E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ftesa e PD-së? S’bëjmë dialog për të arnuar një ligj këtu e një ligj atje

“Kemi nisur një proces konsultimesh me ekspertë dhe konstitucionalistë për të analizuar dhe adresuar këtë domosdoshmëri, duke shprehur edhe publikisht vullnetin tonë, që të reflektojmë mbi gabimet që mund të jenë bërë në procesin e ndryshimeve kushtetuese”

Partia Socialiste i thotë “Jo” ftesës së demokratëve për të nisur sa më parë reformën zgjedhore. Megjithëse ka refuzuar të kthejë një përgjigje zyrtare me letër, ashtu siç edhe erdhi ftesa nga ana e kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, selia rozë e ka bërë të ditur qëndrimin e saj negativ me anë të kryetarit të saj Edi Rama, i cili dje gjatë një interviste dhënë për “Top Channel” ka deklaruar se PS-ja nuk mund të bëhet pjesë e një procesi arnimi ligjesh. Ai, ashtu si edhe në letrën që i nisi dy ditë më parë përfaqësuesve të lartë të BE-së, komisioneres për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, dhe komisionerit të zgjerimit, Stefan Fule, Rama ka theksuar se PS do të bëhej pjesë vetëm e një procesi të gjerë reformash institucionale e kushtetuese. “Nuk bëhet fjalë për arna dhe nuk bëjmë asnjë lloj dialogu për të arnuar një ligj këtu, e një ligj atje, por bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të jetë serioz, i denjë për një vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, i garantuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe me fokus ringritjen e shtetit të rënë të së drejtës”, - u shpreh Rama gjatë kësaj interviste. Lidhur me këtë reformë të gjerë që kërkon PS-ja, Rama ka bërë të ditur se tashmë kjo forcë politike ka nisur konsultimet me ekspertët e fushës për të nxjerrë në fund një paketë propozimesh konkrete që do të kërkoheshin të bëheshin në ligjin themeltar të shtetit, duke pranuar në të njëjtën kohë se ndryshimet e ndodhura tre vite më parë ishin të gabuara. “Kemi nisur një proces konsultimesh me ekspertë, konstitucionalistë dhe opinionistë për të analizuar dhe adresuar këtë domosdoshmëri, duke shprehur edhe publikisht vullnetin tonë, që të reflektojmë mbi gabimet që mund të jenë bërë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, gabime që nuk duhet t'i kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por duhen korrigjuar edhe në funksion të përmbushjes së të gjitha atyre detyrimeve të shtruara qartë nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë”, - tha Rama. Ndërkohë që përsa i përket zgjedhjeve në Tiranë, Rama ka rikonfirmuar qëndrimin e PS-së se kërkon që të evidentohet se opozitës iu vodh mandati në Tiranë, dhe kjo, jo për të ndryshuar rezultatin, por në funksion të nevojës për një reformim të thellë. “Jo se kjo do të ndryshonte gjësend në rezultatin e një grabitjeje të vulosur me vendim gjykate, por pa asnjë dyshim do të krijonte bazën për të hapur një proces serioz reformimi të thellë kushtetues, ligjor, institucional dhe njëkohësisht implementimi të asaj që ligjërohet”, - tha Rama. Pavarësisht zhvillimeve të tanishme politike dhe zgjedhjeve të shkuara vendore, Rama është shprehur i sigurt se PS do t’i fitojë zgjedhjet e 2013-s si alternativë qeverisëse. “Ne i fituam zgjedhjet e 8 Majit, si një rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do t'i fitojmë si një alternativë qeverisëse. Pyetja që me të drejtë bëjnë të gjithë shqiptarët është kush jemi ne, Partia Socialiste dhe opozita, pse dhe si ne do ta garantojmë këtë ndryshim? Ne ju sigurojmë se kjo pyetje do të marrë përgjigjen që meriton dhe Shqipëria do të kthehet më shpejt se vonë në rrugën e aspiratës së saj të madhe europiane”, - përfundoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›