Mazhoranca rrezon ligjin per minatoret
Megjithe ngulmimin e opozites per aprovimin e projektligjit per Minatoret diten e sotme ne Kuvend, mazhoranca e ka hedhur poshte me shumice vote. Minatoret, të cilët kanë qenë edhe objekt diskutimi gjatë kohëve të fundit për shkak të pensioneve të ulëta që marrin dhe pasigurisë që i shoqëron gjatë punës nëntokë kane pensione si gjithe kategorite e tjera.
Kryetari i Komisionit të ligjeve është shprehur se komisioni e shqyrtoi këtë projektligj pasi mori dhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë. Sipas të gjitha konkludimeve me shumicë votash është rrëzuar projektligji në kuvend pasi është parë në kundërshtim me skemën e sigurimeve shoqërore.
Rajmonda Stefa, deputete e PS-së, është shprehur se: “Është në nderin e kësaj qeverie dhe të Ministrit të Financave që nga buxheti i saj të kalojë 1 miliardë lekë në vit për këta njerëz që kanë kaluar rininë e tyre nëpër galeri”.
Edhe deputeti tjetër i PS-së, Rapush Tola ka kërkuar sot votimin në kuvend të projektligjit për minatorët. “Është në detyrën tonë që të marrim në mbrojtje këtë shtresë, e cila nuk ka një status të veçantë si kolegët në vendet e Europës, me të cilët ne as nuk mund të krahasohemi. Minatorët te ne dalin në pension në moshën 65 vjeç njësoj si të tjerët që kanë punuar në zyra” – tha Tola. “Sot minatorët janë në grevë për të drejtat e tyre kryeministri as nuk i takon të dëgjojë hallet e tyre. ‘Nuk kërkojmë lëmoshë” thonë ata por duan të drejtën e fituar me ligj’”- vazhdoi Tola. Sipas tij kjo shtresë përfitonte pension në moshën 50 vjeç, ndërsa sot 65 vjeç.
Ministri i Financave, Ridvan Bode e ka quajtur projekligjn për minatorët një skemë asistence që sillet nga opozita për qëllim politike. Ai ka kërkuar që ky projektligj mos të kalojë sot në kuvend por të hartohet një ligj i ri i përbashkët mes opozitës e mazhorancës për skemën e pensioneve ku të përfshihen të gjitha shtresat dhe jo vetëm minatorët.
“Skema e pensioneve është kthyer në një skemë asistence, e sheshtë ku shumica e pensionistëve marrin të njëjtin pension pavarësisht nga puna dhe kontributi i tyre. Nëse mendoni se me këtë ligj do rregulloni hallet ju them se duke rregulluar 5000 minatorë ju prishni interesat e 540 mijë pensionistëve të skemës së pensioneve” – tha Bode.
Ndërkohë deputeti i PS-së, Erjon Braçe tha se nuk bëhet fjalë për deformimin e skemës së pensioneve por për një kontribut prej 6 mijë lekësh të reja për secilin minator që nuk ka mbushur ende moshën 65 vjeç të pensionit, i cili për shkak të sëmundjeve që ka marrë gjatë punës në nëntokë nuk mund të punojë në asnjë vend tjetër. “Kjo është thjesht një masë përfitimi e përkohshme. Këta njerëz që kanë punuar 20 vite dhe për pak vite s’kanë mbushur moshën e pensionit, mos ti lëmë të vdesin rrugëve. Bëhet fjalë vetëm për 60 mijë lekë të vjetra në muaj, nën minimumin jetik, që s’del për asgjë në familjet e mëdha të minatorëve me mbi 5-6 anëtarë” – tha Braçe.Sipas tij të gjitha shtrembërimet në skemë janë bërë nga ana e Partisë Demokratike.
Edhe deputeti Petro Koçi ka kërkuar më shumë vëmendje nga qeveria lidhur me përfitimin financiar të minatorëve. “Ne nuk mund të kemi një shtet social nëse kemi naftëtarë pa status, minatorë dhe ushtarakë pa status. Të jesh minatorë nuk është privilegj, por profesion i vështirë, një vetëburgosje, të punosh në galeritë e minierave që prodhojnë vazhdimisht viktima, për shkak jo vetëm të standardeve por edhe vet vështirësisë së profesionit, i cili krijon këto lloj fatkeqësish. Ftoj grupet parlamentare të votojnë ligjin për minatorët” – përfundoi Koçi