E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazniku: Fondet e BE-së kërkojnë bashki me kapacitete për të hartuar projekte

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku tha sot se reforma administrativo-territoriale duhet të trajtojë jo vetëm hartën territoriale, por edhe kompetencat, financat dhe rajonalizimin, me synim rritjen e kapaciteteve të bashkive.

Duke iu përgjigjur argumenteve të renditura nga deputeti socialist Erion Braçe kundër ndarjes së re territoriale Mazniku theksoi se përpjekjet për të gjetur një kompromis me opozitën kanë ndikuar në kohën e nevojshme për miratimin e paketave të reformës.

“Sot gjendemi në një pikë në të cilën ose kjo reformë humbet momentumin dhe nuk ia dalim dot, ose ia dalim nëpërmjet këtij mekanizmi që kemi sot”, u shpreh Mazniku.

Duke iu referuar kompetencave të pushtetit vendor, Mazniku theksoi se ka funksione që bashkitë nuk i ushtrojnë për shkak të mungesës së kapaciteteve, por ka plot funksione të cilat nuk kanë pengesë as nga ligji as nga qeveria për t’i ushtruar.

Mazniku përmendi ndër të tjera planifikimin urban vendor, zhvillimin e turizmit, strehimin social, kujdesin social për të sëmurët, mbështetjen e arsimit profesional dhe transportin publik.

Sipas tij, dallimet mes bashkive në ushtrimin e këtyre funksioneve lidhen kryesisht me kapacitetet dhe strukturën ekonomike të territoreve.

“Unë besoj jashtë mase që kryetari dhe këshilli bashkiak i Divjakës duan t’i bëjnë gjithë këto, por e kanë të pamundur prej tipologjisë së strukturës ekonomike që kanë”, tha Mazniku.

Ai u ndal edhe te nevoja për rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor për hartimin e planeve dhe projekteve zhvillimore, veçanërisht në kuadër të përfitimit nga fondet e Bashkimit Evropian.

Mazniku theksoi se projektet duhet të ndërtohen nga pushteti vendor dhe se bashkitë duhet të kenë kapacitetet e nevojshme për t’i përgatitur ato në mënyrë që të mund të financohen nga BE-ja.

Duke iu referuar përvojës së vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, ai tha se Kroacia, Rumania dhe Polonia kanë pasur nevojë për disa vite për të ndërtuar kapacitetet e pushtetit vendor, duke humbur ndërkohë mundësi financimi.

“Shqipëria, socialistët, demokratët, njerëzit nga Divjaka, nga Lushnja, nga Berati, nuk e kanë kohën për ta humbur. Ato para nga Bashkimi Evropian ne duhet t’i kemi kapacitet për t’i tërhequr, t’i sjellim dhe të ndihmojmë qytetarët e këtyre territoreve”, tha Mazniku.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›