Mazhoranca, unanime për Bujar Nishanin
Propozimi i parë i mazhorancës, Artan Hoxha u tërhoq nga kandidatura
Kandidati i mazhorancës për president i dalë nga negociatat e ditës së dielë, Artan Hoxha dje në mëngjes u tëhoq nga gara presidenciale. Pasi ka marrë edhe miratimin në komisionin e Ligjeve, ka mbledhur 40 firma në favor të tij dhe vetëm pak para nisjes së seancës së votimit, përmes një njoftimi për mediat, Hoxha deklaroi dorëheqjen e tij nga kandidatura. Lajmi për tërheqjen e tij u konfirmua zyrtarisht edhe nga kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi e më pas u faktua me një letër sqaruese të vetë Hoxhës, dërguar mediave.
“Deri pas mbledhjes së mbrëmshme kam shpresuar se procesi presidencial do të mbante frymën minimale të mirëkuptimit dhe konsensualitetit madje dhe sot në mëngjes pasi kam marrë me qindra e qindra mesazhe urimi një pjesë e mirë, e të cilave më kanë ardhur nga individë brenda dhe pranë Partisë Socialiste. Kam vazhduar të shpresoj se procesi presidencial premtonte ende mirëkuptim dhe konsensus, por duke parë qëndrimet e eksponentëve socialistë dhe pranë tyre, të cilët filluan të përdorin me agresivitet dhe egërsi të gjitha llojet e akuzave të bajatosura në këto 22 vite, përfshi shpifje dhe shantazhe, arritën në përfundimin se procesi presidencial nuk mund të ketë as minimumin e civilizimit dhe të, dhe aq më pak të vullnetit të mirë për zgjidhje të arsyeshme dhe konsensuale. Arrita të kuptoj se në procesin presidencial për shkak të interesave politike nuk lejohet të kontribuojnë faktorët civilë. Unë e kam ndjekur nga shumë pranë procesin presidencial, kam komentuar dhe kam shkuar në favor të zgjedhjes së arsyeshme dhe konsensuale. Mendova të kontribuoj në instancën e fundit për të njëjtin qëllim, por për gjithçka çfarë shpjegova më lart deklaroj se nuk mund të jem më pjesë e vazhdimit të këtij procesi, i cili me sa duket paralajmëron furtunë”, thuhej në deklaratën e analistit të njohur, Artan Hoxha.
Por, menjëherë ishte reagimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i cili dha konfirmimin për tërheqjen e Artan Hoxhës nga gara presidenciale dhe në vend të tij mazhoranca përzgjodhi kandidaturë zyrtarë për president, Bujar Nishanin.
“Konfirmoj lajmin se kandidatura e mazhorancës e propozuar mbrëmë është tërhequr nga gara. Por mazhoranca është e vendosur ta bëjë vendin me president dhe kandidatura tjetër do të jetë Bujar Nishani, që është një nga emrat e propozuar dje në tryezën e negociatave. Për arsye teknike, seanca shtyhet dhe do të zhvillohet në orën 17.00 pasdite”, tha Patozi. Në të njëjtën ligjë u shpreh edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes nënkryetarit të saj, Petrit Vasili. Ai deklaroi se LSI është e zotuar t’i përmbahet marrëveshjes me Partinë Demokratike si dhe do respektojë Kushtetutën e vendit, në lidhje me përzgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Në qëndrimin tonë do të mbizotërojë kushtetuta dhe respekti ndaj saj por njëkohësisht edhe respekti ynë ndaj marrëveshjes politike që ne kemi nënshkruar me Partinë Demokratike në vitin 2009”, u shpreh Vasili gjatë një deklarate për mediat, dje në mesditë pas tëheqjes nga kandidatura të Artan Hoxhës.
Ai ka theksuar më tej se për muaj të tërë LSI-ja ka kontribuar në mënyrë konstruktive dhe aktive për ndërtimin e një procesi të hapur dhe transparent për të gjetur një gjithëpërfshirje.
“Është një fakt evident që ka pasur një dialog konstruktiv për të stimuluar një proces të një komunikimi të gjerë dhe të hapur”, tha më tej Vasili.
Bujar Nishani ishte edhe një nga katër emrat e ofruar të dielën mazhoranca në tryezën e negociatave me opozitën, krahas atij të Arben Imamit, Petraq Milos dhe Artan Hoxhës.