Dënimi i viktimës
Kërcënimi i një diplomati të një vendi të respektuar, se kosovarët që ia mësyjnë vendit të tij për të kërkuar azil, ndër të tjera mund të dënohen edhe me gjoba monetare deri në 7.500 euro, ma kujtoi një rast po kaq absurd, që ka ndodhur në Parlamentin e Kosovës vite më parë. Po diskutohej për masat që duhej ndërmarrë kundër lypsarëve. Dhe, njëra prej masave parashihte që nëse një lypsar do të kapej për herë të dytë duke ushtruar “zanatin” e tij, ai të dënohej me një gjobë, nëse nuk gaboj, prej 500 eurosh. Për këtë masë kaq të palogjikshme pat ngritur zërin, nëse më kujtohet mirë, Emrush Xhemajli, duke kërkuar prej kolegëve “që të mos e dëgjojë kush këtë marri”. “Ku do t’i gjejë lypsari këto para?”, kishte pyetur ai.
Mirëpo, në këso kohë krizash, njeriu duhet të jetë i përgatitur të dëgjojë edhe këso propozime e kërcënime. Para se të bëhen kërcënime, a nuk do të kishte qenë më mirë që faktorët relevantë vendorë e ndërkombëtarë të përpiqeshin të gjenin shkaqet që po i shtyjnë flukset e kosovarëve të ikin nga vendi. Pse të mos analizohet situata ekonomike, ose cilët janë faktorët që ndikuan që, për shembull, investimet e jashtme më 2012 të bien pothuaj përgjysmë në raport me vitin paraprak? Ose, pasi që kjo punë u bë e madhe dhe pasi që ata që po ikin po flasin publikisht, pse të mos shikohet se a qëndrojnë vërejtjet e tyre për papunësi të madhe në Kosovë ose akuzat për korrupsion, nepotizëm, etj., që i ngrenë kundër pushtetarëve? Apo, edhe të studiohet se çfarë po i shtynë ata ta konsiderojnë jetën në tenda të thjeshta e pa kushte elementare, si ato në Metz të Francës, “100 herë më mirë se në Kosovë”? Absolutisht, ideja nuk është që të përkrahet në asnjë mënyrë ikja e njerëzve. Mirëpo, për secilin duhet pasur mirëkuptim. Sepse, realisht, këta njerëz kanë një zor të madh teksa vendosin të bien në duart e trafikuesve të qenieve njerëzore, ose që edhe vetë të kalojnë ilegalisht kufij për të dalë “matanë”, në “tokën e premtuar”.
Kurse, thirrjet nga qeveritarët e politikanët tanë drejtuar qytetarëve që të mos largohen nga vendi apo edhe paralajmërimet se do të formohet polici e posaçme apo se do të ketë një koordinim të forcave të rendit e të drejtësisë për ta penguar këtë dukuri, nuk janë zgjidhja për problemin. Sikurse që nuk është as kërcënimi i vendeve të BE-së për pasojat me të cilat do të përballen ata që vendosin të kërkojnë ndonjëfarë azili. E aq më pak do të kenë efekt kërcënimet absurde, sikur ai i z. Johan Brieger, ambasador i vendit të respektuar e mik, Austrisë, se ndaj atyre që në vendin e tij hyjnë legalisht ose ilegalisht me qëllim të kërkimit të azilit “do të shqiptohen gjoba monetare në vlerë deri 7.500 euro”. Prandaj, në vend të kërcënimeve me pasoja e me dënime më e rrugës do të kishte qenë të shqyrtohen mundësitë e integrimit të azilkërkuesve të kthyer dhe që atyre t’u gjendej ndonjë vend pune. Si do të mund të ndodhte kjo, kontribut të çmuar do të mund të jepte ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku. Ajo ka përvojë në këtë drejtim. Të paktën, kështu na është krijuar përshtypja pas atyre pak minutave të bisedës së përgjuar në aferën “Pronto”, kur ajo premtonte “integrimin” në Ministrinë e saj të të afërmve të “shefit të shefave”.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”