Gjekmarkaj: Reforma territoriale nuk i shërben interesit qytetar, por mbajtjes së pushtetit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj u shpreh sot se Reforma Territoriale nuk i shërben interesit qytetar, por mbajtjes së pushtetit nga ana e mazhorancës.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, Gjekmarkaj tha se “qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë po për të krijuar një anarki administrative me qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht”.
“Kam një bindje personale, që sa herë që vijnë propozime për reforma apo ligje, gjithmonë ka një hile. Nëse flitet për Reformën Territoriale, qëllimi nuk është për të administruar Shqipërinë apo për të përmirësuar qeverisjen. Por për të krijuar një anarki administrative me qëllim mbajtjen e pushtetit me çdo kusht”, tha ai.
Sipas tij, “territori copëtohet, bashkohet, shqyhet ngjitet, ndërsa deputetët socialistë përpëliten”.
“Asnjëherë nuk mendoj se kanë qenë më ngushtë sesa sot. Kjo reformë është si Kushtetuta e vitit 1975. Është jo logjike, jo demokratike dhe jo europiane. Ju po silleni si pushtues, kjo reformë është incest moral, politik e juridik. Një atentat i kryer nga frika”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.
/m.m/j.p/