Mazhoranca shtyn me gjashtë muaj afatin për heqjen e vizave
Përfaqësuesit e qeverisë shtyn afatin për sa i përket premtimit të saj për liberalizimin e vizave. Dje në mesditë, zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një takim me gazetarë, theksoi se brenda këtij viti qeveria pritet të përmbushë edhe detyrimin e saj për të liberalizuar vizat. Në fjalën e tij, Meta la të kuptohej se ky detyrim nuk do të përmbushej brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ashtu siç është deklaruar më parë nga krerët më të lartë të mazhorancës në vend. Sipas kryediplomatit, institucionet në vend po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të arritur përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit të Komisionit Europian. “Dua të shpreh besimin tim se me këtë ritëm e përgjegjshmëri, do të vijohet edhe në javët e muajt e ardhshëm, në mënyrë që brenda vitit të përmbushet ai angazhim i shumëpritur për të gjithë shqiptarët, për të realizuar liberalizimin e vizave”, theksoi zëvendëskryeministri përpara gazetarëve. Nga ana tjetër, Ilir Meta theksoi se pavarësisht bojkotit dhe kundërshtive të opozitës ndaj mazhorancës, vendi nuk mund të kalonte në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, koalicioni qeveritar është i qëndrueshëm dhe opozita duhet të ketë durim deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. “çështja e ndryshimit të qeverisë apo të Kryeministrit është dhjetë herë më e vështirë sesa ka qenë përpara dy-tre vitesh, për shkak të ndryshimeve kushtetuese, kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të 2013-s dhe të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe lodhet më shpejt”, theksoi Meta. Po kështu, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, përshëndeti parimisht edhe hyrjen e deputetëve të Partisë Socialiste në Parlament pak javë më parë, por theksoi se ky grup parlamentar duhet të jetë tashmë pjesë e pandarë e legjislativit, duke e lënë mënjanë bojkotin. Sipas Metës, në rast se PS rinis bojkotin, atëherë të gjithë do të kuptojnë se deputetët e saj hynë në sallë vetëm për të mos djegur mandatet e tyre. Nga ana tjetër, Meta theksoi edhe një herë se mazhoranca është e gatshme që të ngrejë një komision hetimor parlamentar për shqyrtimin e aspekteve të ndryshme të zgjedhjeve, por në asnjë rast nuk mund të pretendohet nga opozita se aty do të hapen kuti votimi. Sipas ministrit të Jashtëm, interesat afatshkurta të një partie politike nuk mund ta detyrojnë mazhorancën të prishë balancat mes pushteteve, të cilat janë parashikuar të ndara nga Kushtetuta. “çdo lloj ndërmarrje për interesa afatshkurtra për të krijuar një krizë që është krejtësisht artificiale, duke hedhur themelet e një krize afatgjatë e cila mund ta bënte Kushtetutën një dokument krejtësisht të pavlerë dhe që mund të minonte kredibilitetin dhe pavarësinë e gjykatave, absolutisht që do të ishte e papranueshme”, bëri të qartë Meta. Po kështu, zëvendëskryeministri, në bashkëbisedimin e tij me mediat, theksoi se opozita po kundërshton edhe marrjen e një vendimi për situatën nga Komisioni i Venecias. Sipas tij, këto qëndrime e bëjnë opozitën kontradiktore dhe të papërligjur bojkotin e saj.
#