punës. “Për shkak të kohës së gjatë nuk mbaj mend saktësisht që të kem hetuar çështje të natyrave politike që parashikoheshin në legjislacionin e kohës. Nëse do të më kujtohej ndonjë, do ta thosha para këtij komisioni, se nuk kam pse ta fsheh. Ajo është me dokumente. Por pjesëmarrja ime, e theksoj, nuk ka qenë për akte kryesore, siç janë aktet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Nuk kam pasur të drejtën e arrestit, nuk kam pasur të drejtën e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe të kërkesës për fajësi apo kërkesë dënimi”, tha Muçmata, duke i sugjeruar ligjvënësit të kontrollonin dokumentet e kohës. E njëjta përgjigje mohuese e kandidatit erdhi edhe pas dyshimeve të ngritura nga deputeti Enkelejd Alibeaj mbi një vendim të para 24 vjetëve. “Në vitin 1986 dy vetë u arrestuan, u hetuan dhe përfundimisht fundi i tyre ishte nën dhe. Dini ju gjë për këtë histori?”, pyeti ish-ministri i Drejtësisë. Ndërsa sekretari i komisionit, demokrati Eduard Halimi ka ngritur pikëpyetje edhe mbi temperamentin e tij. “Një shok i asaj kohe thotë se ju keni tipare të gjaknxehtësisë, keni shfaqur tipare të gjaknxehtësisë, por më vonë keni bërë autokritikë”, tha ai. Për këtë, Muçmataj deklaroi se në karakterin e tij nuk ka shfaqje të tilla, pasi është një natyrë krejt e qetë. Për sa i takon veprimtarisë së tij si prokuror i Tiranës, sërish deputeti Alibeaj ngriti dyshime mbi lidhjet e kandidatit me arrestimin e një personi me të cilin kishte konflikt pronësie për një kompani private, ku Muçmata kishte aksione. “Familja Kekezi ka një problem me shoqërinë “Kastrati”: pretendojnë pronësinë e një karburanti. Njëri prej pinjollëve të familjes Kekezi, e gjen veten të arrestuar nga prokuroria e Tiranës. Prokurori ishit ju, pretendon ai, që për shkak se ju kishit interesa aksioni te shoqëria “Kastrati”, keni ushtruar presion ndaj kundërshtarit gjyqësish civil”, tha deputeti i PD-së. Por Muçmata deklaroi se nuk e njihte as personin, as rastin në fjalë. Ashtu si edhe kandidatët e mëparshëm për Gjykatën e Lartë, edhe Muçmata deklaroi se gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka punuar duke zbatuar dhe respektuar ligjin dhe se nuk është ndikuar politikisht në vendimet e tij. “Në të gjitha funksionet që kam ushtruar, në asnjë rast nuk kam pasur ndikime politike për sa i takon zgjidhjes së çështjeve, edhe kur kam qenë në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe kur kam qenë në prokurorinë e rrethit”, tha Muçmata. Komisioni do të diskutojë sot relacionin për të tre kandidatët, për t’ia përcjellë më pas Kuvendit për miratim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›